KATEGORIA E TRETË/ AF Elbasani, një “makineri” golash (REZULTATET DHE RENDITJA)
Janë luajtur dje dy ndeshjet e fundit të javës së 8-të për Kategorinë e Tretë.
Në Kamzë ka pasur gola me bollëk, ndërsa AF Elbasani mundi 0-8 Spartakun dhe Skrapari mposhti 8-2 Osumin.
Verdheblutë e Gentjan Stojkut po kthehen në një “makineri” të vërtetë, pasi çdo javë nuk i kursen rrjetat. Kundërshtarit i mungonte portieri “veteran” Baholli dhe vendin e tij e zuri një 17- vjeçar.
Përtej pritjeve të mira të Redon Sulës, “vrulli” i kryesuesve nuk mund të ndalej. Ata e nisën serinë me Hyshmerin, për të vijuar me Tanushin, Xhelilin e Micin.
Gjatë kësaj pjese, pati edhe tri traversa. “Poker” pati edhe pas pushimit, ku tre lojtarë të stolit kanë gjetur katërkëndorin.
Jaho, Selimaj e Rrasa çuan shifrat në 0-7, ndërsa në fund “vulën” e vendosi Ferhati.
Në ndeshjen e dytë, Skrapari ia bëri 8 me 2 Osumit.
Të parët shënuan këta të fundit me Kërdhickën, por Jaho barazoi shpejt me penallti.
Lame përmbysi gjithçka me një dopietë për dy minuta, ndërsa Rrushi çoi shifrat në 4-1 për fraksionin e parë.
Në të dytën, shënoi sërish Jaho me Rrushi, ndërsa pas autogolit të Llazos, golin e 8-të e bëri Neziri. Për Osumin gjeti rrjetën edhe Rizaj, po shërbeu vetëm për statistikë.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
