EURO 1996/ Gjermania sundon Europën, skuadra e trajnerit Fogts triumfoi duke mundur në finale Çekinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2024 | 16:54

EURO 1996/ Gjermania sundon Europën, skuadra e trajnerit Fogts triumfoi duke mundur në finale Çekinë

Anglia mirëpriste Evropianin e vitit 1996 dhe për tifozët vendës, dukej sikur ishte fakt i kryer që kombëtarja e tyre do triumfonte. Madje, edhe parulla e kompeticionit ishte “futbolli kthehet në shtëpi”, një nënkuptim i dyfishtë.

csm_122377-Klinsmann_Pokal_Queen_1996_a4f2b8bf16

Në fillim për faktin se ata cilësohen si shpikësit e këtij sporti dhe, nga ana tjetër, për besimin e madh që kishin te forca e skuadrës. Por, në fakt ishte Gjermania ajo që e ngriti trofeun në stadiumin mitik “Uembli”, ndërsa Anglia eliminohej në gjysmëfinale nëpërmjet penalltive. Struktura e Evropianit ndryshoi në edicionin e 1996-ës dhe u dyfishua numri i skuadrave që lejoheshin të kualifikoheshin, nga 8 në 16-të. Kjo dhuroi akoma më shumë emocione, ndërsa ndeshjet u zhvilluan në raundin e parë në fazë në grupe, ndërsa më pas ishin çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja.

856214-20306580-2560-1440

SURPRIZAT – Anglia, Gjermania, Holanda apo edhe Danimarka ishin cilësuar si ekipet favorite për të triumfuar. Por, nuk munguan as rezultatet e papritura. Kampionët në fuqi të Evropës, danezët, nuk ia dolën që të kalojnë fazën në grupe. Ata u renditën në vendin e tretë, pas Portugalisë dhe Kroacisë, duke u kthyer në shtëpi para kohe. Një tjetër skuadër prestigjioze që nuk ia doli mbanë ishte Italia. Ekipi i Arrigo Sakit pati një fat të keq, ndërkohë që tifozët e kaltër nuk mund ta harrojnë lehtë Vladimir Smiçerin. Në ndeshjet e fundit të fazës në grupe, Italia dhe Çekia shkonin në kuotë të barabartë pikërisht, por me çekët që kishin golavarazh më të mirë.

bandicam 2024-06-10 16-48-40-158

“Axurrët” nuk arritën të marrin më shumë se një barazim pa gola ndaj një rivali tepër të fortë si Gjermania, ndërkohë që çekët rrezikuan eliminimin ndaj Rusisë. Këta të fundit kaluan në avantazh 3- 2 në minutën e 85-të, por vetëm dy minuta para fundit të ndeshjes Smiçer shënoi golin e barazimit, i cili dërgoi në shtëpi italianët. Nga ana tjetër, Holanda mezi arriti të sigurojë vazhdimësinë, kur humbja 1-4 ndaj Anglisë në ndeshjen e fundit mund të kishte qenë fatale. Por, Skocia nuk arriti të fitojë më shumë se 1-0 dhe u vulos prej ndeshjes direkte, çka u solli eliminimin këtyre të fundit.

ÇEREKFINALET – Në katër ndeshje të këtij raundi, dy prej tyre u vulosën prej gjuajtjeve të penalltive. Spanja dhe Anglia e mbyllën në barazim pa gola si kohën e rregullt, ashtu edhe shtesën. Nga pika e bardhë, iberikët gabuan dy herë, me anë të Hierros dhe Nadalit, ndërsa vendësit u treguan të saktë në të gjitha goditjet, duke siguruar kështu “biletën” për në gjysmëfinale. Franca dhe Holanda e vulosën fatin nga penalltitë, pasi ndeshja përfundoi gjithashtu 0-0. Por, “tulipanët” u kthyen në shtëpi, të dënuar nga 11-metërshi që humbi Klarens Sedorf. Gjysmëfinalet – Emocione të papërshkrueshme dhe drithërima deri në fund. Të dyja ndeshjet gjysmëfinale u vendosën nga pika e bardhë, pasi përfunduan në barazim 120 minutat e zhvilluara. Franca dhe Çekia nuk arritën të shënojnë asnjë gol gjatë ndeshjes, ndërsa nga pika e bardhë “gjelat” humbën në penalltinë e 11- të.

Ishte Pedros ai që gaboi, ndërsa Kadlec u tregua i saktë dhe duke dërguar në finale surprizën e atij viti, Çekinë. Kjo ishte arritja e tyre më e madhe që prej shpërbërjes së Çekosllovakisë dhe vazhdon të jetë po ajo. Në supersfidën tjetër, vendësit e Anglisë sfidonin nënkampionët në fuqi të Evropës, Gjermaninë. Shirer kaloi në avantazh “luanët” pas vetëm tri minutash, por mendoi Kuntz për të barazuar në të 16-ën. Pjesa e mbetur e takimit, edhe pse me disa raste mjaft të mira për shënim, nuk dhuroi gola të tjerë. Anglezët u ndëshkuan nga pika e bardhë. Garet Sauthgejt gaboi në penalltinë e gjashtë të ekipit të tij dhe “ëndrra” e vendit organizator u mbyll para kohe, një hap larg finales së shumëpritur.

FINALJA – Euro 1996 është cilësuar si një nga kompeticionet më emocionuese në histori. Shumë ndeshje të luftuara për shumë se 90 minuta dhe shumë të tjera të vendosura nga penalltitë. Finalja ishte “qershia mbi tortë”. Gjigantët e Gjermanisë përballë surprizës çeke. Skuadrat u munduan të ruhen për të mos pësuar gol në fillimin e lojës dhe pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Çekia e rriti ritmin në startin e 45 minutave të dyta dhe në fakt u shpërblye me një penallti. Karel Poborski u rrëzua brenda zonës dhe gjyqtari italian Paireto nuk dyshoi për të akorduar 11- metërshin, i cili u ekzekutua saktë nga Patrik Berger. Gjithsesi, gjermanët nuk u dorëzuan dhe fati i takimit u zgjidh nga një vendim “i artë” i trajnerit Berti Fogts. Në minutën e 69-të ai nxori nga loja Mehmet Shollin dhe futi në vendin e tij sulmuesin Oliver Bierhof.

Bomberi shtatlartë hyri në historinë e vendit të tij me produktivitetin e dhuruar në minutat e ardhshme. Vetëm katër minuta pasi kishte zbritur në fushë, ai shënoi golin e barazimit. Koha e rregullt u mbyll në barazim, ndërkohë në minutën e 95-të Oliver Bierhof shënoi “golin e artë”, i pari në histori, rregull i vendosur pikërisht para Euro 1996. Një gol që u dhuroi gjermanëve triumfin e shumëpritur…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"