Histori e rrallë sportive/ 62 vite në mundje, Keli: Në tapet edhe një tjetër dekadë! Ju rrëfej karrierën me arritjet dhe pengjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2023 | 23:15

Histori e rrallë sportive/ 62 vite në mundje, Keli: Në tapet edhe një tjetër dekadë! Ju rrëfej karrierën me arritjet dhe pengjet

Një histori e rrallë, e denjë për librin e rekordeve “Guinness”, vjen nga Berati, e më konkretisht nga sporti i mundjes së këtij qyteti. Prej 52 vitesh, Ibrahim Keli vijon të jetë trajneri i Tomorit, ndërsa nëse shtojmë edhe 10 vitet si sportist, karriera e tij në tapet është plot 62-vjeçare. Një rast unik, ndërsa Keli dje ka rinovuar kontratën edhe për vitin 2023.

KELI5

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Keli rrëfen jetën e tij në mundje. Teksa bën krahasimin me vitet e shkuara, Keli thekson se financimi qesharak po i largon të rinjtë nga mundja. Trajneri tregon përveç kënaqësive së rezultateve edhe pengjet, të cilat i ka kryesisht nga mungesa e vlerësimit. Gjithsesi, ndonëse 72 vjeç, ai nuk ka aspak ndërmend të ndalet, ndërsa thotë se e sheh veten edhe për një tjetër dekadë në mundje.

Keli, si ka nisur rrugëtimi juaj në sportin e mundjes?

Është një rrugëtim i gjatë prej 62 vitesh si sportist dhe trajner së bashku. Në moshën 10-vjeçare jam afruar pranë ekipit të mundjes së Tomorit, fillimisht si një djalë i ndrojtur beratas, por që ushtroheshim buzë lumit Osum dhe në sheshet e qytetit si mundës amator. Në Berat ekipi i mundjes klasike ose grekoromake përbëhej nga djem të fortë dhe pasionantë. Unë u përfshiva në ekipin e moshave, duke kaluar nëpërmjet ish-shtëpisë së pionierit siç quhej në atë kohë.

Si kanë qenë rezultatet tuaja si sportist?

Jo keq si fillim, pasi në peshat pupël kishte shumë rivalitet. Por me punë ia kam arritur të evidentohem duke u shpallur fitues si me pionierët, ashtu edhe me paratërinjtë dhe me të rinjtë.

Me të rriturit ishim në kategorinë e dytë, sepse ashtu funksiononte organizimi i këtij sporti në atë periudhë, dhe në klubin Tomori kishin si objektiv përgatitjen e një grupi mundësish të rinj dhe me perspektivë, që do t’i shërbenin më së shumti perspektivës së këtij sporti. Kështu ndodhi në të vërtetë, ndonëse për mua erdhi si një surprizë e këndshme, edhe emërimi si trajner i ekipit të rinjve të Tomorit që në moshën 21 vjeçare.

Emërimi si trajner ju shkëputi nga tapeti si sportist?

Jo, përkundrazi, pasi kur më emëruan si trajner të ekipit të rinjve, unë paralelisht vijoja edhe mundjen si sportist. Kjo ndodhi në periudhën 1971-1982, duke punuar paralelisht në tapet si sportist dhe trajner. Por të jem i sinqertë, megjithëse lashë gjurmë si fitues dhe si sportist, puna e trajnerit po më jepte shumë kënaqësi dhe koha më dha plotësisht të drejtë.

KELI

Falë shërbesës që i kam bërë sportit të mundjes me ekipin e të rinjve, kontributi im është shpërblyer, jo vetëm në fitimin e një brezi të artë mundësish të talentuar dhe kampionë të vendit. Por edhe se në vitet që do të pasonin “etja” për sukses në detyrën e trajnerit, u pasurua me tituj të pafund kampioni si ekip dhe individ, që në vite dhe dekada që do të pasonin, do të bëheshin emra të mëdhenj të Tomorit dhe ekipeve kryeqytetase, por dhe me përfaqësime dinjitoze në arenën ndërkombëtare pas viteve 90-të.

Dje rinovuat kontratën 1- vjeçare me klubin shumësportësh Tomori dhe Bashkinë e Beratit. Ku qëndron sekreti i kësaj jetëgjatësie të jashtëzakonshme, dhe çfarë ju motivon për vazhdimësinë?

Rinovimi i kontratës 1- vjeçare me klubin shumësportësh Tomori, ishte një procedurë formale, të cilës i nënshtrohen të gjithë trajnerët. Unë nuk qëndroj për interesa financiare, sepse familjarisht kam një ekonomi të qëndrueshme dhe jetoj mjaft mirë. Sepse më shumë se sa një pagë mujore prej 12 mijë lekë të reja në muaj, mua më mban pranë tapetit, vetëm pasioni dhe dashuria që kam për mundjen, të cilës i kam kushtuar 62 vite të jetës sime.

Ndërsa si garanci apo e thënë ndryshe si një “akt noterial” kam faktin, se gëzoj një shëndet të plotë, ku regjimi i fortë sportiv, më siguron pa frikë edhe një dekadë tjetër pranë tapetit. Megjithatë nuk kanë munguar as zërat paragjykuese sa i përket moshës suaj…

Dhe unë kam pasur dijeni, por përballë atyre personave që më ngjasonin me personazhin e njohur në filmin shqiptar “Ëndërr për një karrige” drejtuesit e klubit shumësportësh dhe kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo, vlerësuan më shumë njeriun e punës, i cili punon me pasion dhe ka çfarë t’u tregoj më të rinjve me eksperiencën e tij, sesa t’u besonin zërave që sportin e konsiderojnë si një strehë për të përfituar emër dhe financiarisht.

Si e vlerësoni nivelin e mundjes beratase në ditët e sotme? Cili është ndryshimi midis dy periudhave të ndryshme ku ju punoni si trajner?

Diferencat janë të mëdha, dhe kjo as për fajin tim dhe as të kolegut tim më të ri Oldi Dyshniku. Ndryshimi i sistemit dhe mosvlerësimi financiar, ndikon dukshëm që të rinjtë t’i largohen sportit, dhe kjo për mua është shumë alarmante.

Pak kohë më parë, kam shkuar në një aktivitet kombëtar me vetëm 1 sportist, sepse elementë të tjerë cilësor, nuk vijnë në gara nga mungesa e vlerësimit financiar, ku na ka ndodhur që talente dhe kampionë të vendit nuk ju sigurohet dot një punë dhe një rrogë mujore, pasi nga klubi paguhen me vetëm 4 mijë lekë të reja në muaj.

Por për të mos u shuar tradita, unë po i shërbej mundjes edhe në këtë moshë, sepse kemi një traditë të madhe me emra të njohur si tre vëllezërit Dhelpra, Musaraj, Kapllani, Keli, Frataraku, Shehu, Kanani, Kondi, etj, pa harruar edhe dy kolegët e mi të mëdhenj si Raqi Kule dhe trajnerin e moshave Dajti Qafa.

Po pengje a ka Ibrahim Keli?

Sigurisht që kam, pasi një punë e gjatë e mbushur me rezultate të larta, patjetër që meriton vlerësime. Më vjen keq, që prej 7 viteve nga Këshilli i Qarkut Berat i është propozuar qeverisë për të m’u akorduar pensioni i posaçëm, por me gjithë kërkesat e interesimin e vazhdueshëm në Tiranë, duket se ky propozim po “fle” nëpër sirtarët e qeverisë.

Po kështu edhe titulli “Qytetar Nderi” i Beratit, të kërkuar vazhdimisht nga komunitetit i sportit, por dhe nga qytetarët e Beratit, i është propozuar drejtuesve të Bashkisë, por deri më tani është zgjedhur heshtja, megjithëse janë dhënë më parë tituj deri në njerëz që nuk krahasohen me CV-në time të punës. Unë nuk kërkoj emër, por respekt, jam njeriu i punës dhe pasionit, jam njeriu që po përjetoj rininë e dytë në moshën e tretë, dhe nuk pres që dikush t’i cilësojë si një lëmoshë vlerësimet që më mungojnë.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"