KUR AFROHET “GJERMANIA 2024”/ Shqipëria: 375 ndeshje dhe 60 vjet në Kampionatin e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2023 | 12:55

KUR AFROHET “GJERMANIA 2024”/ Shqipëria: 375 ndeshje dhe 60 vjet në Kampionatin e Europës

NGA BESNIK DIZDARI
Pikërisht në ditët kur me ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, po bëhemi gati të kualifikohemi për herë të dytë në finalet e një Kampionati Europian, kemi mbërritur në 60 vjetorin e pjesëmarrjes së parë të Shqipërisë në ndeshjet kualifikuese për EURO dhe BOTERORIN. Në vetë aventurën që ka pasur ky fillim, atë mund ta pranojmë po aq sa si një 60 vjetor (1963), por po aq dhe si një 41 vjetor (1962).

Shqipëri-Danimarkë 1-0, 30 tetor, 1963

Shqipëri-Danimarkë 1-0, 30 tetor, 1963

Ndërkohë, teksa ky vit po i afrohet fundit të tij, pra, me thuajse kualifikimin e Shqipërisë për herë të dytë në finalet e Kampionatit Europian, këtë GJERMANIA 2024, ndodhemi në tre përvjetorë të mëdhenj. Është 110 vjetori i ndeshjes së parë të futbollit në Shqipëri (1913). Eshtë 60 vjetori i pjesëmarrjes së për herë të parë të Shqipërisë në kualifikimet eurobotërore që patën nisur pra, me pjesëmarrjen në Kampionatin Ëuropian, atë që me zhargonin e sotëm të emërtimeve na duhet t’i themi “SPANJA 1964”. Ndërkohë. është edhe 40 vjetori i arritjes më të madhe të një Kombëtareje të futbollit të Shqipërisë që është kualifikimi i saj në 8 skuadrat më të mira të Europës, atë NEN 21, në vitin 1983.

Do t’i marrim hap mbas hapi, duke filluar me 60 vjetorin e pjesëmarrjes së parë të Shqipërisë në Kampionatin Europian, pikërisht për të konfirmuar edhe vetë numrin e saktë të ndeshjeve tërësore të Kombëtares së Shqipërisë. Kësisoji, edhe ngaqë ditët e fundit, kemi pasur një bisedim disi të shpejtë me zëvendëskryeredaktorin e gazetës “Panorama Sport”, Jorgis Memo, duke u përpjekur për të rënë në një mendje se sa ndeshje ka zhvilluar Kombëtarja e Shqipërisë…

1.
Nga ana ime, këmbëngul se ajo ka zhvilluar 375 ndeshje. Kjo do të thotë se fitorja 2-0 e miqësores me Bullgarinë qenka një ndeshje, siç thuhet, e plotë, pra e shifrës “375”, çka vetvetiu po na pëlqen ta quajmë jubilare edhe këtë.

Janë 375 ndeshje në të gjitha llojet e ndeshjeve: miqësore, turne të ndryshëm, të Ballkanit e ndonjë tjetër, Kampionate të Europës e të Botës si dhe të asaj të kohëve të fundit që quhet Liga e Europës. Një veprimtari krejt komerciale, me fitime të sigurta sidomos prej transmetimeve televizive. Ka hyrë si pykë në ndeshjet kombëtarase të shteteve, duke mpakur vlerat e ndeshjeve miqësore, në fund të fundit plot vlera edhe në fushën gjeopolitike të marrëdhënieve sa më paqësore midis kombeve. Temë e gjerë kjo, për një herë tjetër…

Kam shkruar jo pak rreth saktësisë së numrit të ndeshjeve të Kombëtares. Qysh në librin e parë “Historia e Kombëtares” (1993) në të cilin për herë të parë në jetën e historisë së futbollit shqiptar përmblidhej edhe historia statistikore e ndeshjeve të Kombëtares. Kam vazhduar me librin edhe më të plotë, atë me titullin “Libri i Kombëtares” (2001), për t’u ndalë te tre libra të tjerë: “Kupa e Europës II, “Kupa e Botës dhe Shqipëria” ku përmblidhen skedat me formacionet e plota të të gjitha ndeshjeve. Për të mbërritur te libri më i fundit “Shqipëria Europiane e Gianni De Biasi-t” ku renditen pa përbërjet e formacioneve, 338 ndeshje të Kombëtares deri në vitin 2019. Ndërkaq, shtojmë 37 ndeshjet e zhvilluara në vitet 2020- 23 dhe mbërrijmë te shifra jubilare e 375 ndeshjeve. Mund të them se edhe Shqipëria e ka sistemuar historinë e ndeshjeve të Kombëtares së saj, edhe përmes këtyre botimeve që u servirën të gatshme pasionantëve të futbollit, historianëve të rinj të tij, pjesëmarrësve të futbollit, po dhe futbolldashësve në tërësi, e pse jo, edhe studentëve të edukimit fizik.

Patjetër edhe plagjiatorëve, të cilët kurrë nuk mungojnë në kësi rastesh. E edhe kjo është normale.

Dhe qëndrojmë te historia, te gabimet e te “zbulimet. Në librin “Historia e Kombëtares” më mungojnë dy ndeshje të saj. Mungesë që përsëritet edhe te “Libri “i Kombëtares” (2001). Më në fund kam shtuar 1 ndeshje te libri “Kupa e Europës “ (2008) në kapitullin – almanak të herës së parë: “Shqipëria në Kampionatet Europiane (1964- 2008)”. Është ndeshja Shqipëria – Greqia 3-0 e dhënë me vendim të UEFA-s. Dhe prap gjithçka mbeti me kaq për t’u rregulluar te libri “”Shqipëria Europiane e Gianni De Biasit”, ku shtohet edhe ndeshja tjetër me Greqinë e dhënë gjithashtu me vendim 3-0 për Shqipërinë.

Këtu vjen e plotësohet historia sot, në prag të kualifikimit për në finalet e Kampionatit Europian “GJERMANIA 2024”.

E pra, përse ka ndodhur për kaq e kaq vite mungesa e këtyre dy ndeshjeve? Ka ndodhur ngaqë ndonëse të gjithë e kemi ditur se Shqipëria u kualifikua për në 16-she të Europës 1964 ngaqë Greqia nuk pranoi të ndeshet me te. Ndonëse, ne nuk e kemi ditur se UEFA ka fiksuar të dy ndeshjet si fitore 3-0 për Shqipërinë.

Ja çka kam shkruar te libri “Historia e Kombëtares” (1993):

“… Është pikërisht qershor, ditët 2 e 16 qershor të tij (1963). Në fakt kish lindur Kombëtarja shqiptare e viteve ’60, e për fat kish bërë një lindje të vështirë! Kish hyrë në 16 më të mirat e Europës pasi kish eliminuar me aforfe Greqinë e cila me absurdin e saj të gjendjes së luftës, nuk kish pranuar të luante me Shqipërinë.”…”.

Vetëm kaq. Megjithatë, pa vënë kështu në Almanakun shtojcë të librit dy rezultatet 3-0 Shqipëria – Greqia të dhëna me vendim.

Kur te libri i parë “Kupa e Europës (1996), kisha shënuar vetëm kaq:

“Shqipëria – Greqia – Tërhiqet Greqia”.

Pa vënë asnjë rezultat të dy ndeshjeve. Edhe më e papranueshme është kur vijmë te “Libri i Kombëtares” (2001), i cili sot gjendet vetëm në biblioteka, ku as në faqet e tregimit historik, as në historinë statistikore të të gjitha ndeshjeve – madje kjo për herë të parë më e plotë se kurrnjiherë – për çudi nuk i kam përmendur ndeshjet e paluajtura Shqipëria – Greqia, por të fituara me vendim. E pafalshme! Dhe më në fund ja çka kam shkruar te libri “Kupa e Europës” (2008):

“… Këto dit kam konfirmuar një fakt historik që më ka “munduar” prej vitesh. Më 31 mars 1963 Shqipëria duhej të zhvillonte ndeshjen e saj të parë për një Kampionat Evropian. Shorti i blatoi Greqinë, asokohe “armike”, e cila nuk pranoi të ndeshej me Shqipërinë. Dhe Shqipëria kalon në turin e dytë ku matet me Danimarkën, duke u përuruar me një 4-0 të pamëshirshëm në Kopenhagen, veçse duke vazhduar me fitoren 1-0 në Tiranë. Histori e njohur, por ja që vetëm këto ditë munda ta pranoj nga dokumentet zyrtare se atë 1963, Shqipërisë i është dhënë fitorja 3-0 me Greqinë. Dhe ne të gjithë e dimë se fitoret në tryezë njihen si rezultate të vërteta. Detyrohem të bëj ndreqjen mbas plot 40 vjetëve. Kështu, Shqipëria e paska nisur Kupën e Kombeve me një fitore “zyrtare”, 3-0 ndaj Greqisë. Rezultati gjendet i shkruar në “The History of the European Football Championship” të UEFA s. Dhe sot po fiksoj se ndeshja e Shqipërisë në “Loro Boriçi” kundër Rusisë për Evropianin, 3-1, del të jetë jubilare: e 55 ta…”.

2.
Pasaktësinë e vulosja në Almanakun e historisë statistikore të Shqipërisë në Kampionatet Europiane, vendosur në fund të librit, duke shkruar kështu:

31.03.1963.Tiranë. * KE (EC) 1964
SHQIPERIA – GREQIA 3-0
(Rezultat me vendim të UEFA-s për mospranim të Greqisë për t’u ndeshur me Shqipërinë për shkak të ligji të luftës që mbante ende në fuqi Greqia).

Them pasaktësi sepse as këtu nuk isha krejt i saktë. Vërtet që kisha “zbuluar” këte fitore 3-0, madje duke botuar në këtë libër edhe pamjen e saktë të faqes së UEFA-s të fotografuar, por pa e ditur se kishte edhe një 3-0 të dytë, po fitore e Shqipërisë Përfundimisht gjithçka do të rregullohej në librin “Kupa e Botës dhe Shqipëria” (2015) ku në kapitullin e Almanakut statistikor të Kombëtares janë vënë dy fitoret 3- 0 me Greqinë. Çka do t’ua vija vulën në librin e fundit, atë “SHQIPËRIA EUROPIANE e Gianni De Biasi-t” (2020) ku janë vënë përsëri të dy fitoret Shqipëria – Greqia 3-0 e 3-0. Ndeshje këto të cilat janë fituar pra me vendimin e UEFA-s 3-0 nga Shqipëria. Ashtu siç i fitua me vendimin e UEFA-s po 3-0 ndeshja e Beogradit, e famshmja Serbia – Shqipëria e 14 tetorit 2013, për arsye që tashmâ dihen…

Kështu pra, përfshirja e këtyre dy ndeshjeve e çon në 375 numrin e të gjitha ndeshjeve të Kombëtares së Shqipërisë. Kjo mbasi mbërrita plot “mundime”, për çudi disa vjeçare, në “zbulimet” e dy ndeshjeve, që nuk i “dinim” për bukur nja 50 vjet.

E vërteta është se trajtimin më të gjerë të këtij debutimi, kur Shqipëria në kualifikimet euro-botërore, në mënyrën më të habitshme kishte hyrë midis 16 skuadrave më të mira të Kampionatit Europian, duke zhvilluar në fushën e blertë vetëm dy ndeshje, 1 fitore dhe 1 humbje – pa mbetur të hynte në 8 më të mirat e Europës, thjesht për punë golaverazhi – e kam përshkruar më gjerësisht përmes tregimit historik pikërisht në librin e fundit “SHQIPERIA EUROPIANE e Gianni De Biasi-t” (2020). Duke perifrazuar, siç e kam përshkruar aty, kjo ishte një ngjarje krejt e çuditshme, thjesht ngaqë për herë të parë për ndeshjet eurobotërore, Shqipëria kishte marrë pjesë në Kampionatin e dytë të Europës, atë të vitit 1964. Dhe kishte qenë një fillim me fitore dhe madje me kualifikim. Por që unë kisha mbetur vetëm te “zbulimi” i pjesshëm te dokumenti zyrtar i UEFA-s, që e keni këtu të ribotuar teksa thoshte saktësisht kështu: “Shqipëria – Greqia 3-0, 31 mars 1963. Stadiumi Qemal Stafa – Tiranë”. Ose me gjuhën e UEFA-s:

“Preliminary Round – 31 March 1963: ALBANIA – GREECE 3-0. “Qemal Stafa – Tirana”.

Kjo është ndeshja e dytë, pra ajo e kthimit në Tiranë. Po dokumenti për ndeshjen e parë, ose dokumenti që vërteton se janë dhënë jo një, por dy ndeshje 3-0 për Shqipëria, ku ndodhej?

Disi papritmas gjithçka të duket si një “ironi e fatit”, ndonëse assesi nuk është fjala për ironi, por për një kulm serioziteti. E quaj “ironi e fatit” se e kam kërkuar tash sa vjet dhe e gjeta vetëm javën që shkoi te arkivi i UEFA-s. Eshtë fantastike, e dhënë në një “tabllo” me ngjyrë të kuqe. E keni edhe këte bashkangjitur këtij shkrimi. Lexojeni:

“1964 Qemal Stafa Stadium – Tirana Preliminary round, 2nd leg
Agg: 6-0 Albania win
ALBANIA – GREECE
Match cancelled”.

fdgfg

Kjo skedë që siç e shihni, bashkon në rezultatin 6-0 (3-0 e 3-0) të dyja ndeshjet, ndonëse nuk janë luajtur, të duken sikur janë stërluajtur. I tillë është ai që quhet rishkrimi i historisë. Çka realizohet vetëm përmes kërkimeve të vazhdueshme, seriozitetit, hulumtimit, verifikimit, mbështetjes në dokument.

Ajo ka qenë një aventurë e rrallë sa sportive, më shumë politike, por me fundin sportiv, megjithatë: Greqia – Shqipëria 6-0 (3-0 e 3-0).

Ka ndodhur më 1962 që për fat lidhet edhe me fillimet e mia në gazetari. Episodi i parë është ai që më kujton se më 3 nëntor 1962, pra plot 61 vjet më parë, kam botuar shkrimin tim të parë në shtypin shqiptar. Është një shkrim për atletikën e lehtë me bashkëautor shokun tim të çmueshëm, të gjimnazit e të fakultetit, Hamza Kastratin, – kohë kur ishim studentë këtu në Tiranë. Mbështetësi i botimit i këtij shkrimi ishte gazetari dhe radiokronisti ynë i madh, Ismet Bellova, asokohe redaktor i gazetës “Sporti Popullor”. Episodi i dytë është ky tjetri, krejt intim. Ndërsa trokita dhe hyra në zyrën e redaksisë së “Sportit Popullor”, u emocionova kur gjeta të ulur disi në anë Anton Mazrrekun, i cili mbasi më hodhi vështrimin e tij dashamirës, pa më njohur aspak, me buzagaz mu drejtua duke më pyetur: “Centërfor apo centërbeg?”. Me sa duket ashtu i ri siç isha, po më mendonte apo po bënte sikur po më mendonte, se jam një futbollist. Unë disi me drojë, i emocionuar iu përgjigja: “As centërfor as centërbeg, por kam qejf me shkrue”. “Shumë bukur!”, tha Mazrreku.

U largova disi shpejt. As Mazrreku i madh dhe as unë, studenti i vitit 1962, që “kisha dëshirë me shkrue”, nuk mund të parashikonim se, mbas nja përtej 30 vjetëve, unë do të emërohesha kryeredaktor i kësaj gazete që kishte themeluar Mbretëria e Zogut I, me Mazrrekun e shokët e tij qysh më 1935. A po që mbas nja 35 vjetëve së bashku me mikun tim të paharrueshëm Tonin Paloka dhe të mbështetur nga “Cavaliere del Lavoro della Repubblica Italiana”, industrialistin e famshëm Silvano Pedrollo, do të themelonim Çmimin “Anton Mazrreku” në gazetari.

Kaq për këtë kujtim të jetës së profesionit, çka për çudi po më përkon me aventurën e 60 vjetorit të pjesëmarrjes së parë të Shqipërisë në Kampionatin Europian e ate Botëror…

3.
E tash, duke iu kthyer të imtave të asaj ngjarjeje Greqi – Shqipëri, politika nuk më ndahet. Eshtë vërtet e çuditshme se si ndodhi që Shqipëria komuniste e cila nuk e donte aspak Greqinë, po aq sa dhe kjo Shqipërinë, në këtë 1962 thuajse po i lutej asaj t’i zhvillonte ndeshjet me te.

Ka qenë janar 1962, ditë kur shtypi shqiptar njoftonte se Shqipëria do të merrte pjesë për herë të parë në Kampionatin Europian të futbollit. Dhe shorti kapriçoz që si “për inat” krijon duelin Greqia – Shqipëria! Dhe më 3 shkurt, po 1962, Shqipëria ka “guximin” t’i propozojë Federatës Greke të Futbollit që ndeshjet të luheshin më 21 tetor 1962 në Athinë dhe më 2 dhjetor 1962 në Tiranë. Gjithçka ishte një farsë diplomatike.

Mbërrin dhjetori ‘62 dhe në Tiranë zhvillohet një ndeshje midis Kombëtareve A dhe B. Është e diel e 16 dhjetorit 1962. Ne, studentë të rinj kur sapo kishim filluar të shkruanim, pra, jemi në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, në një ditë të vranët, midis mijëra shikuesve, nja tri herë më shumë se sa çfarë ka një ndeshje e Kampionatit të sotëm të Shqipërisë, ky 2023-24. Është 3-2 për Kombëtaren A përballë asaj B. Them se kjo skedë e këtyre dy njëmbëdhjetëshave, merr një rëndësi të rrallë historie, sepse na tregon se cilët ishin lojtarët më të mirë të Shqipërisë në fillim të viteve ’60 të shekullit të shkuar:

KOMBETARJA A: Topi, Deliallisi, Frashëri, Halluni, Bukoviku, Shllaku, Kraja, S.Jareci, Bushati, Pano, Ishka.
KOMBETARJA B: Janku, Kasmi, T.Vaso, Daiu, Lilamani, A.Mema, Vorfi, Zaho, Gogoni, Ibërshimi, A.Verria.

Sidoqoftë, ec e gjeje se cilët prej tyre do të mund të kishin fatin të luanin dy ndeshjet me Greqinë. Mbërrijmë te 12 janari 1963 dhe një shkrim me titullin “Kush do të dalë në gjysmëfinalet e Kupës së Europës midis kombeve”, shtypi (“Sporti Popullor”) shpërthen në këto rreshta për “antologjinë” e ideologjisë së nacionalkomunizmit, siç e kam përcaktuar në libër, që po e ribotoj edhe këtu:

“Kupën e Evropës midis kombeve, – shkruhet, – po e ndjekin me interesim të madh edhe sportdashësit tonë. Ata, megjithëse nuk patën rastin të shohin ndeshje në turin e parë për shkak të qëndrimit armiqësor të qarqeve reaksionare greke ndaj vendit tonë, po presin me ankth shortin e turit të dytë. Kjo jo vetëm sepse do të kenë rastin të shohin përfaqësuesen tonë për herë të parë në një aksion të tillë të madh, por edhe sepse kombëtares sonë do t’i takojë të ndeshet me një nga 15 ekipet më të forta të Evropës. Në të njëjtën kohë ata janë të preokupuar si do të jetë përbërja e kombëtares sonë, si po përgatitet për këtë betejë të madhe, me ç’sistem loje do të hyjë ajo në fushë si dhe shumë probleme të tjera të cilat duhet të preokupojnë seriozisht në radhë të parë Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kolegjiumin e trajnerëve pranë saj, të cilëve u është besuar stërvitja e ekipit, dhe vetë futbollistët pretendentë, që duhet të vihen në garë midis tyre për të zënë vend në 11-shin që do të veshi kostumin kuq e zi për të mbrojtur denjësisht ngjyrat e Republikës sonë Popullore”.

Dhe? Ndeshja e parë është 3-0 “në Athinë” më 21 qershor 1962 dhe ndeshja dytë është 3-0 “në Tiranë” më 31 mars 1963. “Bukur”! Me një “të keqe” të madhe: nuk janë luajtur kurrnjiherë!

Dhe buja në fjalë tejet lakonike: “Shqipëria kualifikohet për turin e dytë të Kupës së Europës, midis skuadrave kombëtare për shkak të refuzimit të Greqisë për t’u ndeshur me Shqipërinë”!

Me dy fitore tryeze Shqipëria hynte në 16-she të Europës që sot e kësaj dite përbën përfshirjen më të lartë të Kombëtares Shqiptare në kualifikimet e gjithë historisë së saj modeste. Ajo ishte një nga 16 skuadrat më të mira të Europës pa luajtur asnjë minutë!

Dhe me rezultate “konkrete” 3- 0, ndonëse jo me futboll të luajtur, por me futboll vendimesh zyrtare. Ajo ishte një ndeshje dramatike me mosluajtjen e saj në terrenin e blertë. Dramatike me vendimin e UEFA-s. Dramatike për një histori “lufte”. Dramatike në kahun prishës të saj. Një prishje në vazhdimësi. Tirana e 31 marsit 1963 e paluajtur 3-0 ashtu si po 3-0 e Athinës, po për Shqipërinë!

E, këtu, prapë më hyn në mes retrospektiva, tash ajo e jetës së gazetarit, fort çmueshme, gjithsesi. Më saktë çudia e madhe kur 38 vjet më parë, më 27 shkurt 1985, kam pasur rastin të ndodhem në tribunën e shtypit të Stadiumit Olimpik të Athinës për ndeshjen Shqipëria – Greqia për Kupën e Botës. Kësisoji, duke u pasur fatin të jem i pari gazetar në historinë e Shqipërisë i pranishëm për ndeshjen e parë të Kombëtares në tokën greke. Për përkim ka qenë humbje 2-0, ndeshje jo e mirë e Kombëtares. Ndërkohë, edhe asokohe, në atë 27 shkurt ’85, kemi pasur një stadium tepër armiqësor, i cili për 90 minuta sulmoi deri dhe politikisht Shqipërinë Komuniste. Përkundër një pritje shembullore të Federatës Greke të Futbollit – e nuk kishte veçse pak kohë që Shqipëria e Greqia kishin lidhur marrëdhëniet diplomatike mbas 45 vjetëve lufte të shpallur e të pashpallur. Teksa do të ndodheshim edhe përballë një grevë urie të arratisurit politik shqiptar Ilia Leka, para Ambasadës së Shqipërisë në Athinë, me të cilin me buzagaz e kujtonim këtë ngjarje kur u takuam më 1991 po në Athinë me rastin e Lojërave Mesdhetare. Edhe këto e shtojnë koloritin e një koreografie politike që në fund të fundit, i përkiste dy botëve, brenda kontekstit të asaj që quhej Lufta e Ftohtë, çka tashmâ qe shuar.

4.
Qëndrojmë te viti 1963 kur krejt papritmas, Shqipëria e shihte veten midis 16 skuadrave “më të forta” të Europës së bashku me BRSS, Austrinë, Bullgarinë, Danimarkën, Irlandën, RDGJ-në, Francën, Italinë, Jugosllavinë, Suedinë, Holandën, Irlandën e Veriut, Spanjën, Hungarinë, Luksemburgun. E, mbrapa saj janë deri superfuqi të tilla si Anglia apo Çekosllovakia e Belgjika. Më vonë me të gjitha këto skuadra, Shqipëria do të ndeshej, e në të gjitha rastet ato do ta eliminonin pa mëshirë atë.

Më 26 mars 1963 në Amsterdam UEFA hedh shortin e 1/8-tave. Lindnin ndeshjet autentike të “fushës së blertë”, Danimarka – Shqipëria 4-0 dhe 0-1 të 29 qershorit dhe 30 tetorit 1963.

Në ndeshjen e kthimit Shqipëria fiton 1-0 me gol të Panajot Panos, duke regjistruar fitoren e saj të parë “të vërtetë” në fushën e lojës. Kjo është fitorja e parë shqiptare e luajtur drejtpërsëdrejti në fushë për një Kampionat të Europës dhe të Botës. Më e rëndësishme është kjo tjetra: që zyrtarisht në pjesëmarrjen e saj për këto gara, Shqipëria me trajnerë Loro Boriçin (dy “fitoret” me Greqinë, dhe humbje me Danimarkën) dhe Zyber Konçin (një fitore “të vërtetë” me Danimarkën) në 4 ndeshje, ka pra 3 fitore dhe vetëm 1 humbje! Rekord që nuk besoj se do të thyhet ndonjëherë, ndonëse duke shkuar te Shqipëria e sotme 2023, vetëm kjo mund ta përmbysë këtë rekord të vjetër statistikor.

Historinë skeduese të këtyre dy ndeshjeve të para të Shqipërisë për kualifikimet euro-botërore, e kam botuar e pakta në nja tre libra, por po ndalem vetëm te 11-shi i fitores me Danimarkën në Tiranë. Ishte ky:

30.10.1963. Tirana. * KE
SHQIPERIA – DANIMARKA 1-0

GOLAT: Pano 3′.
SHQIPERIA: TOPI / Besa, DELIALLISI / Partizani, HALILI / 17 Nëntori, FRASHERI / Partizani, A.MEMA / 17 Nëntori, SHLLAKU / Partizani, ZAHO / Partizani, BUSHATI / Dinamo, PANO / Partizani, BUKOVIKU / Partizani, E.IBERSHIMI / Labinoti.
Trajner: Z.KONÇI.

Ndeshja përshkruhet disi gjatë në gazetën sportive, përmes shkrimit analitik të Ismet Bellovës e Arshi Sferit ku kritika është kulminante sidomos ndaj Panajot Panos së madh – autorit të golit. Spikasin fotot e fotoreporterit të shquar Enver Shabani, tejet tërheqëse e profesionale, për fat, të botuar disi të vogla. Enver Shabani padyshim është fotoreporteri i një jete e kontributi të pashlyeshëm për gazetarinë sportive. I takoi trajnerit Zyber Konçi të mbetej në histori si njeriu që drejtoi Shqipërinë në fitoren e parë të luajtur drejtpërsëdrejti në fushën e blertë. Ndërsa Boriçi, i cili mbetet në histori me dy fitoret e para ndaj Greqisë (me vendim). Mbas humbjes 4- 0 në Kopenhagen me danezët, do ta pushonin në vend nga drejtimi. Natyrisht pa i shkuar askujt nëpërmend se Boriçi do ta kishte rikthimin e tij të madh me rezultatin e bujshëm Shqipëria – Irlanda e Veriut 1-1 të 24 nëntorit 1965, çka do të shkaktonte eliminimin e saj në të mirë të Zvicrës. Ka qenë një Irlandë e Veriut me në krye George Best të Machester United – ndër më të mirët e botës, ku të gjithë lojtarët e saj i përkisnin Kampionatint të Anglisë, jo të Irlandës së Veriut.

Interesante është se, në mjedisin tonë të asokohe, u tha se Danimarka e fitores sonë 1-0 ishte skuadra B e saj. Nuk ishte vërtetë. Ishin përsëri titullarët e shquar E.L.Sorensen, K.Johansen, J.J.Hansen, B.Hansen, J.Petersen, O.Madsen, O.Sorensen.

Ky është jubileu i ynë i 60 vjetorit të pjesëmarrjes së parë të Shqipërisë përmes “zbulimeve” të të vërtetave të tij Siç kam shkruar te libri “SHQIPERIA EUROPIANE e Gianni De Biasi-t” ajo ka qenë Shqipëria e vitit 1963. Një vit thuajse pa ngjarje i një Shqipërie, do të mund të thoshim, “zyrtarisht” në vitin e izolimit të saj tejet të ashpër, teksa i thoshte lamtumirë edhe marrëdhënieve me pjesën më të përparuar të Europës Komuniste.

Do të kishte megjithatë dy ngjarje fundi i vitit 1963: Shqipërinë në 16 skuadrat më të mira të Europës dhe vizitën e kryeministrit të Republikës së Kinës në Tiranë, Çu En Lai.

Shqipëria e vogël, izolacioniste, kërkonte të krenohej duke hyrë me futbollin në 16-shen e shteteve të Europës si dhe duke i thënë revizionizmit sovjetik hrushovian se gjeta “mikun” e madh, Kinën Popullore të Mao Ce Dunit. Ai ishte një izolim që do të vazhdonte pa ndalë. Për fat, herë mbas here edhe për futbollin. Sot është diçka tjetër. Madje deri me atë që në atë vit 1963 as që mund të mendohej: Shqipëria drejt pjesëmarrjes së dytë në finalet e Kampionatit Europian. Por për “ironi të fatit” edhe në këtë rast ende pa e arritur atë që i dhanë dy ndeshjet 3- 0 e 3-0 të fituara me vendim ndaj Greqisë dhe e çuan në 16 më të mirat e Europës. Çka me folë me gjuhën e klasifikimeve (renditjeve) ende nuk është arritur. Në finalet e 2016-tës, Shqipëria u rendit e 18-ta.

Tjetër mund të ndodhë me Shqipërinë e sotme e cila është një skuadër e mrekullueshme. E pra: drejt e për te GJERMANIA 2024, apo jo?…

* Ribotimi është i rezervuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"