Liga e Konferencës/ Trajneri Daja: Ballkani si në shtëpi në “Air Albania”, ja çfarë kërkoj ndaj Viktoria Plzen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 18:51

Liga e Konferencës/ Trajneri Daja: Ballkani si në shtëpi në “Air Albania”, ja çfarë kërkoj ndaj Viktoria Plzen

Trajner Ilir Daja është rikthyer sërish në stadiumin “Air Albanai”, por kësaj radhe si “timonier” i kampionëve të Kosovës, Ballkani, që nesër në këtë stadium do të luaj ndaj çekëve të Viktoria Plzen në grupet e Ligës së Konferencës.  Për shkak se Kosova nuk ka asnjë stadium për momentin brenda standardeve ndërkombëtare, UEFA e ka zhvendosur ndeshjen e Ballkanit në stadiumin “Air Albania”, takim i cili do të luhet nesër në orën 18:45.

daja

Trajneri Daja ka dalë sot para mediave, ku ka folur për ndeshjen e nesërme me Viktora Plzen.

 

Si ndihet Ilir Daja para këtij takimi të Ligës së Konferencës në “Air Albania”?

Rikthehemi në stadiumin emblemë të të gjithë shqiptarëve. Kemi kaluar shumë mirë edhe në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri’, por për shkak të kushteve atmosferike vijmë të luajmë në këtë stadium. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze ndaj Viktoria Plzen.

Cila është gjendja e Ballkanit para ndeshjes së nesërme?

Kemi mungesa, por jemi të motivuar maksimalisht, pasi e dimë rëndësinë e ndeshjes. Përballemi me kryesuesen e grupit, që ka fituar të gjithë takimet deri tani. Nëse nesër do të kemi edhe mbështetjen e publikut, do të jemi edhe më të motivuar. Sa i përket organikës, na mungon Hamidi i pezulluar dhe Tolaj, që është i dëmtuar, por rikthehet Berisha. Megjithatë mendoj se çdo futbollist, në një stadium të tillë, do të dijë të marrë ndeshjen me qetësi dhe të japë maksimumin. Kundërshtari ka tranzicion pozitiv shumë të mirë dhe nëse u lë hapësira, të ndëshkojnë.

Sa mund t’u ndihmojë fakti që Plzen vjen i kualifikuar, por edhe që do të luani larg Prishtinës, në një terren shumë më të mirë?

Fakti që ata janë të kualifikuar, ka të dy anët e medaljes, pasi nuk do të ketë motivimin maksimal dhe mund të bëjë rotacion, por nga ana tjetër ata janë profesionistë dhe nuk do të nënvlerësojmë. Ne luajmë në Shqipëri dhe besoj se do ta ndjejmë veten si në shtëpinë tonë, pasi jemi në shtëpinë tonë. Shumë lojtarë nuk e kanë shkelur ndonjëherë këtë terren dhe ky do të jetë një minus për ne, por do të përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme.

A do të jetë i kënaqur Ballkani nëse merr vetëm një pikë?

Që të jemi me këmbë në tokë, edhe deri këtu ku kemi ardhur, kemi bërë një arritje të madhe për Ballkanin, por edhe futbollin e Kosovës. Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme dhe do të duam tregojmë anën tonë më të mirë.

A jeni i kënaqur me përfaqësimin në fazën e grupeve, apo keni ëndërr të avanconi edhe më tej?

Kalimi në fazën e grupeve nuk është i përhershëm për skuadrat shqiptare, por është arritje historike. Ne të gjithë bashkë do të tentojmë të bëjmë një tjetër arritje, por e dimë që do të jetë tmerrësisht e vështirë. Përveç ndeshjes me Viktoria Plzen, na pret edhe një transfertë shumë e vështirë në Zagreb ndaj Dinamos. Megjithatë do të provojmë të bëjmë një tjetër hap historik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"