Lufta për “Këpucën e Artë” nuk ka më vetëm Megi Doçin, femrat e ekzagjerojnë me gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2023 | 9:27

Lufta për “Këpucën e Artë” nuk ka më vetëm Megi Doçin, femrat e ekzagjerojnë me gola

Me Vllazninë që duket se po ecën e sigurt drejt titullit të dhjetë radhazi kampion, teksa po thyen rekord pas rekordi, kampionati i futbollit të femrave po dhuron një garë interesante për sa i përket titullit të golashënueses më të mirë. Megi Doçi e Vllaznisë, Valentina Troka e Apolonisë dhe Anela Vishkulli e Tiranës, kanë vijuar garën me golat e shumtë të shënuar në javën e 16-të.

vllaznia femra (1)

Kështu, Doçi nuk është përmbajtur ndaj ekipit ku u lind si futbolliste, Kinostudios, teksa i ka shënuar plot 14 gola. Po kështu kanë vijuar dhe dy ndjekëset e saj, Valentina Troka, që ka shënuar 8 gola ndaj Skënderbeut në Korçë. Ndërsa elbasanllija Anela Vishkullii ka realizuar 7 gola Lushnjës. Kështu, pas javës së 16-të, Megi Doçi merr kryesimin në listën e golashënuesve, teksa me 59 gola parakalon Velentina Trokën që ka 56. Ndërsa e treta pozicionohet Anela Vishkulli me 42 gola. Statistika të ekzagjeruara, të cilat janë tregues i disnivelit të madh që ekziston ndërmjet skuadrave në futbollin e femrave në Shqipëri.

NDESHJET – Dy takimet e luajtura të shtunën dhuruan plot 28 gola të shënuar nga skuadrat udhëtuese, ku Tirana fitoi 15-0 në Lushnjë, ndërsa Apolonia triumfoi në Korçë 13-0 ndaj Skënderbeut vendës. Ndeshje që nuk patën histori, në të cilat sapo vihej topi në qendër të mesfushës, pas shënimit të njërit gol, menjëherë vinte goli tjetër. Po kështu ndodhi edhe në takimin mes Vllaznisë dhe Kinostudios të dielën ndeshje e luajtur në kompleksin Zmijani në Shkodër. Duke parë golat e rivaleve një ditë më parë, Megi Doçi u tregua e papërmbajtur, duke e tundur plot 14 herë rrjetën e Kinostudios në fitoren 15-0 të Vllaznisë.

Edhe Partizani ka marrë një fitore të thellë të dielën në stadiumin e tij ndaj Kukësit me rezultatin 5-0, vetëm se në këtë takim golat janë shënuar nga 5 futbolliste të ndryshme. Palaj, Santos Silva, Loci, Bushati dhe Dedgjonaj regjistruan emrin si shënuese. Rikthimi i Ylli Shehut si trajner i Partizanit, ka bërë që skuadra të jetë më e kompletuar dhe më efikase. Ndeshja që regjistroi rezultatin më të ngushtë, ishte ajo e luajtur në Durrës mes Teutës dhe Laçit. Kurbinaset “shkodrane” fituan 2-0 me golat e Ndocit dhe Markajt.

Tashmë kur kanë mbetur edhe dy javë që të mbyllet sezoni, Vllaznia është shumë pranë titullit dhe duket se do ta festojë në Shkodër, madje “Loro Boriçi” në ndeshjen e javës së fundit kundër Tiranës. Por në rast të një suksesi të Tiranës, atëherë këto dy skuadra mund të barazohen me pikë dhe do të ishte golavarazhi i ndeshjeve direkte mes tyre që mund të përcaktonte kampionen. Nëse llogaritë dalin të barabarta atëherë do të merret parasysh golavarazhi i përgjithshëm. E nëse do të jenë këto shifra sërish të barabarta, atëherë do të ketë një tjetër ndeshje finale, në fushë asnjanëse.

asdadasd (1)

A.DUSHKU/A.ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"