Hoxha sheh vendin e tretë: Dolëm vonë në “origjinë”, sot do të ishim ne në kryesim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2023 | 21:31

Hoxha sheh vendin e tretë: Dolëm vonë në “origjinë”, sot do të ishim ne në kryesim

Goleada ndaj Turbinës ka ngjallur më shumë besim te verdhezinjtë. Kishin javë që shpërdoronin raste, por këtë herë nuk u kursyen dhe e gjetën 5 herë rrjetën.

edmond-hoxha

Edmond Hoxha refuzon të pranojë se ky rezultat erdhi si pasojë e dobësisë së kundërshtarit, ai thjesht mendon se Besa doli në “origjinë”. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, autori i dy prej golave thotë:

“Si me shaka disa miq të mi më thanë ‘Turbinën keni mundur…’ Por u kujtova atyre dhe po e them edhe tani, se ishte ai kundërshtar që dy javë më parë mundi Korabin dhe më herët Apoloninë. Me këtë dua të them se nuk ishin ata të dobët, por ne u futëm në linjë. Pas tri javëve mes gabimesh, reaguam. Jo vetëm fituam, por për asnjë moment nuk e lejuam Turbinën as të ëndërronte se mund të bënte ndonjë surprizë”.

Kur kanë kaluar 19 javë, sulmuesi ka një pishman. Ai mendon se gjërat do të ishin ndryshe, nëse Besa do ta niste në këtë formë sezonin. “Vijoj të kujtoj me keqardhje disa pikë të lëna nga ne pa asnjë arsye dhe që sot po na kushtojnë. Tomori, Korabi, Dinamo e Flamurtari na kanë marrë pikë në fushën tonë. Kjo nuk duhet të ndodhte. Do të thoni ju se edhe barazime e humbje do të ketë. Jam dakord, por kur ato vijnë si produkt i lojës e jo gabimeve tona. Sot Besa duhet të ishte në kryesim, por jemi para faktit të kryer që kemi kaq pikë. Po gjykoj se janë ende shpresat e mundësitë për të kapur vendin e tretë. Duhet vetëm të bëjmë atë lojë, saktësi para portës sikurse bëmë me Turbinën.

Në fundjavë do të luajmë një ndeshje ‘brenda familjes’. I vetmi avantazh është se te Luzi nuk luan asnjë kavajas. Por këtë llogariteni edhe si ‘thikë me dy presa’, pasi lojtarët e Luzit 2008 ca nga mosha ca nga fakti se s’kanë asnjë lidhje me Kavajën mund të luajnë pa asnjë lloj presioni psikologjik. Ndryshe do të ndodhë me ne kur do të shohim në tribuna jo dy tifozëri, por një të vetme, që për dekada ka brohoritur Besa-Besa, ndërsa sot do të jetë në pozitë të vështirë. Për të gjitha këto, do ta quaja pa frikë derbi i vogël. Historia ka treguar se në të gjitha derbet ka ‘luftë’ dhe të papritura”.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"