Kreu i FSHM-së, Prizreni: Situata jashtë kontrollit, qëndrimi i Hoxhës i papranueshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2023 | 12:12

Kreu i FSHM-së, Prizreni: Situata jashtë kontrollit, qëndrimi i Hoxhës i papranueshëm

Në lidhje me çështjen e buxhetit ka reaguar gjithashtu edhe presidenti i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni. Ish-kampioni, tashmë në rolin e zyrtarit, i përgjigjet zv.ministrit të MAS, Endrit Hoxha.

sahit-prizreni-e1663772342143

“Situata është jashtë kontrollit dhe fatkeqësisht i ka rënë për pjesë zv.ministrit Hoxha. Por gjithçka është shumë e thjeshtë, zv.ministri ka një detyrë të caktuar, të lobojë, të promovojë dhe të ngrejë lart buxhetin dhe vlerat e sportit”, shprehet fillimisht Prizreni për “Panorama Sport”, ndërsa më tej shton: “Kurrsesi një zv.ministër që përfaqëson direkt sportin, të prononcohet dhe të dalë në një studio televizive dhe të thotë që nëse presidentët janë të pakënaqur të largohen. Është diçka pa sens dhe nuk e di se çfarë ka dashur të thotë me këtë gjë. Nuk e kuptoj se ku ka dashur të dalë me këtë pjesë?! A ka pasur për qëllim një apo dy individë, që kanë kohë të gjatë në federate?! Nuk arrij ta kuptoj. Është e papranueshme për një ministër që duhet të jetë në krah të këtyre presidentëve dhe federatave, sepse janë federatat dhe sportistët që ekziston kjo ministri. Zv.ministri ka një rol, që është promovimi, ngritja dhe lobimi në atë fushë të caktuar. Kurrsesi nuk mund të dalë në oponencë të këtyre njerëzve, që është në shërbim të tyre. Për më tepër, që siç dihet, presidentët e federatave nuk emërohen, por zgjidhen nga komuniteti i tyre. Nëse ka një komunitet që realisht vendos vetë, ai është sporti, të paktën te federata ime”, deklaron Sahit Prizreni.

Kujtojmë se Federata Shqiptare e Mundjes përfitoi 121 milionë lekë të vjetër nga fondi grant 2023, duke u pozicionuar në vend të pestë në listën e federatave më të paguara. Në vitin që lamë pas FSHM-ja ishte më e suksesshmja për sa u përket rezultateve sportive, e vetmja që solli titullin kampion bote në Shqipëri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"