Legjenda e Rozafës në kohët moderne, stadiumi “Loro Boriçi” kthehet në problem serioz për atletikën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2023 | 14:41

Legjenda e Rozafës në kohët moderne, stadiumi “Loro Boriçi” kthehet në problem serioz për atletikën

Duket vërtet absurde, por pista e tartanit në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, e ndërtuar në vitin 2017 dhe e ribërë edhe një herë nga e para në rreth një vit e gjysmë më parë, duhet ndërtuar përsëri. Cilësia e dobët e punimeve në terrenin sportiv ka bërë që pista të prishet sërish.

loro borici

Prej ndryshimit të temperaturave tartani është fryrë vende-vende, ndërsa në të nuk mungojnë as gropat, duke e kthyer pistën të rrezikshme për atletët. Një skandal i vërtetë, që po e vuajnë në radhë të parë në kurriz atletët e Vllaznisë, por edhe Federata Shqiptare e Atletikës, e cila tashmë duhet të numërojë një terren më pak për të zhvilluar aktivitetet e saj. E inauguruar fillimisht 6 vite më parë së bashku me stadiumin, pista nuk rezistoi shumë, pasi siç dihet, në një kohë të shkurtër nga përurimi, ajo degradoi tërësisht. Madje, ky terren, ndryshe nga “Elbasan Arena”, nuk e mori as certifikimin nga ndërkombëtarët, duke “mos e kaluar klasën”.

Punimet e dobëta të firmës shkaktuan jo pak polemika, duke sjellë asokohe edhe përplasje mes qeverisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Tartani u ça dhe u fry thuajse gjatë gjithë pistës. Për këtë arsye FSHF-ja kohë më parë e hodhi në gjyq kompaninë ndërtuese, teksa vendimi ka qenë në favor të federatës, me kompaninë që u detyrua ta ndërtonte edhe një herë nga e para rreth një vit e gjysmë më parë, por edhe ndërtimi i dytë i pistës me sa duket nuk është bërë brenda parametrave të duhur, me tartanin që është prishur përsëri në disa vende. Kështu pista kërkon ndërhyrjen e tretë brenda gjashtë viteve.

Një histori absurde, por reale, që të sjell ndër mend legjendën e Kalasë së Rozafës, teksa ndërtimi i kalasë ishte i mallkuar prej perëndive, të cilët sipas legjendës shembnin çdo natë ndërtimin e çdo dite. Nëse për ndërtimin e kalasë u vetësakrifikua padrejtësisht Rozafa, mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet ndërtimi i pistës dhe nëse do të mbajë kush përgjegjësi për një fenomen që është kthyer në modë në Shqipëri. Kemi parë fusha futbolli që prishen sapo përurohet, apo rrugë që degradojnë pak javë pas pasi u pritet shiriti.

TAPETI (1)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"