Gjeti 29 herë rrugën e rrjetës, “bomberi” Mici: Golat shijojnë njësoj, nuk ka rëndësi kategoria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2022 | 0:27

Gjeti 29 herë rrugën e rrjetës, “bomberi” Mici: Golat shijojnë njësoj, nuk ka rëndësi kategoria

Në vitin e parë të krijimit, AF Elbasani ia doli të shpallej kampion. Mbyllën një sezon të suksesshëm në Kategorinë e Tretë dhe siguruan në këtë mënyrë edhe trofeun e parë në historinë e klubit, me një bilanc vërtet mbresëlënës. Një ekip që përbëhet me futbollistë që në të kaluarën kanë spikatur në Superiore dhe në të Parën, gara u bë thjesht një “shëtitje”.

Denis Mici

Kurrë nuk e vendosën në diskutim ngjitjen dhe zyrtarisht do të garojnë në Kategorinë e Dytë. Ai që spikati më shumë nga të gjithë, ishte sulmuesi Denis Mici. Në 14 ndeshje shënoi plot 29 gola. Mesatarisht dy gola për takim, e bën edhe golashënuesit më të mirë të sezonit në të tria kategoritë.

GOLAT – Në një prononcim për “Panorama Sport”, 27-vjeçari që ka qenë pjesë e disa skuadrave të kampionatit shqiptar, kryesisht të Qarkut të Elbasanit, shprehet i kënaqur me paraqitjen e bërë. Megjithatë, pret akoma më shumë edhe për të ardhmen. “Çdo gol i shënuar është një kënaqësi më vete, pavarësisht se në cilën kategori e shënon.

Ka qenë një sezon pozitiv për mua, por në fakt ka qenë meritë e gjithë skuadrës, sepse të gjithë bashkë arritëm të ngjisnim Elbasanin një kategori më lart. Mbështetje kanë qenë edhe tifozët, të cilët nuk na kanë munguar në asnjë ndeshje, duke na bërë të ndihemi si në shtëpi. Personalisht pres akoma më shumë në të ardhmen, pasi tani jam në kulmin e karrierës si futbollist”, u shpreh fillimisht “bomberi” i verdhebluve.

E ARDHMJA – Në lidhje me të ardhmen, ai e sheh sërish veten tek AF Elbasani, por pranon se nuk i kanë munguar telefonatat nga ekipet e tjera. “Që në fillim më ka pëlqyer projekti i drejtuesve dhe deri tani janë treguar seriozë dhe korrektë, ndaj mundësia më e madhe është të vazhdoj projektin me këtë klub, sepse është edhe ekipi i qytetit tim.

Gjithsesi, si çdo lojtar në fund të sezonit kam pasur edhe unë ato telefonatat nga disa klube të tjera, por është shumë herët për të folur. Për momentin jam i fokusuar te skuadra ku jam dhe në vazhdim të shohim”, tha lojtari i AF Elbasanit. Ndërkohë, skuadra vijon ende përgatitjet edhe pse kampionati është mbyllur. Mësohet se deri në fund të majit do të jenë në stërvitje, për të marrë më pas edhe pushimet.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"