EKSKLUZIVE/ Partizani gjen trajnerin e ri, ja kush e merr drejtimin e kampionëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2023 | 8:20

EKSKLUZIVE/ Partizani gjen trajnerin e ri, ja kush e merr drejtimin e kampionëve

Xhovani Kolela, zyrtarisht nga dita e djeshme, nuk është më trajner i Partizanit. Siç ishte paralajmëruar nga “Panorama Sport” pak ditë pas suksesit në kampionat, trajneri dhe klubi janë ndarë ditën e djeshme. Lajmin e ka bërë me dije vetë klubi i kuq përmes një deklarate publike, ku shkruan se ka qenë Kolela ai që ka dhënë dorëheqjen, ndërkohë që nuk përjashtohet një bashkëpunim tjetër me trajnerin edhe në të ardhmen.

partizani

“Partizani njofton mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Xhovani Kolela, i cili sot i ka prezantuar dorëheqjen e parevokueshme presidentit Demi. Trajneri largohet nga Partizani pas një viti të suksesshëm, ku arriti së bashku me skuadrën objektivin madhor, titullin kampion… Falënderojmë për kontributin “mister” Kolelën, që largohet nga Shqipëria si trajneri kampion, dhe i bëjmë me dije se dera e Partizanit do të mbetet e hapur për bashkëpunime të tjera në të ardhmen. Faleminderit mister! Ti mbetesh njëri prej nesh”, shkruhet në postimin e klubit të kuq.

Pavarësisht deklaratës diplomatike të klubit, dihet se situata ka qenë e papritur për Kolelën, i cili edhe në daljet e tij publike është shprehur thuajse i bindur se do të ishte te Partizani edhe në sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, ndarja nuk ka qenë me “luftë” dhe palët janë ulur dhe kanë shtrënguar duart pas një marrëveshjeje financiare mbi kontratën. E sigurt është që trajneri italian nuk është ndierë aspak mirë pas vendimit të klubit për të ndërprerë marrëdhënien me të.

TRAJNERI I RI Situata e pasuesit të italianit te Partizani ka ndryshuar tërësisht. Deri më tani Tomislav Stipiç ishte alternativa e pritshme për stolin e të kuqve, por duket se kur palët kanë hyrë në bisedime më të thella, gjithçka është kthyer. Pretendimet e konsiderueshme financiare dhe impenjimet e tjera të tij e kanë detyruar Partizanin të tërhiqet dhe të shohë për alternativë tjetër. Koha nuk premton dhe menjëherë është kaluar në opsionin tjetër, ku mësohet se është arritur një marrëveshje paraprake me Zoran Zekiç, i cili ka një eksperiencë ndoshta më të madhe se Stipiç.

Madje, ai ka qenë më parë në Shqipëri me skuadrën e Sherif Tiraspolit, ku ka sfiduar pikërisht Partizanin në turin e parë të Champions League në sezonin 2019-2020, kur ka arritur t’i eliminojë “demat”. Në atë përballje ndaj të kuqve ka luajtur një pjesë edhe Liridon Latifi, i cili ishte pjesë e skuadrës moldave, të drejtuar nga Zekiç. 49-vjeçari ka drejtuar edhe skuadra të tjera me emër si Osijek në Kroaci, Dijosgor në Hungari dhe së fundmi Slaven Belupon po në atdhe, ku u nda më 29 maj, në ditën kur Partizani fitoi titullin kampion pas ndeshjes me Teutën.

Në dy vite me Slaven Belupon, Zekiç drejtoi në 72 ndeshje, duke regjistruar 23 fitore, 29 humbje dhe 20 barazime. Eksperiencën më të mirë në karrierën si trajner ai e ka në Moldavi me Sherifin në sezonin 2018- 2019, kur ka fituar kampionatin dhe Kupën. Në atë sezon edhe Partizani festonte titullin me Skënder Gegën. Pritet që në orët në vijim Zekiç të zyrtarizohet si tjneri i ri i Partizanit e më pas të prezantohet para mediave.

zekic (1)

Zoran Zekiç

Zoran Zekiç

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"