EKSKLUZIVE/ Skënderbeu akord me portierin e Superiores, Ruçi mbetet në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2023 | 14:10

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu akord me portierin e Superiores, Ruçi mbetet në Kategorinë e Parë

 Skënderbeu bën goditjen e parë në merkato për sezonin e ardhshëm që korçarët rikthehen në Superiore. Edhe pse vetëm pak ditë më parë përfundoi kampionati, drejtuesit filluan menjëherë riformatimin e ekipit. Gjithçka nis nga porta, teksa “Panorama Sport” zbulon se vlonjati Edmir Sali është zgjedhja e parë e merkatos nga ana e bardhekuqve.

Skenderbeuuuu

Burime të sigurta pranë klubit korçar bëjnë me dije se Skënderbeu ka arritur marrëveshjen me gardianin vlonjat të Kastriotit, klub me të cilin luajti në sezonin e fundit. Të njëjtat burime thanë për gazetën se gjithçka mes palëve është mbyllur dhe akordi me bardhekuqtë është i sigurt aq sa pritet vetëm zyrtarizimi nga ana e klubit. Në të tilla kushte mund të quhet afrimi i parë i Skënderbeut për sezonin e ri. Sali, ka luajtur më herët me Flamurtarin, Laçin dhe së fundi me Kastriotin, ndërsa vijon të mbetet në Superiore tani si pjesë e Skënderbeut.

LARGIMI – Me afrimin e Edmir Salit në portë, duket se kanë filluar edhe spastrimet e para të bardhekuqve nga ekipi që mbylli sezonin e shkuar. Burime në klub bëjnë me dije se si Shkëlzen Ruçi ashtu edhe Herdis Alliu nuk do të jenë më pjesë e Skënderbeut për sezonin e ri. Një kërkesë kjo e vetë trajnerit Ivan Gvozdenoviç që ka kërkuar të tjera alternativa për të blinduar portën bardhekuqe. Nëse me Alliun ende asgjë nuk është mbyllur, për shkak të kontratës në vazhdim, e kundërta ndodhi me Ruçin. Portieri elbasanas mbylli kontratën me Skënderbeun dhe u la të largohej si lojtar i lirë.

“Dua t’u bëj me dije që nuk jam më pjesë e Skënderbeut, pas një bisede të bërë me presidentin. Për arsye familjare kam vendosur të mbyll këtu këtë aventurë. Falënderoj presidentin Ardian Takaj, trajnerin dhe stafin drejtues, gjithë shokët e ekipit në këto dy vite të paharrueshme dhe tifozët e mrekullueshëm, ‘ujqërit’, që më kanë bërë të ndihem si në shtëpinë time”, ka thënë portieri elbasanas. Ndërkohë, pak orë pas largimit nga korçarët, portieri elbasanas u zyrtarizua si afrimi më i ri i Vorës, që është ngjitur në Kategorinë e Parë. Nga ana tjetër duket se Skënderbeu do të jetë sërish aktiv në merkato edhe për portën, ku përveç Salit, kërkohet një tjetër portier i nivelit të lartë për të pasur të sigurt kuadratin bardhekuq.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"