Kënaqësi dhe trishtim, portieri 20-vjeçar tregon debutimin me Tomorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2024 | 16:52

Kënaqësi dhe trishtim, portieri 20-vjeçar tregon debutimin me Tomorin

Pas një eksperience të shkurtër në sezonin e shkuar në Kategorinë e Parë me Turbinën, portieri beratas Divaldo Zema, ka zhvilluar ndeshjen e parë si titullar me Tomorin. 20-vjeçari ishte në fushë nga minuta e parë ndaj Flamurtarit, por për shumë arsye nuk ia doli që të evitojë humbjen e radhës për Tomorin.

portieri zema i tomorit

Për “Panorama Sport”, portieri Zema ka rrëfyer emocionet e tij në debutim: “Në debutimin tim ndaj Flamurtarit kam përjetuar emocione të dyfishta, jo vetëm përpara, por edhe pas përfundimit të ndeshjes. Këtë ndjesi do ta ndaja midis kënaqësisë dhe trishtimit. Vlerësova besimin e trajnerit Ziu, që më besoi portën si titullar, aq më shumë në një ndeshje të rëndësishme. Ky vlerësim vinte natyrshëm pas punës sistematike që unë zhvilloj në stërvitje.

Kam mbështetjen dhe një stimul të veçantë nga profesor Madrid Muxhaj, që na stërvit ne portierët. Nuk mbetet pas edhe mbështetja që më kanë dhënë shokët e skuadrës duke nisur nga kapiteni. Debutimin tim e prishi humbja, por personalisht kam bërë maksimumin në këtë takim. Krahas vlerësimeve kam marrë edhe sugjerime për t’u përmirësuar më shumë në të ardhmen. Përballë sulmuesve si Shkurtaj, Indio, Batha dhe shumë yjeve të Flamurtarit, çdo skuadër dhe portier do ta kishte vërtetë të vështirë.

Më duhet të punoj edhe më shumë, sepse dua që së bashku me të gjithë shokët e skuadrës t’i shërbejmë Tomorit në fazën e tretë për të shmangur rënien. Kam shumë besim se ashtu si thotë edhe trajneri ynë Febron Ziu, të gjithë së bashku do t’ia dalim të realizojmë objektivin”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"