“Jemi të shokuar, vuajmë pasojat sepse s’bëjmë aleanca”, Kristidhi: Luftëtari u persekutua, arbitrat favorizojnë rivalët direkt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2023 | 21:11

“Jemi të shokuar, vuajmë pasojat sepse s’bëjmë aleanca”, Kristidhi: Luftëtari u persekutua, arbitrat favorizojnë rivalët direkt

Administratori Fotis Kristidhi, njëherazi trajneri i gjirokastritëve, ka mbetur më shumë se i zhgënjyer nga gjykimi i njëanshëm i trupës shkodrane, në humbjen 3-0 të bluzinjve në përballjen me Labërinë. Ky takim ishte i vlefshëm për javën e 19- të të kampionatit të Kategorisë së Dytë. Për “Panorama Sport” Kristidhi u shpreh:

Kristidhi

“Me të tilla arbitrime nuk merr atë që prodhon. Kemi humbur edhe herë tjetër, por nuk jemi ankuar, pasi nuk e kemi pjesë të punës sonë. Por, me Labërinë kupa u mbush. Si mund të tallet me djersën dhe dinjitetin e qytetit tonë një gjyqtar si Dragusha. Është po Labëria që në fazën e parë u favorizua në Gjirokastër, pavarësisht se fituam 3-1.

Edhe me Butrintin po e njëjta histori. Kjo do të thotë persekutim i AF Luftëtarit në përballjet me rivalët direkt për objektivin tonë. Një gol i anuluar dhe një penallti e padhënë në favorin tonë mjaftojnë për të kuptuar se ndaj ekipit tonë luhet pisët. Jemi i vetmi ekip që nuk bëjmë aleanca me të tjerët, ndaj vuajmë dhe pasojat”, u shpreh fillimisht Kristidhi.

SHOKU PSIKOLOGJIK

Situata në kampin bluzi është më shumë se e rënduar nga ana psikologjike, pas humbjes së fundit 3-0 me Labërinë. “Çfarë mund t’u kërkoj unë lojtarëve kur u mohohet djersa dhe puna e përkushtimi i tyre në stërvitje. Jemi ndoshta i vetmi ekip që kemi nisur përgatitjet në javët e para të korrikut të shkuar. E nënvizoj këtë fakt për të mësuar të gjithë se objektivi i fillimsezonit tashmë na komprometohet ndjeshëm.

Në Nartë vajtëm me objektiv rezultatin pozitiv. Diferenca ishte 1 pikë me Labërinë para përballjes, tashmë shkoi në katër. Në këtë situatë, futbollistët e kanë të vështirë për të dhënë maksimumin, duke filluar nga takimi i radhës.

Kemi lojtarë të dëmtuar, për më shumë të rënduar moralisht. Hall më vete për ndeshjet e mbetura, duke filluar nga sfida e radhës. Dhëntë zoti që mos të vijë në Gjirokastër një arbitër si Dragusha”, mbylli prononcimin e tij administratori i Luftëtarit Fotis Kristidhi.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"