Kesi heroi i katalanasve, Benzema në hije/ Mësoni notat e lojtarëve në sfidën Barcelona-Real Madrid

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2023 | 20:54

Kesi heroi i katalanasve, Benzema në hije/ Mësoni notat e lojtarëve në sfidën Barcelona-Real Madrid

Barcelona ka fituar me përmbysje përballë Real Madrid në mënyrë dramatike, pasi iu desh një gol i Frank Kesi në minutat shtesë të ndeshjes për të siguruar tre pikët. “Panorama Sport” sjell notat e lojtarëve të dyja skuadrave për këtë supersfidë.

BAR-RMA

NOTAT E BARCELONËS

TER SHTEGEN 6 – Tri pritje, asnjë e komplikuar. Dhe është pa gabime në portë.

ARAUHO 5.5 – Fillimi është shokues. Menjëherë një tunel nga Vinicius dhe mbi të gjitha autogoli që i dha epërsinë Realit. Më pas i fitoi të gjitha duelet e tjera, por mbeti nervoz.

KUNDE 6.5 – Ai gjithmonë i ndien qëllimet e kundërshtarëve paraprakisht dhe kështu ka kohë për të bllokuar përpjekjet e “Los Blancos”.

KRISTENSEN 6.5 – Ai shpëton Barçën që në pjesën e parë dhe po ashtu bëhet rreziku numër një për kundërshtarët në goditjet standarde në ndihmë të sulmit, duke iu afruar në dy raste golit.

BALDE 6.5 – Barcelona luan më shumë në krahun e djathtë. Por ai u bë vendimtar në golin e dytë të Kesit, me asistin e tij. Për këtë meriton gjysmë note më shumë.

ROBERTO 7 – Ishte lëvizje surprizë e Ksavit në këtë takim, por që rezultoi mjaft e zgjuar nga tekniku katalanas. I vendosur në mesfushë për të bllokuar madrilenët, ai gjeti kohë dhe për sulmin, duke barazuar shifrat.

Nga 77′ KESI 7.5 – Me të drejtë lojtari i ndeshjes. Ai duhej ta niste titullar, por Ksavi e la në pankinë. Hyri në pjesën e dytë me atë dëshirën e çmendur për t’i vërtetuar trajnerit të tij se e kishte gabim dhe vendos “El Clasico”-n me golin më të rëndësishëm të vitit.

BUSKETS 6.5 – Ai prek një mori topash dhe i administron ato me qetësinë e tij proverbiale. Ai është feneri i mesfushës së Barcelonës.

DE JONG 7 – Ai është dirigjenti i lojës së Barcelonës. Dhe menaxhimi është një tipar që shërben si “bukë” kundër një blloku të ulët si Reali.

RAFINJA 7 – Ai është njeriu që përpiqet të marrë Barcelonën për dore. Nga minuta e 83-të Ferran Torres – pa notë.

LEVANDOVSKI 7 – Reali qëndron poshtë dhe kompakt, prandaj për Levën ka pak hapësira. Një gjysmë note më shumë e merr për nisjen e aksionit që solli golin e fitores.

GAVI 5 – Mikrofonat në anë nuk gënjejnë: “Gavi, bëj diçka!”, i bërtet Ksavi nga pankina në pjesën e dytë, sepse në fakt bën pak dhe humb pasime të shumta.

Nga 90′ ANSU FATI – pa notë.

TRAJNERI KSAVI 6.5 –Barcelona është një skuadër që prodhon lojë, bën presing mirë, driblon shumë dhe mërzit Realin e Madridit. Me pak fjalë, është një ekip 4*4 dhe kjo është demonstruar edhe në “El Clàsico”. Ai ishte gati ta humbte, Kesi e bëri atë ta fitonte me meritë.

NOTAT E REAL MADRIDIT

KURTUA 6 – Një tjetër ndeshje si portieri më i mirë në botë. Një dragua me të vërtetë, sepse mbërrin në çdo top. Nuk mund të bëjë asgjë në golat e pësuar.

KARVAHAL 5.5 – Shfaqet më pak se zakonisht në sulm dhe paraqitja e tij njolloset edhe nga ndonjë gabim në fazën mbrojtëse.

MILITAO 5.5 – Bllokon më shumë se një tentativë dhe më pas tradhtohet nga lodhja fizike dhe gabon në aksionin vendimtar të ndeshjes, atë të golit të Kesit.

RYDIGER 6 – Qofshin krosime të buta apo topa të fortë dhe të ulët, ai i arrin pothuajse të gjitha. Për një pjesë duket gjigant, pastaj zbehet.

NAÇO 6 – Nga ana e tij ka një Rafinja të frymëzuar dhe është më i miri në situatat një kundra një. Herë e fiton, herë e humb. Por përqendrimi nuk ulet kurrë. (Nga 82’ Mendi 5 – Humbja është në ndërgjegjen e tij, duke mos kuptuar që Kesi është pas tij kur vendosi ndeshjen).

MODRIÇ 6.5 – Luan si një lojtar i gjithanshëm, duke përhapur futboll në të gjitha anët e “Camp Nou”-t. Një sekondë e gjeni duke rikuperuar topin para mbrojtjes, sekondën tjetër është pranë zonës së penalltisë së kundërshtarit: ai është lojtari ekstra i Real Madridit (Nga 77’ Asensio, pa notë).

KAMAVINGA 5.5 – Vetëm disa magji, sepse cilësia është e lartë (Nga 76′ Tçuameni, na notë).

KROS 5 – Nëse është mjeshtër me topin, kur nuk e ka sferën dhe duhet të vrapojë mbrapsht, vuan më shumë (Nga 62’ Rodrigo 5.5 – Shihet dhe ndihet se është në stol, por është i pasaktë në njëzet metrat e fundit të fushës, ato që kanë më shumë rëndësi).

VALVERDE 5 – Nuk është në mbrëmjen e tij. Një nga topat e tij tashmë është bërë “meme” në rrjetet sociale. Kur nata është e keqe, thjesht duhet të kalojë. Ançeloti e parashikon përgjumjen e tij duke e thirrur në stol (Nga 77’ Sebajos, pa notë).

BENZEMA 5.5 – Nuk është në gjendjen më të mirë fizike dhe kjo duket. Ndonjëherë duket sikur zhduket nga fusha.

VINICIUS 7 – Kur është i frymëzuar ai bëhet i papërmbajtshëm. Kryen driblime, tunele, rrotullime, devijime. Shkakton autogolin e Arauhos. Sigurisht që është më i miri për skuadrën e tij.

TRAJNERI ANÇELOTI 5.5 – Ai i bëri zëvendësimet e duhura, pavarësisht se e zëvendësoi pothuajse menjëherë mesfushën startuese. Paguan një pakujdesi nga Mendo, përndryshe një pikë do ta kishte sjellë në shtëpi. Por Reali nuk arriti të shfrytëzojë kundërsulmin e vet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"