FORMULA 1/ Shënoi podiumin e 80-të në Australi, Vershtapen nis gjuetinë e legjendave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2023 | 15:09

FORMULA 1/ Shënoi podiumin e 80-të në Australi, Vershtapen nis gjuetinë e legjendave

Prej dy vitesh është kampion në Formula 1, ndërsa edhe Botërori 2023 ka nisur nën diktatin e tij. Po flasim për Maks Vershtapenin, i cili me triumfin në garën e së dielës në Australi ka barazuar legjendën Airton Sena për sa u përket podiumeve.

221118084343-02-max-verstappen-family-abuse

Por pilot i Red Bullit nuk ka ndërmend të ndalet këtu, teksa tashmë ka në shënjestër emra të tjerë të mëdhenj të Formulës 1, të cilët synon t’i kalojë në vitet në vijim. Me suksesin në Melburn, Vershtapen firmosi podiumin numër 80 në karrierë, po aq sa tri herë kampioni i Botës, Airton Sena, i ndarë nga jeta në aksidentin tragjik në vitin 1994. Por Maks ka një përqindje më të lartë të ngjitjes në podium në raport me garat e zhvilluara, 48% kundrejt 46% të brazilianit.

Tashmë holandezi sheh në sfond Fernando Alonson, teksa spanjolli, i cili i renditur i treti në Çmimin e Madh të Australisë, regjistroi podiumin e 101-të, me një mesatare 28% në raport me garat në të cilat ka marrë pjesë. Një tjetër emër i madh i Formulës 1 me ngjitje treshifrore në podium është Kimi Raikonen (103). Finlandezi i ka mbyllur në tri vendet e para 29% të garave në të cilat ka marrë pjesë. Më tej vjen Alen Prost, protagonist i 106 podiumeve në karrierë, me një mesatare 53% në raport me garat. Kur bëhet fjalë për kampionët në F1, Sebastian Fetel nuk mund të përjashtohet. Katër herë kampion i botës është ngjitur në podium 122 herë në karrierën e tij, në 40% të rasteve. I “abonuar” me podiumet ka qenë edhe legjenda Majkëll Shumaker, plot 155 herë, me mesatare 50% për sa u përket garave. Rekordi absolut për sa u përket podiumeve në Formulën 1 i përket Luis Hamiltonit.

Britaniku i Mercedesit është ngjitur në top-3 plot 192 herë, më shumë se çdo pilot tjetër në historinë e këtij sporti. Numri është përditësuar pas vendit të dytë të shkëlqyer të dielën në Australi. Një rezultat që i azhurnon Hamiltonit gjithashtu edhe sezonet me të paktën një podium, 17. Një shifër tjetër mahnitëse për britanikun është edhe 61% e garave mes tri vendeve më të mira. Një përqindje e pabesueshme për 38-vjeçarin, i cili ndan rekordin e shtatë titujve kampionë në Formula 1 me Majkëll Shumakerin.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"