EKSKLUZIVE/ Një tjetër sportist rus i bashkohet Shqipërisë, gati debutimi në Europian. Prizreni: “Vjedhje” spektakolare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2024 | 15:28

EKSKLUZIVE/ Një tjetër sportist rus i bashkohet Shqipërisë, gati debutimi në Europian. Prizreni: “Vjedhje” spektakolare

Pas Zelimkhan Abakarovit dhe Islam Dudaevit, Federata Shqiptare e Mundjes ka realizuar një tjetër goditje të madhe, duke veshur kuqezi rusin e tretë. Ai është Chermen Valiev, 25-vjeç, një mundës shumë cilësor në stilin e lirë. Lajmin e afrimit të tij në radhët e Kombëtares e ka dhënë vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Prizreni ka bërë të ditur se Valiev i është bashkuar Shqipërisë dhe se do të debutojë në Kampionatin Europian, event që po mbahet në Bukuresht.

MixCollage-14-Feb-2024-03-23-PM-3807

“Chermen Valiev është zyrtarisht pjesë e Kombëtares. Është licencuar dhe regjistruar në Federatën Shqiptare të Mundjes dhe është i konfirmuar për pjesëmarrjen në Kampionatin Europian që tashmë ka nisur në Bukuresht, teksa do të garojë në stilin e lirë për peshat 74 kg”, shprehet Prizreni.

Kreu i FSHM-së, thekson se bëhet fjalë për një mundës me shumë cilësi: “Veliev është një nga sportistët më të mirë që ka pasur Rusia. Ai është shpallur kampion bote për U-23 në kampionatin e zhvilluar në vitin 2021. Vjet është shpallur kampion në Rusi, ndërsa këtë vit do të përfaqësojë Shqipërinë”.

Prizreni shprehet se federata në bashkëpunim me Komitetin Olimpik kanë bërë një punë të shkëlqyer duke e mbyllur afrimin në kohë rekord: “Ajo që mund të them është se kemi bërë një punë fantastike, do ta quaja një ‘vjedhje’ ndaj shtetit rus, duke i marrë një sportist të shkëlqyer vetëm 25-vjeç. Një mundës shumë premtues, të cilin do ta quaja sportist model, duke parë edhe dëshirën, disiplinën, talentin dhe cilësitë që ka.

Për këtë pjesë ka ndihmuar shumë edhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, i cili na ka bërë të mundur që të marrim vizën dhe lejen e qëndrimit në kohë rekord, punë dy ditësh. Kjo gjë na mundësoi edhe licencimin në federatën botërore. Valiev tashmë është me leje qëndrimi dhe shumë shpejt do të pajiset edhe me pasaportë”, shprehet ish-kampioni i madh i mundjes shqiptar, i cili tashmë drejton federatën.

PRITSHMËRITË – Sahit Prizreni ka folur edhe për pritshmëritë e Shqipërisë në Europian, ku synohen medalje të arta, jo vetëm me Valievin:

“Absolutisht kam shumë besim që ai do të shpallet kampion Europe, ashtu sikurse presim edhe nga Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev. Sigurisht që çdo medalje do të ishte arritje. Tani jemi edhe në një vit olimpik dhe synimi mbetet Olimpiada. Pas Abakarovit, tashmë të kualifikuar, do të tentojmë edhe dy mundësitë e fundit pas Europianit, të cilat janë në Azerbajxhan dhe Turqi në muajt prill, maj”.

BOTËRORI NË TIRANË – Ndërkohë kreu i FSHM-së ka zbuluar marrjen e organizimit të një tjetër evenimenti madhor ndërkombëtar, ku për herë të parë Shqipëria do të presë Botërorin U-23:

“Të hënën më është konfirmuar marrja e një organizimi të madh në Shqipëri siç është Kampionati Botëror për të rritur për katër peshat që nuk marrin pjesë në Lojërat Olimpike. 4 pesha në stilin e lirë, 4 në atë greko-roman dhe 4 për femra. Pra, kjo është risia më e fundit dhe të marrësh një Kampionat Botëror në Shqipëri është gjë e madhe, ndërsa ne siç dihet kemi, marrë edhe Botërorin U-23, ku pas këtij evenimenti tani do të mbajmë edhe Botërorin për të rritur. Gjithashtu në vendin tonë do të zhvillohet edhe Kongresi i Federatës Botërore të Mundjes në Tiranë. Pra, mundja shqiptare ndodhet në një tjetër nivel edhe pse kushtet këtu siç dihet nuk janë absolutisht të favorshme”, përfundon Prizreni.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"