EKSKLUZIVE/ “Zhduken” mandatet e shitjeve, skandal te Tomori! Flet edhe babai i Bitrit: Kam dhënë 3 milionë lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2023 | 13:57

EKSKLUZIVE/ “Zhduken” mandatet e shitjeve, skandal te Tomori! Flet edhe babai i Bitrit: Kam dhënë 3 milionë lekë

Hije skandali te Tomori. Është administratori Ismet Ajazi që hedh dritë për disa transaksione financiare të kryera në të shkuarën nga ana e ish-drejtuesve të klubit. Gjithçka lidhet me transferimet më të bujshme të bëra nga beratasit, konkretisht atë të Myrto Uzunit në janarin e 2015-ës tek Apolonia dhe Eno Bitrit te Partizani në korrikun e 2017-ës.

Collage Maker-11-Sep-2023-01-57-PM-3414

Këto lëvizje janë kryer mbi bazën e një pagese financiare në fakt, por çështja është se në arkivin e klubit nuk gjendet asnjë mandat. Në rastin e sulmuesit pagesa shkonte në 400 mijë lekë të rinj nga ana e klubit fierak, ndërsa në të dytin kanë qenë familjarët e ish-kapitenit që kanë dhënë një shumë prej 300 mijë lekësh të rinj.

AJAZI NGRE AKUZA PËR ISH-DREJTUESIT
Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, administratori për këtë temë thotë: “Kam kërkuar prej kohësh dokumentacionin përkatës në arkivin e cunguar të klubit, të cilën e kam marrë në dorëzim sa kohë drejtoj si administrator Klubin e Futbollit Tomori. Më së shumti ka qenë debati më i fundit publik midis dy klubeve të Apolonisë dhe Laçit, që hapin procese gjyqësore, për një ish-futbollist si Myrto Uzuni, i lindur dhe promovuar në Berat. Por për fatin tonë të keq, klubi mëmë që formoi dhe promovoi talentin e Uzunit, ka përfituar deri tani vetëm shumën e 10.000 eurove, sipas rregullores së FIFA-s.

Me këtë rast, kërkova dhe ktheva përmbys arkivin e klubit, për të gjetur mandatin e pagesës që klubi i Apolonisë ka paguar për kalimin e Uzunit në Fier. Jo vetëm kaq, por në arkiv mungon edhe mandati i pagesës së familjarëve të ish-kapitenit Eno Bitri”, tha fillimisht ai. Më tej, u ndal edhe një tjetër çështje. Ai pretendon se ka mungesë dokumentacioni edhe për disa investime të rëndësishme në impiantet e futbollit. Një prej të cilëve investimi disa milionësh në ish-stadiumin e vjetër të qytetit, për ndërtimin e një pusi që do të vinte në punë sistemin e vaditjes për ishfushën e vjetër, por që nuk u vendos në funksion asnjë ditë të vetme. “Për të mos folur për ndërtimin e një pusi që është bërë legjendë në Berat, si dhe plot investime të tjera të kryera para mandatit tim. Nga eksperienca ime e gjatë si nëpunës shteti dhe drejtues, arkivi në një institucion është një nga hallkat më të rëndësishme dhe humbja apo zhdukja në çdo rast është sa e pafalshme aq edhe e dënueshme”, përfundoi Ajazi.

REAGON BABAI I BITRIT
Në sinkron me shqetësimin e administratorit të Tomorit, është edhe deklarata e babait të futbollistit të njohur beratas dhe të ekipit tonë kombëtar, Eno Bitri. Zoti Xhovan Bitri rrëfen për gazetën se i ka dhënë paratë, por mandat nuk mori kurrë. “Besoj në çdo gjë që ngrihet për mungesën e dokumentacionit mbi kontratat apo transferimin e futbollistëve nga njëri klub në tjetrin. Me mua u sollën akoma më keq, poshtërsisht mund të them. Djali im meritonte më shumë respekt për kontributin e dhënë. Drejtuesit e atëhershëm të klubit, më kërkuan 300 mijë lekë të rinj për lejekalimin. Dhe, pasi morën shumën që kërkonin, nuk më dhanë as mandat arkëtimi. Këtë e deklaroj hapur dhe kudo. I kujtoj dhe prerjet pesëdhjetëshe, por edhe irritimin e drejtë të familjarëve të mi. Ishte vërtetë e turpshme”, përfundon babai i ish-kapitenit të Tomorit.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"