Interi në gjurmët e Mançester Sitit / Nga goditjet te golat dhe topat e rikuperuar, djemtë e Inzagit me stil “alla Pep”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2023 | 13:30

Interi në gjurmët e Mançester Sitit / Nga goditjet te golat dhe topat e rikuperuar, djemtë e Inzagit me stil “alla Pep”

Interi kryesues është rikthyer i madh, mbi të gjitha në mendjen e lojtarëve të tij. Që nga finalja e Stambollit përballë Mançester Sitit, zikaltrit janë më të ndërgjegjshëm se asnjëherë për forcën e tyre dhe tashmë vetëbesimi duket edhe në fushë.

siti inter

Nuk ka rëndësi nëse në verë pati një revolucion në skuadër, bërthama ngeli e njëjtë: nga Lautaro te Barela, duke kaluar te Bastoni, Dimarko, Çalhanoglu, Dumfris, Darmian, ishin të gjithë poshtë tribunës së ultrasve në atë ndeshje ndaj Sampdorias në javën e fundit të Serisë A kur humbitnin titullin ndaj Milanit.

Nata në Stamboll ama ndryshoi gjithçka. Natyrisht, disfata ende djeg, edhe për shkak të mënyrës se si erdhi. Por ajo ëndërr dha efekte fantastike për Inzagin dhe Interin e tij në kampionatin aktual: pesë ndeshje në kampionat dhe po aq fitore, 14 gola të shënuar dhe vetëm 1 i pësuar.

Interi mësoi nga Mançester Siti pasi e trembi dhe kështu duket se është përshtatur me frekuencat e grupit të Guardiolës, gjithashtu ende me pikë të plota (edhe pse me një ndeshje më shumë) dhe si gjithmonë dominues dhe shkatërrues.

Nga gjuajtjet te golat, te lojërat e dobishme në zonën e kundërshtarit, Simone dhe Pep kanë numra të ngjashëm në pikat themelore të mbrojtjes dhe sulmit: vendosja “lart” e pozicionit jashtë loje (Interi në 27.1 metra, Siti në 26.4), ndërsa rikuperimi i topit është në lartësi mesatare (37.7 metra kundrejt 38.1).

Mesatarisht, Siti gjuan më shumë në portë (7.5 kundrejt 6), por Interi ka mesataren më të mirë të golave të shënuar (2.8 për ndeshje përballë 2.67).

Në topat e rikuperuar numrat janë të ngjashëm (52.6 për Interin, 53.3 për Sitin), ndërsa akoma më e ngjashme është mesatarja në kërkimin e rasteve të dobishme në zonën kundërshtare: 28.6 për Inzagin, 28.67 për Pepin. Më ngjashëm se kaq…

SYNIMI – Inzagi po udhëton me shpejtësi marramendëse, me një ekip që luan përmendësh dhe me paraqitje bindëse, pavarësisht se kush del në fushë.

Pankina e gjatë është faktor, siç është edhe qetësia e sapogjetur: tani askush nuk polemizon me dorë (Brozoviç), askush nuk bërtet (Barela “i ri”), askush nuk proteston (si Lukaku). Dhe të gjithë sjellin kontributin e tyre.

Inzagi tashmë është në ndjekje të një tjetër rekordi, synon të fitojë 8 ndeshjet e para të kampionatit, askush tek Interi nuk e ka bërë. Për këtë duhet të mposhtë Sasuolon, Salernitanën dhe Bolonjën, duke shpresuar për një hendek të madh me ndjekësit që në pauzën e kombëtareve. Me numra të stilit të Guardiolës dhe një Inter “alla Siti” arratisja që në nisje është më shumë se e mundshme.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"