EKSKLUZIVE/ “Nuk ishte penallti”, ish-gjyqtari Shpëtim Lamçe: Behiratçe nuk bën asnjë faull, nuk e kuptova se përse… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 23:23

EKSKLUZIVE/ “Nuk ishte penallti”, ish-gjyqtari Shpëtim Lamçe: Behiratçe nuk bën asnjë faull, nuk e kuptova se përse… (E PLOTË)

Ishte minuta e 74-t kur Kridens Meta bëri me shenjë për te pika e bardhe e penalltisë. I prerë në qëndrimin e tij, ai është i bindur se kontakti mes Behiratçes dhe Kaçorrit është në limitet e 11-metërshit dhe e akordoi atë me vendosmëri. Pas kësaj ka protesta të mëdha nga Tirana, por janë të kota. VAR-i nuk e thërret kryesorin Meta që të shohë edhe një herë pamjet në ekran dhe ai nuk ndryshoi mendje. Ishte një penallti, që me shumë të ngjarë mund t’i kushtojë titullin Tiranës, por kjo pa dyshim nuk përligj invadimin e fushës dhe dhunën pas ndeshjes nga tifozët bardheblu.

WhatsApp Image 2023-05-26 at 08.20.46

Megjithatë, për t’iu rikthyer episodit që vendosi ndeshjen dhe ndoshta fatet e një sezoni të tërë, gazeta u përpoq të merrte një koment nga një ish-arbitër që është jashtë konfliktit të interesit dhe nuk ka asnjë lidhje me dy klubet, por mbi të gjitha nuk ka lidhje me FSHF-në.

Gazeta “Panorama Sport” bisedoi me ish-gjyqtarin Shpëtim Lamçe dhe ai është i mendimit se arbitri Meta u nxitua te vendimi për të dhënë penallti. Sipas tij, minimalisht Meta duhej ta shikonte në VAR dhe pastaj të merrte një vendim më të pjekur.

shpetim lamce

Z.Lamçe, e shikuat rastin e penalltisë në ndeshjen Tirana-Bylis 2-2?

Po, sigurisht që e pashë. E ndoqa ndeshjen “live”.

Sipas jush ishte penallti apo jo?

Të them të drejtën mendoj se nuk ishte penallti.

Pse mendoni kështu?

Sepse nuk ka asnjë element sipas meje që të akordohet 11- metërsh. Jo çdo kontakt brenda zonës është penallti.

A mund të jeni pak më i qartë…?

Shikoni, mbrojtësi i Tiranës po dylufton trup me trup, pa duar, pa zgjatje këmbe dhe pa tërheqje fanelle. Ai është veprimi normal i çdo mbrojtësi kundrejt një sulmuesi në zonë. Pra lufton me shpatull, i rri ngjitur kundërshtarit, por pa përdorur duart për shtyrje apo këmbët për pengim. Unë nuk shoh asnjë moment që ai ta shtyjë me duar. Vrulli i Behiratçes është në kufijtë e duelit sportiv dhe ai nuk bën asnjë faull në atë rast. Për mua nuk është penallti ajo.

A mund të ishte parë ai rast në VAR?

Patjetër që po. Mendoj se arbitrat e VAR-it duhej ta kishin thirrur kryesorin, jo vetëm për tensionin që u krijua, por për shkak se penalltia e akorduar nuk i ka elementet për të qenë e tillë. Ndaj u befasova që arbitri nuk shkoi as ta shikojë në VAR. Mund t’i qëndronte sërish besnik vendimit të marrë në fillim, por të paktën shkonte atje dhe e shikonte me qetësi. Nuk di çfarë të them, kjo për mua është paksa e çuditshme.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"