Estefano mbyll pezullimin, Çela: Të bëhemi cinikë, me Bylisin është… finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2023 | 10:38

Estefano mbyll pezullimin, Çela: Të bëhemi cinikë, me Bylisin është… finale

Flamurtari shkon në Ballsh të dielën, atje ku e pret Bylisi. Vlonjatët e quajnë një finale, që duhet kaluar me sukses. Emiljano Çela e cilëson të vështirë përballjen me kryesuesit, por mendon se nuk ka vend për t’u frikësuar. Në prononcimin e dhënë për mediat, trajneri dha edhe një këshillë për të tijtë. Pret një skuadër cinike dhe të përqendruar deri në finish.cela

“Kjo me Bylisin, është patjetër më e vështirë se ajo që kaluam me Luzin. Kundërshtari është në vend të parë dhe mund ta quaj edhe finale. Jemi munduar të rikuperohemi këto ditë sa më shpejt dhe jemi gati për këtë 90-minutësh. Na duhet që të bëhemi më cinikë dhe të mos përjetojmë situata siç mund të na ndodhin në minutat e fundit. Kur shkojmë 2-0 si ndodhi në ndeshjen e kaluar, lojtarët kalojnë në njëfarë vetëbesimi dhe humbasin përqendrimin. Nëse humbet këtë, patjetër që ke probleme të tranzicioneve apo edhe në organizimin e zonave. Ky ishte edhe një element i rëndësishëm që ne pësuam gol nga Luzi. Gjithsesi, nuk ka asgjë për panik. Edhe pse golat që kemi pësuar i kemi marrë në mënyra të ndryshme dhe nga mungesa e përqendrimit, duhet të korrigjohemi”, shprehet fillimisht tekniku.

VAZHDIMËSIA – Memalioti ka një plan për ndeshjet e mbetura të 2023-shit: të kapin vendet e sipërme të klasifikimit.

“Nuk ka qetësi për ne. I kemi finale këto takime. Kemi edhe katër finale të tjera. Nuk ka qetësi për ne. Ajo për ne vjen pas datës 16 dhjetor kur mbarojmë finalen e fundit që e kemi këtu në fushën tonë kundër Lushnjës. I kemi vënë objektiv vetes dhe njëri-tjetrit që dhjetorin ta mbyllim aty ku e meritojmë në vendet më të larta të klasifikimit”.

ESTEFANO & CO – Aleksandre di Estefano e ka mbyllur pezullimin. Braziliani është stërvitur me grupin dhe grumbulluar për Bylisin. Të dielën do të udhëtojë drejt Ballshit, ndonëse gjasat i ka që të jetë në stol. Sulmuesi para Luzit u stërvit i veçuar në stadium dhe palestër. Lajm i mirë është rikthimi i Behar Ramadanit që ka shlyer dënimin nga kartonët. Ekipit do t’i mungojë një lojtar i rëndësishëm si Indio Oliveira, që është dënuar nga Disiplina për pesë ndeshje. Mungesave u shtohen edhe Antonio Ilieski, Elvi Berisha i larguar, si edhe Antoni Beji i sëmurë. Në dyshim është edhe Aleksandër Dalanaj i dëmtuar.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"