Gati 2 dekada me ulje-ngritje, Bylisi me strategji ndryshe/ Klubi ballshiot ka një plan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 23:18

Gati 2 dekada me ulje-ngritje, Bylisi me strategji ndryshe/ Klubi ballshiot ka një plan

Në Ballsh duan të ndryshojnë strategji. Kanë në plan që të ndërtojnë një skuadër që jo vetëm të ngjitet, por të ketë jetëgjatësi në elitë. Shifrat tregojnë që diçka nuk është bërë si duhet gjatë kësaj kohe dhe sidomos në dy dekadat e fundit. Ballshiotët kanë qenë si një “ashensor” dhe ulje-ngritjet e vazhdueshme janë dëshmia më e mirë e kësaj që po themi.

bylis

Që nga 2014-ta, kohë kur i përjashtuan nga Superiorja, ata nuk kanë qëndruar gjatë mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Sa nga gabimet e tyre dhe aq herë nga faktorë të tjerë, nuk e kanë shmangur dot rënien në Kategorinë e Parë. Në 10-vjeçarin e fundit, kjo është e gjashta herë që do të jenë në inferiore. Misionin sigurisht që do ta kenë të njëjtë: të kthehen direkt në elitë.

Dhe me organikën që kanë, janë një hap përpara rivalëve. Kanë një skuadër të gatshme dhe me përvojë, që mund t’i udhëheqë në vendet e para të kampionatit. Edhe pse vështirësia do të rritet me reduktimin e pjesëmarrësve, nga 14 në 12, për ballshiotët nuk do të jetë problem. E megjithatë, kjo nuk i pengon drejtuesit që të hedhin hapa më të zgjuar.

Ata kanë vendosur që të ndryshojnë diçka prej sezonit 2023-2024. Do të nisin një projekt për të rezistuar më shumë në elitë. Mundësitë janë dhe kushtet po ashtu, ndaj pritet vetëm që të klubi të vihet në veprim.

BYLIS

Kujtojmë që financat nuk kanë qenë kurrë problem, infrastruktura dhe organika. Kontratat afatgjata janë të zakonshme në Ballsh dhe kjo ka sjellë gjithnjë efekt pozitiv në arkat e klubit. Nën presidencën e Besnik Kapllanajt kanë shitur disa lojtarë, që kanë pasur të ardhme edhe në Kombëtare. Këtu po përmendim si Hadroji e Preka apo edhe të huajt Olainka e Ristevski, që bënë bujë të madhe.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"