Magani pret minimalisht barazim në Kamzë: Dinamo e fortë, por ne kërkojmë… “play off”-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2023 | 13:30

Magani pret minimalisht barazim në Kamzë: Dinamo e fortë, por ne kërkojmë… “play off”-in

Analizë, stërvitje dhe premtime. Kështu është mbyllur e premtja për Besën. Para se të niste seanca e fundit përgatitore, Gugash Magani ka mbajtur një fjalim para lojtarëve. Kavajasit sot do të luajnë në transfertën e vështirë të sezonit, atë me Dinamon.

MAGANI 1

Përballë një kundërshtari që synon ngjitjen direkte në Superiore, vështirësia dihet. Dhe për të “shkundur” grupin, trajneri është munduar që të karikojë të tijtë me këto fjalë: “Nesër (sot) do të luajmë ndaj Dinamos, të cilën e njihni mirë. Njëherësh e dini edhe nevojën e tyre për fitore, derisa kanë objektiv një nga dy vendet e para. Kjo do të thotë, se na pret një rival i denjë, që kërkon po ashtu vlerësim maksimal nga secili prej jush”.

Pas analizës, numri një i stolit foli edhe për gazetën “Panorama Sport”. Peqinasi tha se beson te grupi që drejton, por fillimisht foli për objektivat që Besa ka në javët e mbetura.

“Kemi vetëm 31 pikë, çfarë do të thotë se jemi të rrezikuar të zbresim në tabelë. Kjo do të bënte që në javët e mbetura të mbledhim sa më shumë, për të qëndruar në zonën ‘play off’. Jashtë kemi dy sfida me kryesuesit, ndërsa brenda në shtëpi do të ndeshemi me dy ekipe, të cilat kërkojnë të mbijetojnë në Kategorinë e Parë. Pra, të katër ballafaqimet do t’i kemi me ekipe që pikët i kanë të domosdoshme. Ndaj thashë më lart, se Besa do të kërkojë pikët e veta”.

I pyetur rreth takimit të sotëm ndaj Dinamos, Magani nuk e fsheh faktin se verdhezinjtë do të udhëtojnë drejt Tiranës me objektivin për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje.

“Dinamo? Dihet tashmë kush është. Atyre u duhet fitorja, por edhe neve. Nëse duam të mos dalim nga zona ‘play off’, jemi të detyruar të marrim pikë. Ia bëra të qartë pak më parë në analizë ekipit se i kemi të gjitha mundësitë nëse bëjmë atë që duhet të synojmë, jo vetëm barazimin, por edhe fitoren. Uroj që të kemi edhe fatin në anën tonë, që në futboll jo pak herë bëhet përcaktues”, e mbylli Magani.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"