“Gabuam të gjithë, duke filluar nga unë”, zbardhet fjalimi i Gvozdenoviç: Mendjemëdhenj në dy ndeshjet e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2023 | 16:49

“Gabuam të gjithë, duke filluar nga unë”, zbardhet fjalimi i Gvozdenoviç: Mendjemëdhenj në dy ndeshjet e fundit

Tri humbje radhazi nuk janë pritur mirë në kampin bardhekuq, aq sa kanë shkaktuar “tërmet” në seancën e fundit stërvitore. Të bindur se kjo nuk është rruga e duhur për të përmbushur objektivat sezonalë, stafi teknik ka filluar të marrë masat e para ndëshkuese për lojtarët.

Gvozdenovic

Gjithçka ka filluar në një seancë stërvitore në mes të rrebeshit të shiut që pushtoi juglindjen, për të vijuar me përgatitje intensive, me qëllim përmirësimin e rezultateve në javët e ardhshme. Ultimatum i parë i vendosur nga Ivan Gvozdenoviç karshi të tijve ka qenë përpjekja për të shmangur mendjemadhësinë në fushën që sipas trajnerit ka qenë mjaft e theksuar, në dy javët e fundit. Për trajnerin Ivan Gvozdenoviç euforia dhe mendjemadhësia e ekipit reflektohej në dy javët e fundit edhe në deklaratat e lojtarëve në media. Ndaj për këtë kryepankina bardhekuqe ka qenë e prerë kur u kanë njoftuar lojtarëve ndalimin e prononcimit deri në një afat të dytë.

“Tri humbjet në tri javët e fundit janë shumë të rënda dhe të papranueshme për një ekip me objektivat dhe pritshmëritë e Skënderbeut. Për këtë arsye fajtorë jemi të gjithë pa përjashtimin më të vogël. Duke filluar nga mua e deri te ju. Një situatë e tillë kërkon reflektim dhe reagim të menjëhershëm. Mendjemadhësia e treguar në dy ndeshjet e fundit është krejtësisht dëmtuesi kryesor sipas meje, ndaj kam vendosur që si masë të parë të marr ndalimin e prononcimit në media për secilin prej jush”, u shpreh veç të tjerash trajneri i Skënderbeut para ekipit bardhekuq. Skuadra më tej ka vijuar përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Erzenit në kampionat nën reshjet e dendura të shiut.

GRUPI – Për ndeshjen e së mërkurës Skënderbeu do të ketë të gatshëm thuajse të gjithë grupin e lojtarëve që Ivan Gvozdenoviç ka në organikë. Mbrojtësi Marko Ramos duket se ka lënë pas plotësisht dëmtimin e dy javëve më parë dhe pritet që ndeshjen e së mërkurës ta nisë si titullar. Dilema e vetme mbetet sulmuesi Uçe Sebastine, i cili është bashkuar tepër vonë me ekipin dhe ende trajneri nuk ka vendosur nëse lojtari gëzon formën e duhur për të qenë pjesë e të grumbulluarve apo jo. Për takimin ndaj Erzenit kryepankina korçare duket tejet e vendosur që të rikthejë nga minuta e parë formacionin që i dha fitoren në dy ndeshjet e para të kampionatit.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"