Gjata me probleme, sulmuesi i Apolonisë premton: E ndëshkoj unë Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2023 | 11:00

Gjata me probleme, sulmuesi i Apolonisë premton: E ndëshkoj unë Dinamon

Apolonia udhëton me mungesa në kryeqytet. Mario Gjata ka pësuar tërheqje dhe mjekët kanë vendosur që të mos e rrezikojnë. E megjithatë, kjo nuk i pengon fierakët që të kërkojnë surprizën përballë Dinamos. Për golat do të mendojë një tjetër sulmues, Antoni Umejiego. Edhe pse u bënë 5 muaj që nuk po e gjen rrjetën, beson se do të zhbllokohet të dielën. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai paralajmëron se nuk do të dalin duarbosh nga kjo transfertë.

umejiego

Sa qetësi ju dha ajo fitore me Tërbunin?

Na ka dhënë më shumë se qetësi. Kjo është reflektuar përgjatë përgatitjeve të kësaj jave. Të gjithë ishim shumë të impenjuar në stërvitje, sepse jemi të çliruar dhe më shumë psikologjikisht. Jam i kënaqur me marrjen e pikëve të plota, sepse kishim nevojë më shumë se kurrë. Vinim nga disa rezultate jo fort pozitive, ndaj fitorja ishte detyrim.

Luani në kryeqytet këtë javë. Çfarë Apolonie presim të dielën në fushë?

Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Jo vetëm se luajmë në transfertë, por edhe për pozitat e ekipeve në klasifikim. Ata do të kërkojnë të rikuperojnë menjëherë vendin e parë, ndërsa ne për të kapur “play off”-in.

A ndieni presion?

Do të hyjmë në fushë pa presion në fakt, më saktë do të bëjmë lojën tonë për të synuar në fund marrjen e një rezultati pozitiv në transfertë. Apolonia ka dhe do të ketë të qartë qëllimin e saj për të arritur objektivin madhor, i cili arrihet përmes ringritjes së menjëhershme në tabelën e renditjes.

Në këtë fazë delikate të kampionatit, a ju leverdis edhe një pikë?

Çdo ndeshje është histori më vete, prandaj dhe futbolli është i bukur. Na del për detyrë që të sigurojmë sa më shumë pikë në këtë fazë delikate të kampionatit.

Prej 5 muajsh ju mungon goli në kampionat. E keni ruajtur atë për këtë përballje të rëndësishme?

Jam i sigurt që goli im do të vijë në momentin e duhur, kështu që mendoj se përballja me Dinamon është ndeshja e duhur për të gjetur rrugën e rrjetës. Të them të drejtën edhe fatin nuk e kam pasur me vete.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"