Lojtari ballshiot, Ervis Kasaj: Bylisi do të jetë surpriza e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2024 | 16:19

Lojtari ballshiot, Ervis Kasaj: Bylisi do të jetë surpriza e Superiores

Bylisi i Superiores do të jetë ndryshe në mënyrën e funksionimit. Për skuadrën e parë deri më tani ka pasur vetëm largime, lojtarë të cilëve u ka mbaruar kontrata, por edhe nga ata që kanë qenë nën kontratë dhe që janë shitur nga klubi mallakastriot. Ervis Kasaj është një nga lojtarët vendas, madje si pjesë e Bylisit ai ka tashmë më shumë se çdo lojtar tjetër, pasi për herë të parë është bërë pjesë e mallakastriotëve në sezonin 2018-2019.

kasaj bylis

Kasaj, tashmë 25-vjeçar është në kulmin e karrierës dhe synon që në Ballsh ai të shfrytëzojë këtë moment “Superiore”. Në një prononcim që ka dhënë për “Panorama Sport”, Ervis Kasaj sqaroi gjithçka. “Unë në Ballsh mund të jem ndër lojtarët me më shumë sezone, por fakti që prindërit e mi kanë origjinën nga Mallakastra më obligon dyfish që unë të bëj më të mirën për klubin dhe në Superiore. E kam të qartë se do të jetë një garë shumë e vështirë dhe shumë e fortë, por unë jam i bindur që do të dimë si t’ia dalim, pasi jemi një klub që kemi eksperiencë. Normalisht, që në një garë me 10 ekipe dhe ku bëjnë pjesë “ajka” e futbollit shqiptar është shumë e vështirë e sidomos për ekipet e ashtuquajtura të vogla, megjithatë unë kam shumë besim se Bylisi do të jetë surpriza e bukur e Superiores sezonin e ardhshëm.

Me sa kam informacion ne do të nisi përgatitjet shpejt këtë herë, madje ndoshta që në fundin e këtij muaji ose në javën e parë të korrikut. Jam i bindur se ajo pjesë e madhe e lojtarëve që janë këtu, do të bëjmë mirë, sepse kanë qenë edhe titullarë në Superiore dhe eksperienca nuk u mungon. Megjithatë, skuadra ka nevojë për përforcime, të cilat rrisin cilësinë në grup duke shtuar kështu edhe konkurrencën”, tha Ervis Kasaj, mesfushori i Bylisit.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"