KATEGORIA E TRETË/ AF Elbasani shënon 9 gola për të shkuar +9 pikë, fiton edhe Spartaku (REZULTATET DHE RENDITJA)
AF Elbasani merr arratinë. Kategoria e Dytë po e pret skuadrën e Gentjan Stojkut, që dje koleksionoi fitoren e 9-të radhazi dhe shkon +9 nga rivalët.
Asnjë pikë e lënë rrugës i kthen në pretendentë kryesorë të së Tretës. Ata kanë mposhtur Drinin me shifrat 9-0, pas një loje që nuk kishte shumë histori.
Denis Mici shpërthen me “poker”, teksa Hyshmeri shënon dopietë dhe tre lojtarë të tjerë nga sektori mbrojtës shënojnë nga një gol, Ferhati, Xhelili e Ukaj, që plotësojnë goleadën elbasanase.
Miqtë ngushëllohen me të vetmin rast të minutës së 64-t, kur Klodjan Hasalami me një goditje të fuqishme tronditi portën elbasanase, por për fat të keq topi merr të prerë dhe kalon ngjitur me dy shtyllat e portës.
Ndeshja e dytë nxori fitimtar Spartakun. Ata mundën 4-3 Eagles. Sfida nis me golin e ekipit të “Shqiponjave”, në fakt. Ishte Mahumtaj ai që shënon në minutën e 14-të, por 7 minuta më pas barazuan vendësit me Muçën, që u shfaq mjaft aktiv në fushë.
Kaq për këtë fraksion, ndërsa e dyta solli shpërthimin. Ishte Murati protagonist, me tripletën e tij që vendosi “pokerin”. Eagles nuk u dorëzua, përkundrazi.
Ata shënuan me Plloçin e Haxhiajn, duke iu afruar ndejshëm barazimit. Spartaku me këtë fitore ngjitet në vendin e 6-të, duke lënë pas Drinin dhe Osumin. Kjo humbje e largon Eagles nga objektivi.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
