“Elementët e rinj po ikin nga Shqipëria”/ Presidenti i Federatës së mundjes për “Panorama TV”: Kemi probleme me fondet, Fidel Ylli e ka detyrim të na ndihmojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2023 | 17:37

“Elementët e rinj po ikin nga Shqipëria”/ Presidenti i Federatës së mundjes për “Panorama TV”: Kemi probleme me fondet, Fidel Ylli e ka detyrim të na ndihmojë

Presidenti i Federatës shqiptare të mundjes, Sahit Prizreni dha një intervistë për emisionin “Panorama Sport”, me moderatoren Vjosana Nozllaku në Panorama TV. Ai foli për vitin që lamë pas, për medaljet e marra, për buxhetin dhe për faktin se shumë të rinj po ikin dhe nuk dëshirojnë që të jenë pjesë e këtij sporti.

203

“Viti që kaloi ka qenë fantastik për mundjen, kemi një kampion botë në sportin shqiptar dhe shyqyr zotit vjen nga mundja. Ne kemi marrë shumë medalje si ajo europiane e Islamit, medaljet në Lojërat Islamike dhe shumë medalje të tjera në turne Botëror. Viti i kaluar ishte edhe një risi që ne kishim organizuar, një turne botëror që është turne memorial Muhamet Malo që do të jetë i përvitshëm. Viti ka shkuar më i mirë se sa kishim menduar, ky që do vijë do të jetë edhe më i mirë. Medalja e parë që kam marrë ka qenë ajo për të rinjtë në 2002, në 2007 mora medaljen e bronzit, ndërsa në vitin 2011 u shpalla nënkampion Europe dhe këto kanë qenë rezultatet e mia më të mira dhe të Federatës. Unë e mbylla karrierën time me Australinë, në atë kohë sporti kishte probleme mes Komitetit Olimpik, federatave dhe mes njohjes që ato vite po kalonte sporti. Të bësh sport të mundjes është kompleks dhe jo çdo i ri arrin ta bëjë, ka qenë i vështirë.

Elementët e rinj po na ikin. Jemi në fund të muajit janar, sot fola me zv. ministrin dhe shpresojmë që këto dy ditë të dalë fondi. Buxheti del për të gjitha federatat, dhe janë të gjitha që e presin. Nëse flasim për shpërblime atëherë është gjë tjetër sepse ato janë aderuar tashmë sportistëve. Buxheti duhet të jetë në fillim të vitit, dhe vjet ka qenë një katastrofë si nga fondi, koha dhe mënyra se si është shpërndarë. Ne si të gjitha federatat e kemi dërguar planin dhe gjithmonë përgjigja është po presim për buxhetin. Ne si drejtues federate e kemi të vështirë të procedojmë sepse është bërë e lodhshme dhe e përvitshme. Këto probleme janë me të gjitha sportet, jo vetëm me mundjen.

Ne kemi rregulluar disa palestra në Vlorë, Kukës, Kavajë, vetëm me fonde të njerëzve që janë dashamirës, nuk bëhet fjalë për bashki apo ministri. Ne po u japim mundësinë këtyre të rinjve që të mos largohen. Por federata është e pamundur ta bëjë këtë vetë, se kemi rol vetëm organizativ. Unë vij nga mundja, i di problematikat në detaj e thelb, dhe më detyron që të shkoj të merrem edhe me punët e bashkisë le të themi. I vetmi klub që është model për të gjitha qytetet është klubi i Tiranës.

Pse zgjodhën Abakarov dhe Dudaev Shqipërinë? Duke u nisur që sporti është jetëshkurtër dhe ne sportistët rrojmë për një mundësi, fakti që Rusia tashmë ka sanksione, që ka një numër të madh sportistësh cilësorë dhe për ata që është e pamundur të përfaqësohen dhe Shqipëria ka nevojë për sportistë cilësorë. Abakarov është një model se si duhet të stërvitesh. Përveç imazhit që jep, ai jep edhe modelin për të cilin ne kemi nevojë, për njerëz që nuk janë thjesht fasadë, por për ata që janë çdo ditë dhe që kontribuojnë.

Viti aktual që jemi është viti olimpik për ne, drejt normës kualifikuese dhe është shumë, shumë, shumë i rëndësishëm. Këtë vit do të zhvillojmë edhe Kampionatin Europian U17 në qershor në Shqipëri. Ka angazhim shumë të madh përmes federatës. Përmes tyre shpresojmë të gjejmë bashkëpunim me Ministrinë e Bashkinë.

Marrëdhënia me Fidel Yllin është mbi 20 vjeçare, sepse dihet se ai vjen nga sporti i mundjes, është një marrëdhënie e mirë, mund të ishte shumë më e mirë. Mund të thosha marrdhënie e çarë për të vetmen arsye se si nuk po e trajtojmë dot kampionin e botës. Ky është një nga ngërçet që ne kemi aktualisht dhe mendoj se President ka shumë punë për të bërë për KOKSH dhe federatat e tjera dhe nuk mendoj se është e drejtë që të merret me punët e mundjes, ai e ka detyrim dhe obligim të ndihmojë mundjen, Deri tani ai e ka bërë në njëfarë mënyre se në dy projekte që i kemi çuar, na i ka realizuar. Por marrëdhënia mbetet institucionale dhe shpresoj që të jetë ndryshe nga ai Komiteti Olimpik që ka ekzistuar sepse dihet që KOKSH ka një histori të trishte dhe të errët në vendin tonë. Shpresoj që Fideli me stafin e tij t’i japë një ndryshim asaj.

Fonde nga KOKSH për mundjen? Për fondet duhet të pyetni vetë Fidelin se duke marrë shkas bisedat e vitit të kaluar, gjërat kanë qenë ndryshe. Fideli ka qenë gjithmonë një zë i fortë për sportin, por mendoj se është pyetje që i duhet bërë atij sepse KOKSH nuk është se ka sportistë, janë federatat që kanë sportistë e duhet të merren me ta.

Objektivi për këtë vit është shumë i qartë, është norma kualifikuese, shpresoj që ky vit të mos ketë vetëm 2 norma olimpike, por të ketë më shumë. Shqipërisë i mungon një medalje olimpike dhe mendoj se ne si federatë kemi potencial për ta arritur këtë. Ky është objektivi kryesor, por vazhdojnë edhe angazhime e aktivitete që janë të rëndësishme edhe për grupmosha të tjera.

Nga kush presim medalje? Unë mendoj që absolutisht Abakarov, por kemi edhe të tjerë që janë 4-5 sportistë, për të mos folur për të rinjtë si Shehaj, do kemi medalje. Por dy emrat kryesorë janë Dudaev dhe Abakarov, u shpreh Sahit Prizreni për “Panorama TV”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"