“Kemi ndryshuar 100%”/ Dovedan, SMS Kukësit: Do të japim gjithçka në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2023 | 9:47

“Kemi ndryshuar 100%”/ Dovedan, SMS Kukësit: Do të japim gjithçka në Kupë

Apolonia i ka mbyllur dje përgatitjet në fushë dhe më pas skuadra fierake është grumbulluar në prag të sfidës me Kukësin, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Veljko Dovedan është optimist para kësaj ndeshjeje, që e cilëson si një provë të mirë para rifillimit të garës. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” trajneri flet për gjendjen e grupit, synimet dhe merkaton.

DOVEDAN

Prej datës 4 janar keni nisur përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit. Si po shkon faza përgatitore dhe si e vlerësoni gjendjen e skuadrës deri tani?

Faza përgatitore e zhvilluar deri tani në Fier ka shkuar mjaft mirë. Jemi duke punuar në kushte mjaft të përshtatshme dhe të gjithë lojtarët po marrin ngarkesën e plotë. Thuajse çdo ditë kemi zhvilluar dy seanca njëra pas tjetrës për të ndryshuar gjithçka në lojën tonë. Jo më kot fundjavën që lamë pas zhvilluam edhe një ndeshje miqësore me Orikun, e cila na shërbeu shumë për të parë gjendjen e vërtetë të skuadrës.

Ndeshjen e parë miqësore me Orikun e fituat minimalisht. I kënaqur me lojën në tërësi dhe me rezultatin minimal në veçanti?

Rezultati nuk ka fare rëndësi, sikur të kishim shënuar edhe dy apo tre gola të tjerë. Ama loja e zhvilluar ka shumë rëndësi dhe të tregohem i sinqertë jam i kënaqur vetëm me pjesën tonë të parë. Në 45 minutat e para bëmë gjithçka në rregull, më saktë treguam dëshirë, grintë dhe karakter, pavarësisht se luanim vetëm një ndeshje miqësore. Ndryshe ishte situata në pjesën e dytë, ku nuk dolëm plotësisht në lojën tonë. Ka dhe gjithmonë do të ketë vend për përmirësim.

Apolonia pëson shumë, keni korrigjuar diçka për këtë pjesë?

Sigurisht që po, sepse ne kur erdhëm ndryshuam shumë gjëra këtu, nisur që nga vetë moduli i lojës. Jemi marrë me detaje qoftë për repartin defensiv, ashtu dhe për repartin ofensiv. Me pak fjalë ndryshuam gjithçka 100% për të dalë në lojën tonë të shumëdëshiruar.

Ndalemi pak te merkatoja, katër largime dhe asnjë afrim deri më tani. A ka ngecur Apolonia?

Nuk dëshiroj të flas për merkaton në këtë moment, qoftë për largimet apo afrimet e mundshme. Vëmendja ime është vetëm te ndeshja e radhës përballë Kukësit, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë.

Si është përgatitur Apolonia për këtë ndeshje Kupe ndaj Kukësit?

Do të hyjmë për të dhënë më të mirën tonë dhe kemi shumë arsye për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje. Kështu që nesër duhet të marrim një rezultat pozitiv, i cili na mban në lojë dhe na shton shpresat për kualifikim në ndeshjen e kthimit në Kukës. Të them të drejtën, kemi qenë thuajse çdo ditë në punë dhe kemi punuar intensivisht me qëllimin e vetëm që të bëjmë më të mirën tonë, në një ndeshje që e parashikoj të fortë.

Pavarësisht ngjeshjes së kalendarit me ndeshje Kupe dhe njëkohësisht kampionati, ju do të synoni gjithçka deri në fund?

Në të vërtetë Kupa dhe kampionati ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, por jo nga synimet që ne kemi. Djemtë e kanë të qartë se edhe në Kupën e Shqipërisë ne kërkojmë që të shkojmë sa më larg dhe ta respektojmë këtë kompeticion. Qofshin ndeshjen Kupe apo kampionati, ne do të hyjmë dhe luftojmë si të barabartë me kundërshtarët për të marrë rezultatin pozitiv në fund.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"