Ish-trajneri i quan të pranueshme gabimet, Dosti: Tek Elbasani ka presion, kujdes me merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2023 | 15:50

Ish-trajneri i quan të pranueshme gabimet, Dosti: Tek Elbasani ka presion, kujdes me merkaton

Në Elbasan nuk duan vetëm ngjitjen, por edhe titullin. Jo më kot u investua, që ta kapin elitën me statusin e kampionit. Kjo fazë e parë nuk u mbyll sikundër donin. Janë vetëm të dytët, ndonëse me një ndeshje më pak. E megjithatë, për Muharrem Dostin ky fakt nuk përbën problem. Për ish-portierin dhe trajnerin e verdhebluve, rëndësi ka që të realizohet misioni në fund.

MUHARREM DOSTI

Në një bisedë me “Panorama Sport”, ai evidenton se luhatjet nuk mund të evitohen, por shpreson vetëm që në ekip të kenë nxjerrë mësime. “Mendoj se e përgjithshmja është pozitive, ndonëse kanë pasur luhatje në sfida të caktuara. Por, fakti që janë në rangun e ekipeve që pretendojnë ngjitjen dhe me vendin e dytë, do të thotë se ekipi është brenda pritshmërive të veta. Mos prisni që skuadra të jetë e pagabueshme dhe t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Kjo është e pamundur të ndodhë në futboll.

Të gjithë kanë luhatje, në mos në fillim të sezonit, në fund. Besoj se Elbasani ka nxjerrë mësime nga ato ndeshje që nuk ka qenë aty ku duhet. E rëndësishme është që skuadra është aty dhe në garë për Superioren dhe vendin e parë”, u shpreh fillimisht Muharrem Dosti.

MERKATO

Në klub kanë filluar të lëvizin që tani për merkaton. Do të ketë përforcime për të mbuluar pjesën e dëmtimeve. Ekipi ka qenë shpesh i cunguar dhe kjo e ka sikletuar jo pak herë stafin teknik. Dosti i quan të domosdoshme, por mendon se nuk duhet të ketë ndërhyrje kapilare. Mjafton që afrohet ndonjë futbollist që të bëjë diferencën dhe kaq. “Në ndryshim nga ekipet e tjera, tek Elbasani ka presion për ngjitjen në Superiore. Kuptohet kjo, pasi nuk mund të rrezikojnë në arritjen e këtij objektivi që i kanë vendosur vetes për këtë sezon.

Merkatoja duhet të bëjë afrime në janar, por jo të shumta. Mund të riskohet të prishet grupi i krijuar. Duhen ndërhyrje vetëm në sektorë të veçantë dhe lojtarë që mund të bëjnë vërtet diferencën. Pra, ata që do të vijnë të shihen si elementë që mund të implementohen menjëherë si titullarë në skuadër”, përfundoi ish-trajneri i skuadrës së vjetër të Elbasanit.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"