Intervista në “PANORAMA TV”/ Akuzat për sulm me thikë, presidenti i shtangës së Kamzës: Federatën e udhëheq një hajdut me probleme personaliteti, ne nuk jemi “lustraxhinj”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2023 | 19:03

Intervista në “PANORAMA TV”/ Akuzat për sulm me thikë, presidenti i shtangës së Kamzës: Federatën e udhëheq një hajdut me probleme personaliteti, ne nuk jemi “lustraxhinj”

Dashamir Çajka, presidenti i klubit të peshëngritjes së Kamzës, ka reaguar sot në lidhje me akuzat që i janë bërë nga Federata e Peshëngritjes se ka sulmuar me thikë përfaqësues të saj dhe një sportist. Në një lidhje direkt me emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, Çajka ka treguar se çfarë ka ndodhur, duke paralajmëruar se do të kërkojë hetim të Elez Gjozës dhe federatës.

bandicam 2023-04-25 16-58-27-826

Sipas tij, institucioni vazhdon të bëjë shkelje dhe po sulmon klubet që nuk bëhen palë.

“E vërteta qëndron se si unë, ashtu edhe trajneri Nikolla, janë pre e një loje të ndyrë e presidentit të Federatës, zotit Gjoza, në orën 5 të mëngjesit. Patëm një konflikt verbal që kaloi edhe në lëvizje me duar, por jo armë të ftohta siç është përfolur në rrjete sociale.

Nuk është e vërtetë që nuk di gjë presidenti, ka qenë në seancë pajtimi, dhe më bën habi dhe i bëj pyetje pse sot? Pse pas një inaugurimi madhështor që iu bë palestrës së Kamzës? Mos vallë më ndjen si konkurrent për postin e vet?

Si është e vërteta? Të vërtetën ta zbardhin organet kompetente. Mua vetëm më lind pyetja pse sot pas 6 muajsh, pse ky lloj shantazhi ndaj ekipit të Kamzës? Kur ndërkohë Kamza ka qenë kontribuese e zhvillimit të sportit të peshëngritjes.

Çfarë ndodhi atë ditë? Kam pasur ftesën nga Federata të isha pjesë e delegacionit në Bosnjë, për shkak të një arsyeje familjare zëvendësova veten me menaxherin e ekipit, Florenc Çela dhe i kam nisur në orën 5 të mëngjesit. I kam lënë te autobusi para Parkut Olimpik që të niseshin për në Bosnjë. Kanë komunikuar Elezi me Nikollën, është bërë një lojë e ndyrë, jam ndalur kur kam qenë duke u kthyer për në shtëpi, kur mu njoftua nga Florenci që është refuzuar pjesëmarrja e tij në delegacion.

Personale nuk ka asgjë besoj në pjesën e sportit, çdo gjë, debatet e përplasjet janë për të mirën e sportit. Personale e ka kthyer federata karshi ekipit të Kamzës, një ekip që me rezultate po arrin të ngjitë shkallët një nga një dhe të tregojë se sporti bëhet nëse nuk vidhet, nëse nuk abuzohet me fondet që jepen për sportistët dhe sportin.

Akuzat për mesazhe? Mund të bëjmë kërkesë për tabulate telefonike dhe mund të rikthehen përsëri. Nëse ekziston dëshira e zotit Elez për të zbardhur të vërtetën, hajde firmosim të dy, të marrim tabulate telefonike dhe zbardhet e vërteta. Jam mëse i qartë për veprimet dhe suportin që i kam dhënë sportit. Por fakti me negativ është që ai udhëhiqet nga një hajdut i veshur me probleme të shumta personaliteti, sepse është njeri i tillë që ha bukën e përmbys kupën. Po të bësh një sondazh në lidhje me personalitetin e Elez Gjozajt, as 1% nuk të japin një mendim pozitiv për atë lloj robi, kush e ka njohur nga afër.

Me të kam thjesht marrëdhënie pune, asgjë tjetër. Mbështetje nga Federata? Më thuaj një ekip që ka pasur mbështetje nga federata përveç Vllaznisë që ka shkruar “Faleminderit z. Gjoza;”, që i ka bërë përkujtimore për së gjalli. Kamza nuk di as profesionin e bojaxhiut e lustraxhiut. Nuk jemi në atë nivel që të lyejmë për të marrë meritat kur nuk e meritojmë, dhe nuk e duam atë lloj mbështetje nëse ne bëhemi palë e një padrejtësie për sportistët.

Tani do të plotësohen letrat për t’ia çuar SPAK. Janë disa faktorë kriminal që ka bërë Federata. Ndër to është që në Botërorin e 2021, ku është shkelje me dy këmbë, janë dërguar me “Western Union” nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë paratë në Uzbekistan ku janë marrë kategoritë e trajnerëve të Kategorisë A ndërkombëtare. Kjo vërtetohet me kalimin e lekëve nëpërmjet “Western Union”. Ajo federatë është uzurpuar nga kriminelë mashtrues, ku janë të gjithë një familje, me nip që merret me bazën materiale, me komshi që merret me gjyqtarinë, është komplet konflikt interes”, tha Çajka në fjalët e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"