Magani për sfidën ndaj Flamurtarit: E vështirë do të jetë, uroj që sulmuesit të kenë zënë “mend”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2023 | 10:41

Magani për sfidën ndaj Flamurtarit: E vështirë do të jetë, uroj që sulmuesit të kenë zënë “mend”

Besa nuk e mendon “blofin” kundër Flamurtarit. Edhe pse kjo javë solli surpriza të mëdha, ata janë gati dhe të karikuar për të kaluar me sukses javën e 17-të. E luajnë në Berat dhe qëllimi është fitorja.MAGANI 1

Këtë e thotë edhe Gugash Magani, ndonëse e pranon vështirësinë. Ai e quan të paparashikueshëm këtë 90-minutësh, ndërsa për “Panorama Sport” shprehet: “Nëse në sezonet e tjera kishte disa ekipe në fund të tabelës në këtë fazë të kampionatit dhe besoje se ishte fitore e sigurt, këtë kampionat jo më. Diferencat në lojë janë mjaft të ngushta. Vetë rezultatet javë pas jave e dëshmojnë këtë. Një ndër ekipet që ka gabuar shumë, jemi edhe ne dhe sidomos në shtëpi. E megjithatë, rrethi po ngushtohet. Ka ardhur momenti që çdo hap fals rëndon dhe ndikon në objektivat që kemi”.

Peqinasi ka drejtuar Flamurtarin në Superiore, ashtu si Tiranën, Teutën apo edhe Besën. Kjo nuhatje prej trajneri profesionist e bën të jetë më afër realitetit.

“Janë disa duele që risjellin nostalgjinë. Përballjet me Skënderbeun, Dinamon, Flamurtarin të çojnë instinktivisht në Superiore. Sado të ndryshojnë përbërjet e tyre, përsëri shkolla e futbollit të tyre mbetet edhe pesha e fanellës. Në këtë kuotim, do të thoja se dueli me Flamurtarin mbetet një ndeshje e gjitha për t’u shijuar dhe pres të ketë një luftë të fortë në çdo sektor të fushës. Nuk diskutohet që do luajmë për fitore. Në çdo fushë futemi me këtë mision dhe sidomos kur jemi ‘brenda’, ndonëse e luajmë në Berat. Këtë kërkojmë duke sakrifikuar e besuar në vlerat tona. Po ndodh nganjëherë që përpjekjet nuk përkthehen në pikë. Uroj e pres që sidomos sulmuesit të kenë zënë mend. Kundër vlonjatëve duhet të jenë cinikë dhe më të përgjegjshëm para portës. Në ballafaqime të tilla, nuk e ke luksin të dominosh tërësisht si ndaj Apolonisë, por secili ekip mundohet të përfitojë nga çdo gabim sado i vogël i tjetrit. Pres nga grupi një rezultat pozitiv. Për këtë jemi lodhur gjithë javës”, përfundoi tekniku i kavajasve.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"