Iu besua stoli i skuadrës, Hasan Hoxha: E çoj ekipin në “korsinë” e pretendentëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2022 | 0:01

Iu besua stoli i skuadrës, Hasan Hoxha: E çoj ekipin në “korsinë” e pretendentëve

Hasan Hoxha ka marrë zyrtarisht “timonin” e Besëlidhjes, pas dorëheqjes së Alban Brukës. Zv.trajnerit iu besua roli i trajnerit dhe ky është një vendim që presidenti Gjok Noka e konfirmoi enkas për “Panorama Sport”.

HASAN HOXHA

Ky status i ri i shton përgjegjësinë teknikut, por jo qëllimin. Ai e ka të qartë se çfarë lezhjanët kërkojnë dhe premton se shumë shpjet do të kthehen në “korsinë” e pretendentëve. Gjatë deklaratës së parë të dhënë si kreu i pankinës, ai thotë: “Të drejtosh një ekip siç është Besëlidhja, është një barrë dhe privilegj i madh.

Këtë e them kur dihet lidhja shpirtërore që unë kam me këtë klub. Unë e kam nisur që 40 vjet përpara rrugëtimin me këtë ekipi. Fillimisht si futbollist i saj dhe tani si trajner. Kam shumë më shumë detyrime ndaj vetes, ekipit dhe tifozërisë. Kjo përgjegjësi, besoj se do të më shërbejë si adrenalinë për ta drejtuar ekipin drejt suksesit të shumëpritur.

Falënderoj presidentin Gjok Noka që ma besoi mua skuadrën, ndaj do të punoj me gjithë shpirt për ta rikthyer Besëlidhjen në ‘korsinë’ që të çon te kreu i tabelës”, u shpreh fillimisht trajneri i sapoemëruar. Ai ndalet edhe te barazimi i fundit, ndërsa evidenton se merita i takon Alban Brukës. Thekson se ishte pikërisht ai që e stërviti ekipin përgjatë një jave të tërë. “Barazimi në Korçë, na ndihmon shumë edhe moralisht.

Në stadiumin ‘Skënderbeu’, treguam se jemi një ekip pretendent, pavarësisht pozicionin që mbajmë në tabelë, që është provizor dhe shumë shpejt do ta lemë pas. Meritë në atë rezultat ka edhe Alban Bruka, pasi e gjithë java stërvitore u zhvillua nën drejtimin e tij. Tani të vëmendja jonë është e përqendruar te Burreli, që e presim në shtëpi. Pozitiv për ne është fakti se tani të gjithë futbollistët i kemi 100% në dispozicion. pasi janë rehabilituar të gjithë të dëmtuarit. Përfshi edhe Samet Hepajn, që është plotësisht i gatshëm”, përfundoi Hoxha.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"