Fierakët me plan ndryshe nga të tjerët. Apolonia zhvendoset në Korçë, pushimet nisin pas 30 qershorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2024 | 12:35

Fierakët me plan ndryshe nga të tjerët. Apolonia zhvendoset në Korçë, pushimet nisin pas 30 qershorit

Kur thuajse të gjitha ekipet e Kategorisë së Parë janë me pushime, tek Apolonia nuk ndryshon asgjë dhe lojtarët janë duke u stërvitur çdo ditë në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Madje është shfrytëzuar maksimalisht edhe fundjava, pasi të shtunën Apolonia kreu dy seanca radhazi.

apolonia

Gjatë paradites, temperaturat ishin të larta dhe stafi teknik u detyrua që pjesën e parë të seancës, e dedikuar për aspektin fizik, ta zhvillonte brenda në ambientet e palestrës në stadiumin “Loni Papuçiu”. Pas 35 minutash, lojtarët dolën në fushën e blertë për të kryer ushtrimet e tjera me theks tekniko-taktik. Mungesat nuk ishin të pakta. Sulmuesi Erald Maksuti është lënë dy ditë pushim, pas kthimit nga Kombëtarja U-21. Bushi dhe Bejzade ishin lënë pushim gjatë paradites për arsye familjare, por morën pjesë në seancën e pasdites.

Ndërsa Rakipaj sapo është operuar dhe pritet të mungojë gjatë. Të shtunën, në fushë ishin vetëm 19 futbollistë, duke përfshirë edhe 4 lojtarë nga të rinjtë. Jasin u la të stërvitej i veçuar kur ekipi u angazhua në një minindeshje me formacione të kufizuar. Deri në fund të seancës, i riu nga Kenia u angazhua me vrapime me top përreth fushës. Trajneri Mërgjyshi u pa të ishte i kënaqur me veprime të caktuara, por në fund nuk i kurseu kritikat ndaj ekipit.

Edhe pse kampionati është mbyllur prej javësh dhe skuadra është stërvitur thuajse çdo ditë, puna do të vijojë me ritëm të lartë. Sot pritet që Apolonia të zhvendoset në juglindje, në Korçë, ku kushtet atmosferike janë më të freskëta se sa në Fier. Ata do të zhvillojnë dy javë stërvitje dhe më 30 qershor, lojtarët do të lihen të lirë për të pushuar pranë familjareve të tyre. Ka qenë vetë presidenti Koço Kokëdhima, që ka menduar një gjë të tillë, veçanërisht për t’i mbajtur aktiv dhe shumë të angazhuar futbollistët nën kontratë, por edhe lojtarët e rinj, vendas dhe të huaj, që janë në planet e ekipit për sezonin e ardhshëm.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"