Labinoti kampion, Deliu: Tifozët elbasanas ngjisnin Krrabën me biçikletë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2024 | 21:21

Labinoti kampion, Deliu: Tifozët elbasanas ngjisnin Krrabën me biçikletë

Nga UVIL ZAJMI

Në pjesën e parë të shkrimit për La binotin kampion në vitin 1984 u kujtua 40 vjetori i titullit të parë, ndërsa sot gazeta do të vijojë duke botuar intervistën me Luan Deliun, protagonist të atij suksesi. Një karrierë e gjatë me këtë fanellë, e nisur nga viti 1977 deri më 1991, Deliu spikati në atë titull të bujshëm të fituar në majin e vitit 1984. “Askush nuk e besonte, ndonëse në ishim në krye për shumë javë. Fitorja në Burrel, e më pas me Besën e Partizanin, na dhanë trofeun”, kujton Deliu për “Panorama Sport”.

luan deliu

Formacioni nga ndeshja në ndeshje, situatat, një qytet që jetonte me skuadrën nga mëngjesi deri në mbrëmje, ku në çdo familje, qendra pune, shkolla, grupe, diskutohej vetëm për futbollin. Ku janë sot elbasanasit e atij titulli të paharruar?

Edhe unë si autor i këtij shkrimi, bashkë me kolegë arbitra, kemi patur fatin ta arbitrojmë atë skuadër në atë vit të triumfit të madh. “Goli i Begës ndaj Besës, fitorja në Burrel dhe në Tiranë me Partizanin, ishin më të spikaturat e atij sezoni. Pa harruar tifozët që na ndiqnin me biçikleta, trajnerët, si dhe drejtuesit e klubit.

Kur ndoqa pak ditë më parë ndeshjen me Bylisin, që kurorëzoi titullin e Elbasanit këtë sezon, mu rikthye në kujtesë ndeshja me Luftëtarin”, shprehet ndër të tjera qendërmbrojtësi. Biondi energjik i atij grupi legjendar tregon për “Panorama Sport” detaje të pathëna.

Deliu, keni qenë pjesë e brezit të artë të Labinotit, duke iu bashkuar një grupi me emra të mëdhenj. Si e kujtoni?

Vija nga Shkëndija për të kryer stazhin në Elbasan. Ishte viti 1977, kur te Labinoti ishte një brez i shkëlqyer, me vëllezërit Gjika, Dalipin, Hysin, Sejdinin, Mitrollarin etj. Dhe që kishin fituar vetëm një Kupë Republike në vitin 1975. Nuk më lanë të kthehem të vazhdoj ILKF-në, por me nxorën të drejtë stadiumi për gjuhëletërsi në Elbasan.

MixCollage-06-Jun-2024-10-29-PM-9901

Po flisni për vitin 1980, ku nis një cikël i ri për Labinotin?

U krijua një grup, ansambël me lojtarë të rinj, unë, Gogonja, Popa, Asllani, miq në fushë e jashtë saj. Me moshë të re, thuajse 22-23 vjeçarë. Nuk ishte rastësi, pasi Elbasani e kishte traditën të nxirrte lojtarë të talentuar, që kanë luajtur edhe në Kombëtare, me ekipet Shpresa, nga Ibërshimët, te Jorgaqi, Rudi, Gjika, etj. Më pas Popa, Lleshi, unë, mjaft të tjerë.

Në skuadrën tuaj vijnë edhe disa përforcime…

Po, Roland Agalliu erdhi tek ne, pasi Partizani kishte një kontigjent me shumë futbollistë dhe atij nuk i garantonte formacionin. Dy vjet qëndroi me ne. Djalë i shkëlqyer, shumë punëtor, sulmues zone dhe shumë i zhdërvjelltë. Po kështu erdhi edhe Zyber Bega nga Cërriku dhe Sokol Branica nga Peqini.

Një nisje sezoni me objektiva modeste, si e mbani mend?

Sezoni 1983-1984 në fillim na mblodhën dhe na kërkuan që skuadra të renditej nga vendi i parë deri në të gjashtë, që siguronte pjesëmarrjen në Spartakiadën e tetorit 1984. Pra, skuadra kishte një objektiv. Ndërkohë, në luftën për titullin ishin të zakonshmet, tre ekipet kryeqytetase dhe Vllaznia.

Por, ndjekësit janë të rrezikshëm atë sezon…?

I tillë ishte edhe grupi pas tyre me skuadra të forta si Labinoti, Apolonia, Flamurtari, Tomori, Besa, Naftëtari, që janë në ngritje dhe rivalizojnë me sukses. Faza e parë u mbyll me ne në vend të parë, kur gjithçka filloi me Dinamon në Tiranë. Ishte java e 7-të dhe fituam, duke dalë në krye. Por, me fillimin e vitit 1984, në turin e dytë të Kupës së Republikës, eliminohemi nga Besëlidhja. Jo se e nënvlerësuam, por edhe lezhjanët ishin një skuadër me lojtarë të mirë.

Java e 21-të, shkoni në Burrel me 31 Korrikun, papritur vendimtare, pse?

U bë decizive, morri një rëndësi të tillë, pasi Partizani që luante të shtunën humbi 2-5 me Luftëtarin në Tiranë, kur ishte në avantazh 2- 0. Ne luanim të dielën dhe 31 Korriku kishte një skuadër të fortë me 7 lojtarë të ardhur nga Tirana dhe Dali Farukun në formë, të mbështetur nga një qytet i gjithi në stadium. Fituam 1-0 me gol të Asllanit pas një zbritje dhe shkëputje të fuqishme.

Në Tiranë do të luani me Partizanin në “Qemal Stafa” më pas…?

Është ajo me Partizanin e parafundit, që ishte tejet e rëndësishme kishim shumë besim, nisur nga sulmi i shpejtë, mesfusha e mbrojtja e fortë, si dhe një portier që nuk kishte pësuar gol. Në stadiumin e mbushur, jo vetëm nga tifozët tanë, por edhe ata të 17 Nëntorit, Dinamos, që nisur nga rivaliteti, bënin tifo për ne. Pas ndeshjes, kemi festuar fitoren me gola të Asllanit dhe Begës, kemi ardhur deri në qendër të shoqëruar nga tifozët. Festonin bashkë me ne tifozët tanë.

Aty na priste autobusi ynë dhe u larguam për në Elbasan. Atë takim e kujtoj edhe për faktin se goli i Genc Tomorrit prishi rekordin e Gogunjës. Por, pak rëndësi ka, pasi me 37 pikë ishim kampionë, një javë para përfundimit. Si të tillë u kthyem në Elbasan atë mbrëmje. Kishim sjell titullin, trofeun e parë kombëtar për qytetin, historinë e klubit.

Nga shefi i klubit tek sekretari i parë, të gjithë tifo për ju. Çfarë kujtoni?

Ka qenë Kujtim Bishqemi shef i klubit. Një ish-atletet i njohur, njeri i jashtëzakonshëm, që gjente fonde, mundësi, për të na nxitur të gjithë ne. Siguronte shpërblime që nuk ishte e lehtë për kohën. Një qytet punonte dhe jetonte për ne. Deri edhe tek shkodrani Qemal Dymylja, që ishte sekretari i parë i rrethit. Kur kemi mundur 1-0 Vllazninë, u fut në dhomën e zhveshjes duke festuar me ne.

56e1c087-f49c-4d7e-a6e7-d46758e7fb65

Po të tjerët me kontribut në atë klub dhe atë trofe si i mbani mend…

Kujtoj me shumë kënaqësi, respekt, punëtorin e fushës, Faj Ibërshimi, këpucarin e paharruar Mustafa Hoxhollin, që rrinte gjithë ditën me këpucët tona në dorë, apo Rremë magazinierin. Si dhe radiokronistin Sefedin Allka. I jashtëzakonshëm. Bashkë me Ahmet Shqarrin, që nuk e fshihte entuziasmin e tij në komentet dhe intervistat në radio, si dhe Vladimir Grillon, që transmetonte ndeshjet tona në televizion, ku na shihte e gjithë Shqipëria.

Si funksiononte, ishit të angazhuar në punë shteti apo vetëm merreshit me futboll?

Lojtarët ishin të gjithë të punësuar. Dikush figuronte në një ndërmarrje, shkollë, por duke u paraqitur vetëm një herë në javë aty. Duke marrë rroga mujore nga 7, 8, 9 mijë lekë, që për kohën ishin sasi e konsiderueshme financiare. Por, edhe shpërblimet në klub, që jepeshin sipas vlerave, të ndara në lojtarët cilësorë dhe kontributin.

Të gjithë ishin në ndjekje të Elbasanit, edhe me mjete rrethanore unikale për kohën…

E tillë ka qenë. Një tifozeri e madhe në mbështetje të skuadrës, në stërvitje dhe ndeshje. Në qytetet afër as nuk diskutohej, vinin me biçikleta. Kujtoj me Partizanin në Tiranë, kur përfundoi ndeshja ne i hipëm autobusit, ata pas nesh me qindra vetë me biçikleta, të gjithë në ngjitje të Kërrabës. Ishte një tmerr.

Kapeshin njëri me tjetrin dhe pas autobusit, që ecte ngadalë për t’i ndihmuar, duke i tërhequr, deri sa dolëm lart. Në Elbasan, edhe pemët përreth stadiumit mbusheshin me tifozë. Në kohë portokallesh, fusha mbulohej prej tyre, ndërsa në ditën e verës, flas për sezonin kur dolëm kampion, fusha ishte plot me ballokume.

Besa e Kavajës ka qenë një makth për ju?

Për shumë arsye e rikthej edhe atë takim. Me Besën, tradita nuk ishte në krahun tonë, sepse Besa fitonte me ne. Dhe ky fakt ishte problem para takimit. Ka qenë tri javë para fundit. Kujtoj arbitrin Hiqmet Kuka dhe Besa që kishte lojtarë me një grup të mirë si Bajaziti dhe Shtini.

Dhe si u zhvillua loja?

E kemi dominuar krejtësisht. E gjithë ndeshja u luaj në një portë, por mbrojtja e tyre u bë barrierë, nuk çaheshin. Me Shkurtin, portierin që më kujtonte Tomashevskin e Polonisë, që frenoi në “Uembli” Anglinë, duke e eliminuar nga botërori. Goli i Lleshit ishte spektakolar, teksa kërceu bukur me kokë. Entuziasmi ka qenë i jashtëzakonshëm, pasi goli u shënua në fund, kur i kishim humbur shpresat.

Vijmë tek Luftëtari i Hito Hitajt, Brahos, Bonit, Kallucit e Seitit, që shkaktoi një dramë për ju në ditën e festës së titullit…

Me Luftëtarin ishte një ndeshje që kishterëndësi jetike për gjirokastritët sa i përket qëndrimit në kategori. Edhe pak rastësi, por nëse kërkojmë të gjej arsye, pse u humb aq thellë, kur ne në atë fazë kishim pësuar vetëm katër gola dhe tre brenda një ndeshje i morëm nga Luftëtari, është pikërisht fakti që kundërshtari ishte i mobilizuar në maksimum.

Luftëtarin e shpëtonte një fitore dhe na mundi. Goli i Bonit ishte rreth 30 metra larg, topi përplaset në tokë, në një plis dhe devijon nga duart e Gogunjës. Luftëtari kishte një sulm të shpejtë me Kallucin, Seitin dhe Brahon, të mbështetur nga Boni, me një trajner të aftë si Hito Hitaj. Edhe pse humbëm, u zhvillua ceremonia, pati festë në stadium, por për popullin mbeti një zhgënjim, një rezultat që e zbehu pak imazhin e titullit.

Porta në atë sezon u mbrojt nga një rekordmen si Gogunja…

Bujari Gogunja, që fatkeqësisht nuk jeton, “macja e zezë”, kështu e thërrisnim. Rekordi i tij prej 1039 minuta erdhi jo vetëm nga aftësitë e tij, shumë i shkathët, inteligjent, me një intuitë për të paraprirë çdo situatë të vështirë, por i ndihmuar edhe nga mesfusha e fuqishme, mbrojtja shtatlartë e jona, me lojtarë mbi 180 centimetra, që krijonim një digë edhe për Bujarin. Pësonim pak gola, ndonëse jemi përballur si të barabartë me kundërshtarë si Minga, Kola, Bubeqi etj.

Sa ka shërbyer një vërshëllimë, vendim i gabuar apo jo për atë titull?

E keni fjalën për arbitrat, që edhe sot i kujtoj. I takoj me shumë konsideratë, vlerësim. Ne ishim një skuadër korrekte, patëm krijuar marrëdhënie të mira, i respektonim në fushë, kurrë nuk krijonim probleme. Plarent Kotherja, Dhori Prifti, Arsen Hoxha, Lulzim Konçi, Namik Jareci, Hiqmet Kuka, Ben Bukoviku, Virgjil Konomi, Astrit Canin, Tef Prela, Tahir Kastrati, Ylli Kruja, Besnik Kaimi etj.

Frederik Jorgaqi dhe Dashamir Stringa, dy emra me shumë histori në trajningun elbasanas…?

Trajnerët ishin pjesë absolute e atij suksesi. Të jashtëzakonshëm. Me ta u krijua një komunikim tejet njerëzor, profesional, veçanërisht në dhomat e zhveshjes, analizave, mënyrën si e përgatisnin ndeshjen, në pushim, raportet e lojtarëve të formacionit me rezervat. Një harmoni totale. Po kështu edhe në stërvitje. Jorgaqi shumë i sjellshëm, i edukuar, bashkë me Stringën, rrallë mund të kombinohet një dyshe e tillë në drejtim. Kanë një kontribut të madh në atë titull. Krijuan një ansambël, filozofi, strategji, taktikë loje të përshtatshme me karakteristikat individuale të lojtarëve. Sidomos në aspektin fizik.

E konsideroni rastësi apo surprizë atë Labinot të 1984-ës?

Jo nuk ishte e tillë. Sigurisht një moment që u bashkuan, grupi me lojtarë të rinj, afërsisht të një moshe, të talentuar, me dëshirë dhe ego. Bashkë me to trajnerët, tifozëria, u krijuan rrethana të favorshme për të qenë pretendentë dhe sulmuar e konkurruar për trofeun. Kjo erdhi nga ndeshja në ndeshje.

Labinoti ishte i fortë në çdo repart?

Një skuadër e fortë në tri reparte, veçanërisht mbrojtja dhe mesfusha. U konsolidua më shumë në fazën e dytë. Një pikë e fortë e jona ishte se qëndronte në faktin se Labinoti ishte i fortë në transfertë, ku kemi marrë mjaft pikë dhe kemi keni pësuar pak gola. Një element determinant në atë sezon ishte se shënonin të gjithë. Nga Bega te Mitrollari, Popa, Lleshi, Mustafaraj, Tafani, Luniku, Asllani, Agalliu, Branica. Pra, gati gjysma e ekipit.

Si u festua ai trofe?

Sigurisht që entuziazmi vazhdoi për disa ditë në qytet. Për ne futbollistët nuk pati shpërblime të veçanta, flas financiare, por u organizua një darkë festive.

Debutuat më pas në Kupën e Kampioneve, ku pati rezultat të njëjtë në të dyja përballjet…

Me danezët e Lyngbyt ishte ndeshja e parë ndërkombëtare në Kupën e Kampioneve për klubin, qytetin, tifozërinë, njëkohësisht për shumë lojtarë, që ishin pa eksperiencë. Dhe më kryesorja ishte se nuk morëm lojtarë të tjerë, përforcim, siç veprohej.

U vendos që të luhej vetëm me futbollistët e grupit që fituan titullin. Nga të cilët vetëm unë, Lleshi, Gogunja, Popa, kishim diçka më shumë eksperiencë në të tilla takime. Në të dyja këto sfida, sigurisht që raportet nuk ishin të barabarta, kur ata kishin 2-3 lojtarë të kombëtares daneze. Atje kemi humbur 2-3 raste të pastra shënimi.

Për të ardhur te sezoni i ri, 1984-1985, ku për herë të parë e filloni si kampionët në fuqi…?

Sezoni 1984-1985 e nisëm me një humbje të thellë me 17 Nëntorin. Pastaj Spartakiada ku zumë vendin e dytë. Por, ai sezon në vijim pati probleme. Ferdinand Lleshi u dëmtua rëndë, nuk e mbylli sezonin, madje edhe u largua më pas nga futbolli. Po kështu Gogunja, që për një çështje banale familjare të lidhur me vëllain e tij, e hoqën nga skuadra. Luajti me Pogradecin dhe më pas në Berat.

Ruani ndonjë kujtim nga ai sezon, ato ndeshje?

Asgjë, pasi në përfundim të takimit me Luftëtarin na i morën tifozët. Vetëm një fanellë kam, që ka mundur të rezistojë, edhe pak foto, pasi nga albumet mi kanë marrë dhe nuk mi kanë kthyer. Nga ai brez nuk jetojnë trajneri Fred Jorgaqi, Bujar Gogunja dhe Kastriot Rama, të cilët janë ndarë nga jeta në moshë të re. Të tjerët, ndodhen të shpërndarë, në Itali, Francë, Gjermani deri në Amerikë, dikush në Elbasan. Takohemi vetëm kur ata kthehen.

Në një rikthim jo të këndshëm, çfarë ishte ai rezultat me Luftëtarin?

Dua ti referohem një momenti, që më ka emocionuar shumë. Pak ditë më parë, i ndodhur në “Elbasan Arena”, në përballjen me Bylisin, kur rezultati ishte 1-2, një grua, afër të 70-tave, mu afrua e më thotë: “Luan, se mos të na ndodhi si me Luftëtarin, mos na përsëritet historia e 40-viteve më parë?”. Ajo kishte qenë në stadium, atë ditë, në atë ndeshje, që ishte e fundit në Elbasan, para tifozërisë tonë, e njëjtë si kjo me Bylisin.

Një situatë analoge, në të njëjtin muaj, stadium, por shumë larg në vite…

Po e vërtetë, por me një mbyllje krejt ndryshe; 0-3 humbje në atë fund maji të 84-ës, dhe 3-2 fitore në majin e 2024-ës, kur pjesa e parë ishte 2-1 për Bylisin. Sidoqoftë në të dyja rastet, pavarësisht nga rezultati, ne ishim përgatitur të merrnim titullin.

Shoh që në Elbasan, veçanërisht në këtë edicion, që siguruam daljen në Superiore, ka reagim, kthim të interesimit, tifozërisë, kur në ndeshjen me Bylisin pashë më shumë se 5000 vetë në një stadium, tashmë edhe modern.

Në sezonin 2005-2006 u fitua titulli i dytë për klubin…

Edhe ai ishte një titull i përjetuar nga të gjithë ne, i mrekullueshëm, sigurisht në të tjera rrethana, tjetër kohë dhe me emrin FK Elbasani. Por, që çdo trofe ka vlerë për historinë e klubit, skuadrën, lojtarët, tifozët, qytetin. Mbi të gjitha për kontributin e dhënë nga Arben Laze, presidenti i paharruar i asaj skuadre.

LABINOTI

Është menduar në Elbasan të kujtohet 1984?

Mirë do të ishte, një nder, vlerësim për sportistët, tifozerinë e asaj kohe. I takon klubit, bashkisë ta organizojë. Elbasani them do ta priste me kënaqësi, si një rast i mirë për të festuar njëkohësisht, edhe si një takim simbolik i brezave. Edhe kupa që morëm, nuk e di ku ndodhet tani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"