Fitore me paterica/ Nga hendekun i Musialës deri te Kim e loja e ngadaltë, ja tri “plagët” e Bajernit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2023 | 22:10

Fitore me paterica/ Nga hendekun i Musialës deri te Kim e loja e ngadaltë, ja tri “plagët” e Bajernit

Bajern Mynihu futi në “xhep” 3 pikët e radhës në kampionat, aty ku “viktima” e kishte emrin Augsburg. Edhe pse kampionët e ligës gjermane u inkuadruan përpara tifozërisë së vet, sërish nxorën në pah “hije” të problemeve, pavarësisht mbërritjes së “pykës” Herri Kejn.

Bajerniii

Nga e gjithë tabloja e takimit të ditës së dielën, Herri, Sane, Dejvis dhe në fragmente të caktuara Koman iu shpëtuan “ndëshkimit” nga analistët e futbollit. Më poshtë po ju prezantojmë 3 problemet e rekordmenëve që u evidentuan në përballjen e xhiros së dytë në Bundesligë.

1. MUSIALA, I PAZËVENDËSUESHËM-Edhe pse statistikat demonstrojnë jo rrezikshmëri të lartë nga talenti Xhamal Musiala, dueli i fundit foli qartë se mungesa e 20-vjeçarit mbetet mision i pamundur për pjesën aktive. Serzh Gnabri “aktroi” nga pozita e sulmuesit të dytë, pra profili që mban në kontroll “bambi” (pseudonimi i cili i referohet Xhamal Musialës). Daljet e shpejta dhe teknika e lartë e Xhamalit nuk u pa për asnjë moment në “vallëzimet” e Serzhit me sferën në këmbë.

Dëshira e 27-vjeçarit gjerman mbeti thjesht në tentativë rreth goditjeve në kuadrat apo shërbimeve në favor të ekipit. Vlen të theksohet se roli natyralë i Gnabrit nuk ka lidhje me numrin “10”, pozicion që performoi në sfidën me Augsburgun. Improvizimi i Tuhelit në këtë rast ishte zhgënjim. Tomas Myler u mendua si alternativa që mund të djersiste fanellën e kampionëve nga minuta e parë, por tekniku 49- vjeçar u besoi aftësive të futbollistit me numër “7” në “Allianz Arena”. Musiala jo vetëm që ka potencialin për të krijuar të çara në zona të ngushta, po ashtu di të manovrojë pa problem me rrezikshmëri të lartë drejt katërkëndëshit mik.

2. KIM, “I FIKUR”-Kim Min-jae erdhi me pretendime të mëdha në Mynih, duke “detyruar” bordin me në krye shefin Jan-Kristian Dresen të depozitonin 50 milionë euro në arkat e Napolit. Edhe pse perspektiva është e lartë që mbrojtësit koreano-jugor të blindojë qendrën defensive, ai nuk ia doli të ishte ne nivelin e “homologut” Daiot Upamekano. Gabimet në pasat e thjeshta u kthyen në “menynë” e Kimit. Gjithsesi, analistët pranë kampionëve mendojnë se 26-vjeçarit i nevojitet ende kohë për t’u përshtatur dhe integruar me filozofinë e lojës.

Dueli i radhës do ta vendosë në shkallë më evidente tempin e aziatikut, konkretisht ndaj M’Gladbahut në transfertën dhe Leverkusenit, shto faktin që elementi kohë do të jetë më i zbehtë në “gamën” e justifikimeve. Personazhi në fjalë u shpall si mbrojtësi i sezonit 2022-2023 te kampionët e Napolit, madje si një “mur” i vërtetë në prapavijë, gjithashtu edhe shtytës me topa nga thellësia, elemente të cilët nuk kanë gjetur terren deri në këtë pikë te Bajerni.

LOJA E NGATHËT

Magjia e ndeshjes së parë karshi Verderit i la vendin “vranësirave” në interpretimin e bavarezëve, aq sa trajneri Tuhel të fliste shkoqur në deklaratën pas takimit, se ata nuk ishin në nivelin e pritur. Fillimi u diktua nga ritmi i vrullshëm prej vendësve, ama jo efikas në kuadratin rival. Kalimi i minutave zbehu manovrat e tyre, duke marrë rrjedhë të paqëndrueshme.

Lojë e ngadaltë, pasa të lexueshëm, aksione të lehta për t’u thyer nga kundërshtari, jo të sigurt në goditjen finale. Pas 2 raundesh kampionat, gjigantët nga Mynihu renditen në vendin e dytë, po të njëjtën kuotë pikësh me Unionin kryesues (6 pikë), por me golavarazh më të varfër se berlinezët. Borusia Mynshengladbah është i planifikuar si rivali i ardhshëm ditën e shtunë, me pas vijnë pushimet nga aktivizimet e kombëtareve, teksa data 15 shtator rezervon përballje tejet “të nxehtë”, Bajern Mynih-Bajer Lerverkusen, e ku në gjirin e këtyre të fundit gjendet edhe futbollisti me origjinë kosovare Granit Xhaka, e ku 30-vjeçari mbron fanellën e përfaqësueses zviceriane.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"