Kavajasit dhe gjirokastritët përballen pas 11 vitesh, Mirani: Luftëtari jo rastësisht në finale, ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2024 | 12:31

Kavajasit dhe gjirokastritët përballen pas 11 vitesh, Mirani: Luftëtari jo rastësisht në finale, ia dalim

Besa dhe Luftëtari do të përballen sot mes tyre në Vlorë, sfidë e vlefshme për sigurimin e një bilete pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë në sezonin 2024-2025. Kavajasit vijnë nga “play out”-i së Parës, ndërsa gjirokastritët pas kalimit me sukses të dy ndeshjeve finale në “play off”-in e Grupit B në Kategorinë e Dytë.

luftetari, mirani

Ky duel mes dy qyteteve me traditë në futbollin shqiptar vjen pas 11 vitesh. Për herë të fundit janë përballur më 17 mars 2013, ku në Kavajë Besa fitoi me rezultat 2-0 ndaj gjirokastritëve. Ishte një ndeshje e vlefshme për javën e 19-të të Superiores, ku kavajasit drejtoheshin nga trajneri Përparim Daiu, ndërsa timonier i bluzinjve ishte Edi Martini.

Luftëtari çaloi në hapat e fundit të sezonit duke i ikur nga duart bileta direkte për ngjitjen në Kategorinë e Parë, sukses të cilin ia rrëmbeu Pogradeci në javën e parafundit në Gjirokastër. Gjithsesi, pas paraqitjes së mirë në dy ndeshjet e “play off”-it, kundër Butrintit dhe Shkumbinit, Luftëtari ka një mundësi shtesë, por shumë të vështirë për ta arritur objektivin. Bluzinjtë e Edmomd Dalipit do përballen sot, në orën 16:00, në stadiumin “Flamurtari” me Besën në finalen fundore të “play off”-it, me objektiv madhor, ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ekipi do të ketë edhe mbështetjen e tifozëve, pasi janë vendosur autobusë për udhëtimin falas drejt Vlorës.

Një sfidë prestigji dhe delikate për të besuarit e trajnerit Edmond Dalipi. Mesfushori Xhulio Mirani është autori i 4 golave dhe i 8 asisteve, më vendimtari prej tyre ai i dhënë për Mërkurin në minutën e 11-të që u dha fitoren 3-0 kundër Shkumbinit. Në lidhje me sfidën ndaj Besës, për “Panorama Sport” Mirani u shpreh: “Nuk jemi rastësisht në finalen e fundit të ‘play off’-it. Kjo është arritje për ne, falë punës dhe impenjimit në stërvitje. Ndaj Besës do japim maksimumin në fushë. Mendoj se është një ndeshje e fortë për të dy ekipet. Jemi të karikuar për takimin dhe besoj se do ia dalim të gjithë bashkë. Faktorët kryesorë jemi ne, lojtarët. Kemi bërë ndeshje shumë të mira në rrugën e gjatë të kampionatit, prandaj dhe do ia dalim”.

TOMOR SHEHU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"