“Humba motrën”, sulmuesi i skuadrës së Kategorisë së Parë rrëfen fatkeqësinë familjare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2022 | 22:17

“Humba motrën”, sulmuesi i skuadrës së Kategorisë së Parë rrëfen fatkeqësinë familjare

Besa mori pikët e plota në Orikum, por edhe këtë herë vuajti. Skuadra vazhdon të shpërdorojë, ndonëse krijon me bollëk. Edhe pse asistoi në golin e Redon Razës, Çinonso Onuh “fali” të paktën dy raste ideale dhe kjo u rrezikoi jo pak fitoren verdhezinjve. Sulmuesi e pranon që nuk është ku duhet, e megjithatë kërkon mirëkuptim.

onuh

Enkas për “Panorama Sport”, ai rrëfen se ka qenë i ngarkuar psikologjikisht. Motra e tij e madhe është ndarë nga jeta menjëherë pasi lindi dhe kjo ka ndikuar së tepërmi te nigeriani. “Këtë periudhë nuk kam qenë mirë shpirtërisht. Humba motrën time të madhe sapo lindi. E përjetova rëndë dhe po përpiqem ta kaloj këtë moment dhimbjeje”, tha fillimisht 30-vjeçari, që është golashënuesi më i mirë i kavajasve pas 11 javësh kampionat.

ECURIA NË TRANSFERTA

Duket dikur Besa luan më mirë jashtë sesa brenda, ndonëse i luajnë ndeshjet në Peqin. Sipas afrikanit, ky është avantazh për miqtë për shkak të terrenit jo të mirë dhe fushës asnjanëse. “Sipas bindjes sime, Besa luan më lirshëm në transfertë.

Aty ne jemi më të motivuar dhe vetë skema e lojës na favorizon. Arrijmë në disa raste të kapim mbrojtjet mike keq dhe të dalim më shumë herë për gol. Ndërsa kur luajmë në Peqin jemi disi të penalizuar. E para, terreni nuk është ideal për mënyrën me pasime se si Besa luan.

Kundërshtarët mblidhen mbrapa dhe ca të ndihmuar nga terreni, ca nga psikologjia se nuk jemi në Kavajë dhe pa tifozë. Pastaj psikologjikisht edhe ne na duket sikur po luajmë jashtë. Kjo nuk na largon nga përgjegjësia pasi edhe në Peqin pavarësisht gjithçkaje kemi dominuar në lojë e raste ndaj kujtdo”, u shpreh nigeriani.

GOLAT DHE SYNIMET

Sulmuesi tregon se tashmë është duke e marrë veten dhe shumë shpejt të gjithë tifozët do të kenë mundësi që ta shohin si në fillim të sezonit kur shënonte sa në kampionat e Kupë. “Mendoj se kemi lëshuar shumë raste jo vetëm në Orikum, unë në dy raste, por edhe në Pukë apo ndeshjet brenda. Tani ndihem disi më mirë dhe do të rikthehem ai që të gjithë njohin e që presin tifozët.

Sikurse ua thashë më lart, kam qenë psikologjikisht jashtë loje dhe kjo ndikoi në gola. Tani prisni të shihni atë Onuh që shënon. Kam besim të plotë që kur Besa kërkon një fitore e arrin atë pa pyetur kë ka përballë. Jemi afër kreut me shumë pak pikë diferencë dhe në javët që vijnë do të kërkojmë t’i bashkohemi Dinamos në krye, ndoshta jo këtë vit, por nga janari do ta shihni këtë”, përfundoi autori i 5 golave me verdhezinjtë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"