Kanë frikë se mos i bëjnë gjë në dush, ndryshohet burgu i Dani Alvesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2023 | 22:48

Kanë frikë se mos i bëjnë gjë në dush, ndryshohet burgu i Dani Alvesh

Autoritetet spanjolle kanë vendosur që të ndryshojnë burgun ku për momentin qëndron i ndaluar në pritje të seancës gjyqësore futbollisti Dani Alvesh. Mbrojtësi brazilian është arrestuar pak ditë më parë pasi akuzohet se ka përdhunuar një 23-vjeçare në një diskotekë në Barcelonë.

92f7868d-4604-4197-bff9-3a823defa569_16-9-discover-aspect-ratio_default_0

Sipas “La Vanguardia”, futbollisti brazilian do të zhvendosët në burgun “Brians 2”. Ky burg i ri është vetëm 1 kilometër larg atij ku gjendet aktualisht, “Brians 1”, por kushtet atje janë të ndryshme dhe gjithçka bëhet për të shmangur probleme, jo për lojtarin, sa për vetë autoritetet spanjolle.

Ndonëse burgu “Brians 2” është vetëm për persona të cilët kanë marrë dënimin e tyre, siç nuk është rasti me Dani Alvesh, vendimi mendohet se është marrë për të shmangur ngjarje që mund të komplikonin situatën e lojtarit, por sidomos autoriteteve spanjolle. Në burgun e mëparshëm, Dani Alvesh ka qenë i vendosur në qeli i vetëm, por me ambiente të përbashkëta me të burgosurit e tjerë, përfshirë dushet.

Ka ndodhur në raste të mëparshme që të burgosurit kanë fotografuar persona të njohur në dushe dhe më pas kanë shitur këto fotografi. Raste të cilat më pas janë shoqëruar edhe me denoncime dhe çështje të komplikuara gjyqësore. Ndaj për të shmangur që një gjë e tillë të ndodhë me Dani Alvesh, është kaluar në një burg ku ai do të ketë dhomën me banjë dhe dush brenda.

PANORAMASPORT.AL