Lorenco Vila: Dinamo, për katërshen e parë. Po kap formën time më të mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 22:12

Lorenco Vila: Dinamo, për katërshen e parë. Po kap formën time më të mirë

Me lëvizjen në stol pas fazës së parë të kampionatit, ndryshoi edhe paraqitja e skuadrës blu në fushë. Ndryshoi edhe situata me Lorenco Vilën, një nga blerjet më të bujshme të kryeqytetasve në verë. Sulmuesi durrsak ka harruar stolin me Di Biaxhon dhe me Mehmetin po luan rregullisht.

vila

Loja e tij, siç pohon edhe vetë 24-vjeçari për “Panorama Sport”, është përmirësuar, ndërsa tani shpreson që të gjejë edhe golat e munguar. “Të them të drejtën, tani po vij në formën time më të mirë sportive pas atij fillimi të vështirë. Shpresoj shumë që të gjej edhe golat dhe ta ndihmoj sa më shumë skuadrën për të fituar dhe për të qenë aty ku ne duam në renditje”, ka thënë fillimisht Vila, pa dashur të merret shumë me atë që ka kaluar sa i takon aspektit personal.

I pyetur se kur do të shohim Vilën e Teutës, që bënte diferencën dhe fitonte trofe, ai përgjigjet: “Nuk e di, uroj sa më shpejt. Kampionati nuk ka mbyllur ende fazën e dytë, ka edhe shumë rrugë për të bërë. Shpresoj të jem sa më i vlefshëm për skuadrën”. Sulmuesi i Dinamos e vlerëson barazimin me Partizanin, edhe pse ka ndonjë “peng” të vogël: “Barazimi është mirë, por duke pasur parasysh si u zhvillua ndeshja dhe rastet që arritëm të krijonim, them se duhej të kishim fituar ndaj Partizanit. Tri pikë do të ishim shumë më mirë se një, megjithatë shohim përpara për sfidat që në presin”.

SITUATA – Vila flet me shumë besim për të ardhmen, duke parë ndryshimin që ka bërë skuadra nga java në javë. “Përmirësimi i Dinamos në lojë është i dukshëm. Nuk është se e them unë, e tregojnë rezultatet që kemi marrë në kampionat. Kemi 5 ndeshje që nuk humbasim dhe kjo është shumë e rëndësishme për një skuadër futbolli. Nga këto rezultate në skuadër është rritur shumë besimi, që na ndihmon të shprehemi më mirë në fushë. Po ashtu, loja javë pas jave vjen duke u konsoliduar. Ndoshta duhej të kishim marrë më shumë, por nuk ka kohë të merremi me atë që ka kaluar. Duhet përqendrim maksimal për çdo ndeshje që vjen”, thotë futbollisti dinamovit, i cili më parë ka qenë pjesë e Teutës.

GOLAT – Sulmuesi është një nga ata që preken direkt nga çështja e golave dhe javët e fundit Dinamo ka hasur shumë vështirësi në këtë drejtim. “Po, na ka munguar goli këto ndehsjet e fundit. Rastet i kemi pasur të themi të drejtën, siç ndodhi edhe me Partizanin, por nuk i kemi shfrytëzuar. Për këtë na vjen pak keq, sepse do të kishim disa pikë më shumë në renditje. Mendoj se duhet të jemi pak më të qetë para portës kundërshtare, për të konkretizuar rastet. Me qetësinë e duhur mund të jemi më efikas dhe më rezultativ”, deklaroi Vila.

LAÇI – Ndeshja e radhës luhet me Laçin në “Niko Dovana” të Durrësit, një stadium që Lorenco Vila e njeh shumë mirë. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe ne do të hyjmë në fushë vetëm për 3 pikët. Është një nga ato ndeshje që Dinamo duhet t’i fitojë për t’u ngjitur dhe për të qëndruar në katërshen e parë të kampionatit. Skuadra është projektuar për këtë objektiv dhe unë mendoj se janë të gjitha mundësitë për ta arritur. Nuk na takon të jemi në këto ‘ujëra’. Tani fokusi është i gjithi te Laçi, të cilin e vlerësojmë si një kundërshtar të fortë, por Dinamos i bën punë vetëm fitorja. Shpresoj ta kalojmë me sukses këtë sfidë. Gol në ‘Niko Dovana’? Do të ishte bukur, por së pari uroj që skuadra të marrë tri pikët”, përfundon titullari i bluve.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"