EKSKLUZIVE/ Një fitore në shtatë ndeshje, trajneri i skuadrës së Suepriores rrezikon stolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2023 | 8:35

EKSKLUZIVE/ Një fitore në shtatë ndeshje, trajneri i skuadrës së Suepriores rrezikon stolin

Vetëm një fitore në sh tatë ndeshje nën drejtimin e Vllaznisë dhe eliminim nga Kupa e Shqipërisë. Këto rezultate të trajnerit Goce Sedloski në krye të pankinës shkodrane kanë lënë shije jo të mirë në këtë fundsezoni, me klubin që rrezikon seriozisht daljen nga çdo objektiv. Kur mbeten edhe katër ndeshje për t’u luajtur, synimi i Vllaznisë është që të kapë të paktën vendin e katërt, në mënyrë që të jetë pjesë e Europës.

balaj sedloski

Kjo është mundësia e fundit që kuqeblutë kanë këtë sezon dhe drejtuesit presin që skuadra dhe stafi të justifikojnë besimin, pasi pjesëmarrja në Ligën e Konferencës ka qenë si detyrim në fillim të këtij sezoni dhe tashmë nuk ka asgjë të sigurt. Sedloski nisi karrierën te Vllaznia me një fitore 3-1 në Shkodër kundër Erzenit.

Atmosfera e krijuar pas kësaj ndeshjeje krijoi iluzionin se dora e maqedonasit do të jepte efekte të menjëhershme. Mirëpo, në vijim erdhi një barazim në Kukës dhe më pas humbja në shtëpi me Tiranën, që nxori zbuluar Vllazninë për forcën që kishte.

Më pas humbja e thellë në shtëpi nga Egnatia dhe eliminimi nga Kupa po ndaj skuadrës rrogozhinase, duket se mbushën kupën.

Pas 32 javësh kampionat, Vllaznia jo vetëm që nuk është në tri vendet e para, por ndodhet e pesta dhe për të shpresuar Europën i duhet të kalojë Laçin e vendit të katërt. Një zhgënjim më vete ishte edhe barazimi i fundit në kampionat me Kastriotin në minutat e fundit në “Elbasan Arena”.

SITUATA – Kjo situatë ka tejkaluar çdo parashikim të drejtuesve, të cilët në fund të sezonit do të bëjnë një analizë të hollësishme për të marrë vendimet e duhura. Në rast se klubi nuk shkon në Europë, atëherë e sigurt është që edhe e ardhmja e trajnerit Sedloski është në dyshim të madh.

Edhe pse klubi ka njoftuar që kontrata me trajnerin është deri në fund të sezonit 2023-2024, “Panorama Sport” mëson se palët do të ulen në bisedime nëse nuk arrihet asnjë objektiv për kampionatin aktual. Kësisoj, për maqedonasit kusht mbetet kapja e vendit të katërt dhe shanset janë të mëdha.

Duke filluar nga ndeshja e së mërkurës me Teutën, kuqeblutë janë të dënuar për të fituar, pasi kështu heqin qafe një rival direkt për vendin e katërt dhe nga ana tjetër, i bëjnë presion Laçit.

Vetë Sedloski ka paralajmëruar se e ardhmja e tij me Vllazninë varet nga ajo që do të arrijë me të deri në fund të këtij sezoni. Por, për të arritur Europën, tashmë i duhen vetëm fitore.

Pas debutimit me Erzenin, ka marrë tri barazime, duke përfshirë edhe atë të Kupës, si dhe tri humbje, ku njëra ishte një nga më të thellat në 13 vitet e fundit. Në këtë finish, kalendari është i egër për kuqeblutë, sepse pas Teutës do të luajnë me Partizanin dhe Laçin, ndërsa e mbyllin kampionatin kundër Bylisit në transfertë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"