Tabelat e plota, kampionati i notit mbyllet me dy rekorde kombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2019 | 18:29

Tabelat e plota, kampionati i notit mbyllet me dy rekorde kombëtare

Për dy ditë me radhë (datat 8-9 korrik), Federata Shqiptare e Notit organizoi dhe zhvilloi kampionatin kombëtar si për të rinj, po ashtu edhe për të rritur, në akuadromin e kryeqytetit, pranë Liqenit Artificial, i cili pati edhe një audiencë të madhe.

Noti

Garat ofruan shumë emocione, pasi, përveç rivalitetit, pati edhe rekorde kombëtare, nga notarët e 8 skuadrave pjesëmarrëse: Stela me trajner Sadik Memën, Tirana me trajner Arjan Fetishajn, Eagles me trajner Eduart Canen, Tradita me trajner Aleks Gjinin, Willson me trajner Sulejman Podën, Vala me trajnere Arba Topallin, Teuta me trajner Gjergj Ngresin dhe Partizani me trajner Dash Bregun.

Noti2

Ky kampionat kishte një pjesëmarrje me më shumë se 150 sportistë, të cilët konkurruan në 36 gara gjithsej, në 15 disiplina të ndryshme, duke thyer rekord kombëtar në stafetën 4×100, stil i lirë (koha 5’20.57″) dhe në 1500 metra, stil i lirë me Sara Danden.

Meshkuj2

CEREMONIA DHE FITUESIT – Në përfundim të aktivitetit, presidenti i Federatës së Notit, Agim Çiraku, sekretarja e përgjithshme, Suela Haxhia, dhe zëvendëspresidentja Keida Ushtelenca shpërndanë trofetë dhe medaljet për fituesit e mëposhtëm. Sportisti më i mirë për të rinj u shpall Ergi Veli i ekipit Stela, me 1181 pikë.

Not femra

Ndërsa për të reja një nxitim në përllogaritje fillimisht shpalli si sportisten më të mirë Sara Danden, por lotët e gëzimit të saj kthehen në hidhërim nga vendimi i dytë, ku fituese del Sonja Kapidani e ekipit të Eagles, me 1019 pikë. Për të rritura sportistja më e mirë u shpall Nikol Merizaj e Tiranës, me 1173 pikë, dhe për të rritur Klavjo Meçi i Teutës, me 1236 pikë.

Not meshkuj

Njëkohësisht, u shpallën edhe fituesit ekiporë, ku dominoi ekipi Stela dhe Eagles. Notarja Sara Dande e ekipit të Stelës arriti të thyente rekordin kombëtar në 1500 metra, stil i lirë, me kohën 19’10.88″ (rekordi i mëparshëm ishte 19’19.47).

not te rritur femra

REKORDMENIA SARA DANDE – Pas përfundimit të garës së 1500 metrave, Sara Dande ishte protagonistja absolute, duke vendosur një rekord të trefishtë: rekord për të reja, rekord për të rritura dhe rekord kombëtar. Fenomenia e re e notit shqiptar në fund të garës tregoi për “Panorama Sport” ndjesitë e saj:

Rekordet

“Ky rezultat nuk ishte një surprizë për mua, pasi kisha punuar shumë për këto rekorde. Ky rezultat gjithsesi është vetëm një pikënisje për mua, pasi tani e në vazhdim do të stërvitem edhe më intensivisht për të përmirësuar veten në garën e 1500 metrave, por për të ulur edhe më tej kohën e rekordit.

Këto rezultate të arritura ia dedikoj profesorit tim, shokëve të ekipit si dhe familjes sime, që në çdo moment më kanë krijuar kushtet e përshtatshme për të arritur te këto fitore”.

Abdulla Dushku – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"