Largim i papritur nga Apolonia? Mesfushori nigerian nuk duket në stërvitjen e skuadrës fierake

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2023 | 11:00

Largim i papritur nga Apolonia? Mesfushori nigerian nuk duket në stërvitjen e skuadrës fierake

Nuk ka pushim për Apoloninë. Nuk zhvilluan vërtet miqësore, por të lirë nuk ishin. E shtuna dhe e diela kanë qenë mjaft intensive për lojtarët fierakë. Kanë zhvilluar plot katër seanca brenda 48 orëve të fundit. Dy prej tyre janë zhvilluar në palestër dhe dy të tjerat në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”.

apolonia

Trajneri Veljko Dovedan ka ndjekur me vëmendje gatishmërinë e lojtarëve, ku nuk munguan as kritikat për të përmirësuar ndjeshëm veten. Ka kërkuar nga të vetët më shumë përqendrim e mobilizim, për gjashtë finalet e mbetura.

Llogaritë bëhen me laps e letër në këtë moment delikat duke ditur se fundi i kampionatit është afër. Grupi nuk ka qenë i plotë, pasi mungonte Khalid Baba Labaran.

Mesfushori nuk është parë në seancat e fundit stërvitore, madje as në ambientet e akademisë këtë fundjavë. “Zhdukja” e tij të bën të dyshosh për një largim të papritur.

Nga sot do të mësohet më shumë rreth kësaj çështjeje, ndonëse burimet zyrtare brenda klubit fierak nuk konfirmojnë dhe as e mohojnë diçka të tillë. Si gjithmonë, Apolonia është hermetike me mediat kur vjen puna për tema të tilla. Gjë që le hapësirë që të dyshosh…

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"