EKSKLUZIVE/ Një fierak në mes, Dinamo-Besa sikletos ish-kapitenin Poçi: I dua të dyja në elitë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2022 | 10:24

EKSKLUZIVE/ Një fierak në mes, Dinamo-Besa sikletos ish-kapitenin Poçi: I dua të dyja në elitë!

Besa-Dinamo është një tjetër sfidë nga ato të Kategorisë së Parë që do të thotë shumë për futbollin shqiptar. Ka në mes historinë dhe traditën e dy shkollave futbolli, që kanë nxjerrë sa e sa talente. Për ata që kanë veshur fanellën e të dyja këtyre skuadrave është pastaj diçka speciale, si në rastin e ish-mesfushorit Artion Poçi.

Poci-kur-luante-me-dinamon

Edhe pse nuk është as kavajas dhe as kryeqytetas, ai mbetet një simbol sa herë që flitet për Dinamon dhe Besën e pas viteve 2000. Ka dhënë shumë në fushë për vite me radhë dhe ka fituar trofe me blutë dhe me kavajasit, ndaj edhe ndeshjen e së shtunëse ndien pak më shumë se të tjerët.

“SKANERI” Ka qenë kapiten me të dyja skuadrat, ndaj flet me emocione për këtë përballje. Teksa bën një analizë për “Panorama Sport”, ai shpreh edhe një dëshirë.

Pret që të dyja në fund të këtij edicioni të kapin elitën dhe të pamundur nuk e quan, derisa po flasim për ekipe që renditen në vendin e 2-të dhe të 3-të të Kategorisë së Parë.

“Dinamo dhe Besa janë skuadrat e zemrës për mua dhe domosdo, sepse kam luajtur shumë vite për to gjatë karrierës sime. Kjo ndeshje është e veçantë edhe Poçin do thoja. Do të doja që të fitonin të dyja, por kjo është e pamundur… Në futboll fiton vetëm një ekip dhe uroj me zemër që të fitojë ajo skuadër që do ta meritojë, ajo që do të luajë më mirë në atë. Besoj se do të jetë një ndeshje e bukur, siç u ka hije këtyre dy klubeve me emër të madh në futbollin shqiptar. Dëshira ime e madhe është që si Dinamo, ashtu edhe Besa, të ngjiten në Superiore sezonin e ardhshëm. Kjo është e mundur dhe shpresoj që të ndodhë”, thotë fillimisht ish-mesfushori.

SFIDA Duke iu referuar gjendjes se si vijnë këto dy skuadra në këtë ndeshje, 45-vjeçari pohon se Dinamoja ështëfavorite. Nuk i bën dramë as gabimet që shfaqën në javët e fundit.

“E kam ndjekur Dinamon në javët e para të kampionatit dhe më ka pëlqyer. Pati atë humbjen e thellë me Flamurtarin, ku mendoj se ndeshja u ndikua nga kartoni i kuq i marrë që në fillim. Nuk është Dinamo ajo e asaj ndeshjeje. Barazoi edhe me Korabin në Peshkopi, por është në krye, në pozita të mira në klasifikim. Çdo skuadre në botë i ndodh që të ketë edhe ndonjë ndeshje poshtë nivelit, janë të pranueshme. Mendoj se do të kthehet në Superiore me skuadrën që ka. Edhe Besa është ngritur shumë në javët e fundit me fitoret që ka arritur, duke u bërë një pretendente e denjë për Superioren. Kjo ndeshje do të jetë një pikë kyçe për vazhdimësinë e dy skuadrave në këtë kampionat, por sidomos të Besës, sepse Dinamo ka pasur vazhdimësi. Kryeqytetasit i shoh favoritë, sepse kanë organikë më të mirë se kavajasit. E megjithatë, gjithçka mund të ndodhë në një 90-minutësh. Le të fitojë më i miri”, përfundoi lojtari që ka mbajtur shiritin e kapitenit te të dyja skuadrat, duke shkruar bashkë me të tjerët faqe të lavdishme të historisë së tyre.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"