Kampioni Abakarov pa bursë, Fidel Ylli: Zgjedhje e federatës së mundjes, Prizreni fut hundët edhe te Komiteti Olimpik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2023 | 17:50

Kampioni Abakarov pa bursë, Fidel Ylli: Zgjedhje e federatës së mundjes, Prizreni fut hundët edhe te Komiteti Olimpik

Pas pretendimit për injorimin e kërkesës së Federatës Shqiptare të Mundjes për dhënien e bursës olimpike nga KOKSH-i për kampionin e botës Zelimkhan Abakarov, duke mos marrë asnjë përgjigje, ka ardhur edhe reagimi i Komitetit Olimpik.

abakhjarov prizreni ylli

Është vetë presidenti Fidel Ylli, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” shpjegon se si qëndron situata. Numri një i KOKSH-it sqaron se gjithçka e ka vetë në dorë federata e mundjes, e cila ka zgjedhur që bursën t’ia akordojë një tjetër sportisti (Bajram Sinës) dhe jo Abakarovit.

“Gjithçka është shumë e thjeshtë, Sahit Prizreni e ka kompetencë vetë. Le të mbledhë bordin e federatës dhe t’ia heqë bursën Bajram Sinës për t’ia kaluar Zelimkhan Abakarovit, por nuk e bën. Mendon se duhen shtatë bursa që t’i marrin sportistët e mundjes”, thotë fillimisht Ylli, i cili më tej tregon se si funksionon ndarja e bursave: “Bursat nuk komandohen kur duam dhe si duam ne. Ato jepen kur jepen dhe në momentin që sportisti, i cili e ka marrë nuk ka rezultat, federata mblidhet, bën kontratën dhe ja heq sportistit me rezultat të dobët për t’ia kaluar atij që ka rezultatin më të mirë. Na e dërgon ne dhe ne më pas ua përcjellim ndërkombëtarëve duke u shpjeguar se këtë bursë që e merrte x sportist, në rastin konkret Bajram Sina, ia kemi kaluar Zelimkhan Abakarovit, sepse federata ka marrë këtë vendim”.

Kreu i KOKSHit më tej citon rregulloren dhe politikën ndërkombëtare për bursat olimpike: “Nuk mund të jepen 7 bursa për mundjen. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka politikat dhe rregullat e veta, ku thuhet se duhet t’i marrin 5 vajza dhe 5 djem në 5 sporte të ndryshme. Nuk mund t’i përfitojnë 5 mundës se janë kampionë bote dhe të tjerët t’i lëmë pa bursa. Unë kam dërguar 30 emra në IOC, por janë ndërkombëtarët që vendosin në bazë të rregullave dhe politikave të tyre. Vajzat ndoshta e meritojnë dhe ndoshta jo, por jemi të detyruar për shkak të barazisë gjinore. Ndërsa Abakarovi nuk ishte në atë kohë, pasi nuk e kishte marrë ende pasaportën. Mundjes ia dhamë për Bajram Sinën, i cili ishte renditur i treti në një Kampionat Europian U-23. Edhe pse nuk ishte një kampionat për të rritur, unë si njeri i mundjes vura veton dhe thashë që këtij djali duhet t’ia japim bursën”, deklaron Ylli.

Presidenti i Komitetit Olimpik deklaron gjithashtu se KOKSH-i i ka dhënë mbështetje mundjes: “I kemi dhënë 10 milionë lekë Federatës së Mundjes për Abakarovin para Kampionatit Botëror. I dhamë 4 milionë lekë para një muaji, gjithashtu edhe bursën 360 mijë lekë (të vjetër) në muaj për një vit. Pra 360 mijë lekë plus 700 dollarë që merr nga bursa e solidaritetit olimpik i bëhen 1 mijë dollarë. Pa harruar që e di shumë mirë se kush e ndihmoi për t’i pajisur sportistët çeçenë në kohë rekord me pasaporta dhe nuk ka bërë një herë një falënderim publik në shenjë mirënjohjeje”.

Ndërkohë i pyetur për kriteret e vendosjes së shumave të parave për sportistët bursistë, Ylli shprehet kështu: “Kriteret vendosen në bazë të rankinglistës. Atletika apo çiklizmi janë sporte me rankinglistë dhe jo me vend të parë apo të dytë si mundja. Pra rankinglista do të thotë që një sportist i x niveli që merr pjesë në x garë, shikohet klasifikimi dhe merret bursa”.

Më tej në emër të Komitetit Olimpik, Ylli nuk i kursen kritikat për Federatën e Mundjes dhe Sahit Prizrenin, duke nisur që nga zhvillimi i aktiviteteve, për të vijuar me problemin me mundjen klasike: “Kampionati Kombëtar i Mundjes fillon në orën 8 të mëngjesit dhe mbaron në orën 11. Ne shumë mirë që i kemi këta dy djem që janë pajisur me pasaporta shqiptare, por mundja duhet të ketë masivizim këtu në radhë të parë. Pse për 3 orë mund ta bësh kampionatin kombëtar?! Dikur një kompeticion i tillë bëhej për 3 ditë. Këta e bëjnë për 3 orë dhe nuk njoftojë as presidentin e Komitetit Olimpik, për të na sjellë një ftesë për aktivitetin”, shprehet presidenti i KOKSHit, duke u ndalur më pas te problemi me mundjen klasike:

“Prizreni ka vajtur dhe ka hequr trajnerët e mundjes klasike bashkë me Klubin Tirana. Kanë hequr dy trajnerët Altin Bulkun dhe Ilir Canin, të cilët kanë medalje nëpër ballkaniada. Çfarë është ky që vendos për klubin e Tiranës? Në Komitetin Olimpik gjithashtu fut hundët, në një kohë që ne i kemi mbështetur me para”, përfundon Fidel Ylli.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Çudira në KOKSH, kampioni i botës ende pa bursë: Kemi bërë kërkesë dy muaj më parë, nuk na kthejnë përgjigje

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"