Luajnë kundër Maliqit, gardiani i Turbinës i vë “kyçin” portës: Ta harrojnë golin
Turbina vijon përgatitjet në kryeqytet për transfertën e kësaj të shtune. Skuadra luan me Maliqin dhe mendon gardiani Leonid Varfi që të karikojë grupin.
Teksa flet për “Panorama Sport”, ai premton se do t’i vendosë “kyçin” portës:
“Luajmë me Maliqin dhe kjo ndeshje është vendimtare për ecurinë tonë. Nuk na lejohet në asnjë mënyrë të bëjmë ndonjë hap fals. Kemi vetëm një synim në këtë transfertë: fitoren me çdo kusht. Besoj shumë se do ta arrijmë këtë gjë, sepse vijmë pas dy humbjeve rresht. Portës do t’i vendos ‘kyçin’ dhe lojtarët e Maliqit ta harrojnë golin. U bëj thirrje sulmuesve tanë, që të jenë sa më rezultativë dhe të shënojnë. Nuk shkojmë për barazim, por vetëm për pikët e plota.
Këto na ngrenë shumë në renditje dhe na largojnë nga zona e ftohtë e klasifikimit. Luajmë në Bilisht dhe jo në fushën e tyre, kështu që mundësitë për t’i mundur janë të shumta”.
MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL
