Erzeni sfidon Skënderbeun, Peposhi: Ia dalim edhe në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 23:49

Erzeni sfidon Skënderbeun, Peposhi: Ia dalim edhe në Korçë

Pas fitores ndaj Tiranës, te shijakasit është rikthyer qetësia. Mirëpo, koha nuk pret, pasi të shtunën Erzeni luan në transfertë kundër Skënderbeut një tjetër ndeshje delikate.

ardit peposhi

Trajneri Alfred Deliallisi po e përgatit në detaje këtë sfidë, ndërkohë që e ka të gjithë grupin në dispozicion. Ekipi po kalon një gjendje shumë të mirë psikologjike dhe është gati që të marrë fitoren e radhës në Korçë. Këtë e konfirmon për “Panorama Sport” edhe kapiteni Ardit Peposhi.

“Vijmë nga një fitore e rëndësishme kundër Tiranës. Kishim kohë që insistonim për tri pikët dhe ia dolëm. Kjo fitore na jep qetësi dhe ndikon shumë që situata jonë të mos komplikohet. Na u dha një forcë që të ecim më tej, me synimet që kemi. Tashmë luajmë një tjetër ndeshje të fortë me Skënderbeun. Ata na mundën në javën e gjashtë dhe janë skuadër e fortë. Bazuar në atë çfarë kundërshtari ka bërë kundër nesh, por dhe me ecurinë që ka pasur në këtë kampionat, them se nuk do e kemi aspak të lehtë.

Megjithatë, jam i sigurt që kemi aftësinë për t’i përballuar dhe pse jo të marrim tri pikë. Me një kontroll të rreptë në prapavijë, ashtu siç bëmë ndaj Tiranës, le të shpresojmë për më të mirën edhe në Korçë”, ka thënë mbrojtësi i majtë i shijakasve, i cili këtë sezon mban edhe shiritin e kapitenit, duke qenë një prej futbollistëve titullar në skuadër. Pas 14 javësh kampionat, Erzeni pozicionohet në vendin e shtatë me 16 pikë, duke qenë në një zonë të rrezikshme, por edhe afër katërshes, me vetëm dy pikë më pak.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"