“Jemi ndërtuar për t’u ngjitur”, ish-mbrojtësi Memetaj: Elbasani skuadër “nervoze”, por kishim 10 vite që prisnim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2023 | 23:15

“Jemi ndërtuar për t’u ngjitur”, ish-mbrojtësi Memetaj: Elbasani skuadër “nervoze”, por kishim 10 vite që prisnim

Dy prej skuadrave që udhëheqin klasifikimin pas 270 minutash matin forcat të dielën në “Elbasan Arena”. Verdheblutë duan të nisin një cikël fitoresh, ndaj blofin as që e mendojnë kundër Apolonisë. Kjo është forma e vetme për të vendosur diktatin në Kategorinë e Parë. Kështu mendon edhe Armand Memetaj, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”.

Elbasaniiii

Ish-mbrojtësi i të dyja skuadrave, aktualisht menaxher i elbasanasve, pohon se ata janë ndërtuar për të pasur sukses. Ai e sheh të vështirë përballjen me fierakët, por ka besim se skuadra do të dalë me tri pikë në fund. Sa i përket nervozizmit në javët e para, e sheh diçka normale që do të riparohet.

Shtatë pikë në tri takime, si e shihni startin e Elbasanit?

Do ta konsideroja një start pozitiv, duke marrë parasysh se kë kemi pasur përballë, ekipe që kanë pretendime. Edhe barazimi në Fushë-Krujë me Kastriotin mund të shihet si pozitiv. Mendoj se është një nisje brenda pritshmërive të një klubi si Elbasani.

Duket sikur skuadra është paksa nervoze në ndeshjet e para. Pse?

Janë normale besoj këto gjëra në fillim të kampionatit. Sidomos për skuadrat si Elbasani, që i kanë shprehur hapur ambiciet e tyre. Synohen gjithnjë që të merren pikët maksimale, sidomos në fillim të sezonit. Por, është një moment që do të kalojë me kalimin e javëve. Ekipi do të njihet më mirë me njëri-tjetrin, ku rrjedhimisht dhe lojërat do të jenë më të mira.

Sa i kishte munguar qytetit atmosfera e ndeshjeve të ekipit të futbollit?

Kishte kohë që i mungonte një atmosferë e tillë, pasi u bënë thuajse më shumë se 10 vjet. Mezi prisnim të gjithë ta shihnim ekipin në të tilla nivele dhe tani nga ekipi kërkohet ngjitja në Kategorinë Superiore. Mendoj se jemi në rrugën e duhur për të shkuar mes më të mirave.

Si e shihni garën për ngjitjen?

Gara është shumë e fortë dhe i respektojmë të gjitha skuadrat e tjera që marrin pjesë. Bëhet fjalë për emra të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe nuk do të jetë e lehtë, por Elbasani do t’ia dalë.

Këtë javë prisni Apoloninë në Elbasan, si e shihni?

Apolonia bën pjesë tek ato ekipe që përmenda më lart që meritojnë respektin maksimal. Normalisht Elbasani do të hyjë për të fituar, siç do të bëjë në çdo ndeshje. Për më tepër luajmë në fushën tonë, ku edhe suporti do të jetë i madh nga ana e tifozëve.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"