Elbasani ruan grupin e vjetshëm, afrimet orientohen nga tregu i huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2024 | 12:00

Elbasani ruan grupin e vjetshëm, afrimet orientohen nga tregu i huaj

Edhe pse aktualisht po mungojnë zyrtarizimet në merkato, në kampin elbasanas e kanë të qartë se ndërtimi i një skuadre pretendente kërkon patjetër ndërhyrje.

elbasani

Së fundmi, kanë dalë në skenë pistat e lojtarëve të huaj, të cilët shihen si një mundësi e mirë për të përforcuar skuadrën gjatë merkatos së verës. Burime të gazetës pranë klubit pohojnë se po marrin në shqyrtim CV-të e disa futbollistëve që luajnë në kampionate të rëndësishme jashtë vendit dhe të vendosin se cilëve mund t’u bëjnë ofertë. Largimi i katër të huajve në përfundim të këtij edicioni nuk i ka stepur për të gjetur sërish futbollistë nga jashtë vendit. Tregu shqiptar mesa duket nuk ofron shumë alternativa, edhe për faktin se pjesa më e madhe e lojtarëve “big” luajnë në skuadrat që janë pjesëmarrëse në Europë dhe për më tepër që janë edhe nën kontratë. Për këtë arsye, është duke u studiuar me kujdes tregu i huaj, edhe me lojtarë shqiptarë që luajnë jashtë vendit dhe do të ishin të gatshëm të riktheheshin për një tjetër aventurë në Shqipëri. Madje, numri i tyre është i konsiderueshëm dhe duke qenë sesa kanë dalë nga kampionati shqiptar e kanë shumë më të lehtë përshtatjen, gjë që një skuadre si Elbasani i shërben shumë në këtë momente, pasi është edhe debutuese në elitën e futbollit shqiptar.

SITUATA – Ajo që i “ngroh” elbasanasit për momentin dhe që nuk kanë ngut sa i përket merkatos, lidhet me faktin se grupi bazë i lojtarëve që do të përballojë sezonin është i gatshëm nga edicioni i kaluar. Jo më kot lojtarët titullarë të afruar sezonin e kaluar vinin nga elita. Ata i shërbyen ekipit për ngjitjen, por mbi të gjitha janë gati dhe të harmonizuar për sezonin e ri në Superiore. Siç është bërë e ditur edhe më herët nga drejtuesit, më shumë se 70% e lojtarëve aktualë do të qëndrojnë, edhe për faktin se janë nën kontratë me klubin. Deri me tani nga skuadra janë larguar pesë lojtarë: Karakaçi, Salomao, Fernandesh, Bobi dhe Ivan, ndërkohë që në ditët në vijim do të ketë edhe largime të tjera, sepse duhet t’u lënë vend afrimeve në merkato. Sakaq, do të afrohen edhe lojtarë nga moshat, të cilët do të shihen me prioritet nga drejtuesit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"