EKSKLUZIVE/ “Shkojmë në grupet e Konferencë Ligës”, Regi Lushkja: Egnatia, zgjedhje për t’u shpallur kampion (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2024 | 11:00

EKSKLUZIVE/ “Shkojmë në grupet e Konferencë Ligës”, Regi Lushkja: Egnatia, zgjedhje për t’u shpallur kampion (E PLOTË)

Blerja më e bujshme e kësaj merkato vere është padiskutim transferimi i Regi Lushkjes tek Egnatia. Mesfushori kavajas mbylli bashkëpunimin me Tiranën për të firmosur për tre vite me skuadrën rrogozhinase. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Lushkja shprehet se zgjodhi kampionët e Shqipërisë, pasi mendon se është destinacioni i duhur në këtë moment të karrierës.

Redi Lushkja

Lushkja, cili ishte motivi kryesor që zgjodhët Egnatian?

Sapo mbylla bashkëpunimin me Tiranën, kam pasur shumë oferta brenda dhe jashtë vendit. Mora kohën e nevojshme dhe së bashku me menaxherin tim Indrit Caca vendosëm të firmosim për Egnatian. Motivi që më shtyu të firmos me klubin rrogozhinas është projekti që ka klubi për të qenë për shumë vite një ekip pretendent për çdo trofe të mundshëm. Bisedova me presidentin Agim Demrozi, i cili më shprehu besimin dhe në diskutimet që kam pasur me drejtorin teknik dhe trajnerin vërejta që kanë vlerësim maksimal dhe dëshirë të punonim bashkë. I gjendur në këto kushte vendosa të firmos për tre vite me Egnatia dhe realisht ndihem i lumtur që ndodhem te ky klub që e konsideroj si shtëpinë time, pasi është 15 kilometra nga qyteti i lindjes, Kavajës.

Si do ta përshkruanit aventurën me Tiranën?

Tirana është një klub i madh që pata fatin të jem pjesë e një historie të jashtëzakonshme të futbollit shqiptar. Ka qenë një eksperiencë që më ka vlejtur, pasi aty kërkohet gjithmonë maksimumi. Kemi pasur uljengritje tona vitin e fundit duke mos arritur objektivat që i kishim vendosur vetes, sepse ndodh shpesh që kur ke shuma emra cilësor në ekip mund edhe të dështosh. Gjithsesi, ne treguam në Kupat e Europës se çfarë mund të bënim, duke treguar cilësitë që realisht dispononim. Këtë performancë për një mijë e një arsye nuk i treguam edhe në kampionat për një sërë arsyesh të cilat nuk më takon të ndalem. Gjithsesi, falënderoj gjithkënd me të cilët punova te Tirana dhe veçanërisht tifozët e mrekullueshëm bardheblu.

Si jeni ndier me skuadrën e re?

Jam ndier realisht shumë mirë, pasi kam gjetur një ambient të ngrohtë dhe një bashkëpunim të frytshëm nga të gjithë aktorët e klubit. Fatmirësisht i njoh të gjithë lojtarët me të cilët kam pasur fatin të luaj me një ekip si Sherri, Fangaj, Aleksi dhe mendoj që do ta kem të lehtë të përshtatem me taktikat e trajnerit Edlir Tetova. Egnatia do të jetë shpejt në majën e futbollit shqiptar.

Çfarë synoni në Ligën e Kampioneve?

Është një kompeticion që kam provuar ta luaj edhe më parë dhe jam i lumtur që do të kem fatin të përjetoj emocionet e evenimentit më prestigjioz për klube në kontinentin europian. Besoj shumë që Egnatia do të sigurojë grupet e Konferencë Ligë.

Cilat janë objektivat që i keni vendosur vetes për këtë sezon?

Objektivi im është që të respektoj besimin e klubit duke dhuruar performanca pozitive në fushën e lojës. Shpresoj të kem vazhdimësi në aspektin fizik për të qenë gati në ndihmë të skuadrës. Dua të shkojmë sa më larg në Kupat e Europës dhe normalisht synoj që të mbrojmë trofetë, të cilat janë fituar këtë sezon.

I druheni konkurrencës që do të keni tek Egnatia?

Unë jam i vetëdijshëm se ku kam ardhur. E cilësova edhe më lart, dua të jem mirë fizikisht dhe nuk kam pse t’i druhem konkurrencës. Rivaliteti më pëlqen pasi më shtynë të tejkaloj veten për të dhënë më të mirën time. Kam respekt dhe vlerësim maksimal për shokët e ekipit dhe bashkë mendoj se do të realizojmë gjëra të mëdha këtë sezon.

Cili do të jetë numri që do të mbani në fanellë?

Numri që do të mbaj në fanellë është 70. 10 dhe 22, që janë dy numrat e mi të preferuar janë të zënë. Pak rëndësi ka numri që do të mbaj mbi shpinë, mua më intereson që ta përfaqësoj denjësisht fanellën që do të vesh.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"